Integrimi

Ylli Doko, zëri i shqiptarëve në Kantonin e Cyrihut

“Dua të jem shembull i një integrimi të suksesshëm në Zvicër, pa qenë i asimiluar dhe dua t'i ofroj të mirat e kulturës shqiptare në bashkësinë zvicerane”, është shprehur Ylli Doko për albinfo.ch

Më 24 mars në disa kantone të Zvicrës do të mbahen zgjedhjet kantonale. Në këto zgjedhje  do të konkurrojnë edhe disa kandidatë shqiptarë.

Njëri ndër ta është edhe Ylli Doko. Ai në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, tregon për veten e tij, ambiciet, dhe çka premton nëse fiton një ulëse në Parlamentin e Cyrihut nga Partia Liberale FDP.

albinfo.ch: Jeni shumë i ri dhe tashmë kandidoni për Parlamentin e Cyrihut. Kur keni filluar të merreni me politikë?

Unë besoj që mosha nuk luan rol për të marrë pjesë në politikë. Çdo kush që angazhohet për të mbrojtur interesat e veta, ose të një bashkësie bën politikë dhe mundohet që t’i bindë edhe të tjerët me fakte, që sa më shumë të tjerë ta mbështesin kërkesën e tij. Këtë mundet ta bësh në çdo moshë. Unë për herë të parë jam marrë me politikë në shkollë, në një moshë 14-15 vjeçare. Aty isha thjesht një Këshilltar i Klasës dhe më pas Presidenti i parlamentit të shkollës. Edhe pse nuk është e vështirë të marrish një post në Parlamentin e shkollës, prapë se prapë aty e pashë që nëse angazhohesh për interesat tua, mundesh gjithçka të realizosh. Ashtu që edhe jashtë orarit të shkollës isha i angazhuar në disa projekte bashkë me përgjegjësit e rinisë të komunës. Përveç që isha në disa komisione komunale përfaqësues i rinisë, unë kam organizuar edhe shumë evente sportive për rininë në rrethinë. Si 17 vjeçar për herë të parë kam marrë pjesë në Seancën e Rinisë në Parlamentin e Zvicrës në Bernë. Një vit më vonë duhej të kaloja në proces zgjedhor për të marrë pjesë në Seancën e Rinisë. Aty kam pasur një përkrahje të madhe dhe më është dhënë mundësia të jem njëri nga përfaqësuesit e rinisë për Kantonin e Cyrihut. Disa kërkesa që atëherë u miratuan nga Parlamenti i Rinisë, tani janë miratuar edhe nga Parlamentii Zvicrës dhe kanë hyrë në fuqi. Pastaj për disa vite kam qenë i involvuar në politikë në mënyrë pasive, për shkak të shkollimit, provimeve, ushtrisë dhe punës. Në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar vendosa që përsëri të aktivizohem në politikë. Kështu që me mbështetjen e familjes dhe shoqërisë vendosa të kandidoj për këshilltar të komunës së Bassersdorfit. Pas një rezultati të mirë prej 663 votave, vendosa që të vazhdoj me ambiciet e mia në politikë.

Tash jam kandidat për Parlamentin e kantonit të Cyrihut në listën 3 të Partisë Liberale (FDP).

albinfo.ch: Përse keni zgjedhur pikërisht FDP? Cilat janë vlerat që ju kanë afruar me këtë parti?

Partia e FDP-së e mbështet lirinë individuale të qytetarëve. Që çdo kush të jetë i lirë të jetojë jetën e vet si dëshiron vetë. Më pëlqen që kjo parti përpiqet për përgjegjësinë personale dhe lufton kundër rregullave dhe ligjeve të kota. FDP-ja dëshiron që të kemi një tregti të lirë pa ndërhyrje të tepërt të shtetit.

albinfo.ch: Në rast se zgjidheni në Parlamentin e Cyrihut, në cilat fusha do ta shtrini angazhimin tuaj politik?

Një objektiv e kam që kantoni i Cyrihut edhe në të ardhmen të mbetet një ndër vendet më të zhvilluar dhe atraktiv në aspektin e ekonomisë. Të jetë edhe në të ardhmen një vend tregtar dhe mikpritës për gjithë botën. Të jetë shembull i suksesit të shtetit zviceran dhe mirëqenies sonë. Për ta mbrojtur atë mirëqenie, duhet t`i mbajmë tatimet dhe taksat të ulëta, që tregtia të mund të zhvillohet dhe të hapen vende pune të reja. Që ky zhvillim mos të ngelë në trafik, duhet të investojmë dhe projektojmë në rrugë dhe hekurudha të reja dhe ti zgjerojmë ato që janë. Qytetarët pastaj mund të kombinojnë të gjithë mënyrat e trafikut, si të ju konvenojë. Ku ka zhvillim ekonomik dhe të trafikut, ka edhe vendbanime. Ato vendbanime duhet të kenë kualitet të lartë dhe për atë duhet të jetë e mundshme të rindërtojmë për të krijuar hapësira të reja për një jetesë moderne. Në ato vendbanime të ndryshme jetojnë njerëz, dhe bashkëjetesa ndërmjet atyre qytetarëve ka shumë rëndësi për mirëqenien personale. Kështu që mbështes fuqishëm angazhimin në familje, shoqëri, sport dhe kulturë, që të rrisim lumturin e secilit. Përveç asaj unë përpiqem për lirinë e qytetarëve. Dua të jetoj në një shtet ku unë si qytetar mund të lëviz i lirë dhe të vendos vet si të jetoj jetën time. Jam kundër një shteti që bën shtypje kundër popullsisë të vet. Shteti duhet të mbrojë lirinë e qytetarëve dhe t’i japë shërbim qytetarit dhe jo t’ia kufizojë lirinë. Unë do të luftoj kundër rregullave të kota dhe ligjeve të tepërta. Unë mbështes zgjidhje të thjeshta dhe që janë të qarta për të gjithë.

albinfo.ch: Cila është fuqia aktuale e FDP-së në Parlamentin e Cyrihut?

Fraktioni i FDP-së për periudhën 2015-2019 i ka 30 deputetë nga 180 që janë përgjithësi. Në kuvend përdoret për fjala “Fraktion” e jo “Parti” sepse në parlament në teorie mund të ketë edhe deputetë pa anëtarësi në një parti ose deputetë të zgjedhur të partive të vogla. Ata mund të krijojnë një fraksion nëse lidhen së paku 5 deputetë ose po t`i bashkëngjiten një fraksioni tjetër. Për partitë politike nuk ka përkrahje financiare nga shteti, kurse për fraksionet parlamentare shteti ndan financa për harxhimet e tyre.

albinfo.ch: Nga kandidatët e listës së FDP-së, ku jeni edhe ju, a ka edhe ndonjë kandidat tjetër me prejardhje të huaj?

Po, në listën 3 të rrethit zgjedhor të rajonit Bylah (Bülach) është edhe kolegia Arbela Statovci me prejardhje shqiptare. Kurse në rrethin zgjedhor të qytetit të Cyrihut është Përparim Avdili dhe në rrethin zgjedhor të Ushterit (Uster) është Albane Selimi që kandidon gjithashtu në listën 3. Për të qenë korrekt, duhet ta theksoj se  është edhe Qëndresa Sadriu e cila nuk është në listën e FDP-së, por kandidon në një listë tjetër.

albinfo.ch: Për çka do t’ ju votonte një votues në përgjithësi ose një votues me prejardhje të huaj?

Dua të jem një shembull i një integrimi të suksesshëm në Zvicër, pa qenë i asimiluar dhe t’i ofroj të mirat e kulturës shqiptare në bashkësinë zvicerane. Dua që shqiptarët të jenë pjesë e politikës zvicerane, siç jemi pjesë në disa fusha të tjera, ku kanë përparuar shqiptarët në Zvicër. Nëse zgjidhem unë dhe më jepet mundësia të hyj në Parlamentin Kantonal të Cyrihut dua të jem zëri i komunitetit shqiptaro-zviceran dhe të luftoj për ta mbrojtur identitetin tonë shqiptar në Zvicër si dhe ta afroj komunitetin shqiptar në shoqërinë zvicerane. Në parlament do të mbështes rregulla dhe ligje që lehtësojnë marrëdhëniet me vendlindjen tonë. Si shembull në çështjen e pensioneve dhe në turizëm. Dua që procesi për të moshuarit që kanë mbetur vetëm dhe kanë nevojë për ndihmën e familjarëve të tyre, po ashtu edhe për bashkëshortët dhe fëmijët, të jetë sa më i thjeshtë. Për të gjithë që duan të kthehen në vendlindje, të munden ta kalojnë atë proces, pa një burokraci të madhe, në mënyrë të thjeshtë. Këtu me siguri duhet të forcohen edhe marrëdhëniet në mes të institucioneve zvicerane dhe të vendlindjes sonë. Unë e shikoj shumë të rëndësishme që edhe pse jetojmë dhe angazhohemi në Zvicër, të mos e harrojmë identitetin tonë kombëtar. Për atë duhet që nga fillimi të jemi të involvuar kur ndahen fonde dhe kur bëhet buxheti për çështje kulturore. Kështu që në shkolla të ketë një orë shqip për fëmijët e shqiptarëve, siç kanë edhe komunitetet e tjera në Zvicër, si për shembull italianët. Edhe ata në një kohë kanë qenë në pozitën e shqiptarëve si që janë sot. Kurse tash janë pjesë e shoqërisë zvicerane pa qenë të asimiluar.

Kush është Ylli?

Kam lindur në vitin 1992 në Strugë, aty ku dhe i kam bërë hapat e parë dhe kam folur fjalët e para të mia. Si shumë të tjerë nga vendi ynë në atë kohë, edhe prindërit e mi janë shpërngulur në Zvicër, ku jam rritur në Kantonin e Cugut (Zug). Aty kam pasur një fëmijëri shumë të mirë, bashkë me shumë fëmijë të tjerë shqiptarë. Në atë kohë kam qenë edhe në shkollën shqipe, ku kam mësuar abetaren dhe himnin e flamurit, kështu si dhe shumë gjëra të tjera të kulturës tonë. Në vitin 2006 familja ime ka ndërruar vendbanimin nga Cugu për në Bassersdorf të Cyrihut, ku babai im ka pasur zyrën dhe shumicën e klientëve të tij, që i ka këshilluar në çështje të sigurimeve të përgjithshme, një biznes që e kishte filluar disa vite më parë. Në Bassersdorf unë për herë të parë kam hyrë në kontakt me politikën, siç e theksova më lart. Aty kam mbaruar edhe shkollën obligatore që këtu i thonë “Sekundarschule”. Si shumica e nxënësve në Zvicër unë kam kërkuar, në vazhdim të shkollës të bëj një zanat. Këto zanate janë pikërisht ndër shtyllat më të rëndësishme të sistemit arsimor të Zvicrës, ku diploma praktike vlerësohet njësoj si një diplomë akademike. Por, si shumë të rinj shqiptarë në Zvicër edhe unë e kam pasur shumë të vështirë për të gjetur një zanat. Si përfundim mu dha mundësia, të prezantohem në një kompani. Mbasi munda t`i bindja për aftësitë e mia, ma ofruan të filloj zanatin për teknik të arkitekturës në një zyrë të arkitekturës me remone të madhe në Cyrih. Po edhe ajo mundësi mu dha vetëm nga angazhimi im jashtë orarit të shkollës. Sepse edhepse notat në dëftesën time ishin të mira, unë si i huaj duhej të bëja shumë më shumë se një i vendit, për të pasur një mundësi. Mbas katër viteve në zanat kam diplomuar suksesshëm teknikën e arkitekturës (“Hochbauzeichner EFZ”). Edhe pse e kam pasur në plan të vazhdoj arsimin për të marrë maturën në drejtimin e profesionit tim, unë vendosa që të shkoj në ushtri. Vetëm pak kohë para se të diplomoja, unë e kam marrë shtetësinë zvicerane. Për mua ishte çudi kur ftesa për në ushtri më erdhi para pasaportës sime të re. Por isha shumë i bindur që do të bëj shërbimin tim ushtarak në Zvicër, dhe sot e kësaj dite për atë vendim s’jam bërë kurrë pishman! Në ushtrinë e Zvicrës kam kaluar një kohë të papërshkruar me shokët e ushtrisë, me të cilët edhe sot, kur kanë kaluar disa vite, kemi një kontakt të afërt. Ndoshta duhet të përmend se në kompaninë tonë nga 150 ushtarë, kam pasur diku 30 shokë me prejardhje shqiptare. Pas ushtrisë jam kthyer në profesionin tim në arkitekturë dhe pas pune kam ndihmuar babin tim në zyrën e tij. Një kohë të gjatë kam shkuar prej punës në punë. Ka qenë edhe një kohë shumë intensive, derisa vendosa që të fiksohem për zhvillimin e kompanisë të familjes bashkë me babin tim. Tash i kam bërë disa vite që mundem të këshilloj klientët tanë në çështje të sigurimeve dhe shumë fusha të tjera të jetës. Kështu që ju ndihmoj klientëve të mi në çështjen e papunësisë, ku ju ndihmoj të plotësojnë detyrat e tyre ndaj sigurimit të papunësisë dhe i përcjell ato në terminët e tyre si përkthyes. Unë përpara e kam dashur futbollin shumë, dhe ashtu isha edhe ndër lojtarët të parë që kanë luajtur për ekipin “FC Albania Zurich”. Sot jam sekretar gjeneral i këtij ekipi futbollistik që luan në ligën e tretë. Po jo vetëm në futboll dhe në ndeshjet e kombëtares identifikohem me prejardhjen time shqiptare, por edhe në politikë. Kështu që unë me kënaqësi mundem të them se fushatën time për zgjedhjet kantonale e kam nisur nga vendlindja. Këtu më kanë shoqëruar Presidenti i Partisë, Peter Lämmi dhe Presidentja e Komunës të Bassersdorfit Doris Meier. Të dy kanë qenë shkaktarë për nominimin tim si kandidat për deputet në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut. Privatisht unë nga disa vite e kam gjetur personin me të cilën do ta kaloj jetën time dhe kemi festuar dasmën tonë në verën e kaluar.

Për ambiciet e mia kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga familja ime dhe dua t’i falënderoj shumë për mundimet që i kanë bërë, që unë të kem mundësi t’i arrij qëllimet e mia. Gjithashtu i falënderoj edhe të gjithë tjerët për përkrahjen që më kanë kushtuar.