Integrimi

Ylfete Fanaj: Të jesh emigrante dhe grua nuk është program politik

"Tani ajo po vendos të gjitha kartat e saj në hapin pasues: nga parlamenti kantonal, në qeveri. Ajo ka rezerva ndaj reduktimit të saj vetëm në rolin emigrantes"

Më 2 prill në Kantonin e Lucernit mbahen zgjedhjet për Parlamentin dhe për Qeverinë e Kantonit. Për herë të parë për një post qeveritar kandidon një politikane me rrënjë shqiptare, shkruan albinfo.ch. Fjala është për Ylfete Fanajn, një emër ky tashmë shumë i njohur dhe jo vetëm në kantonin e saj.

Ajo njihet për faktin se ka kaluar tashmë praktikisht të gjitha postet që mund t`i ketë një politikan-e në nivel kantoni. Pas postit të parë, asambliste në Asamblenë e Qytetit të Lucernit, në vitin e largët 2007, ajo, katër vite më vonë, në vitin 2011 u bë deputete në Parlamentin e Kantonit, sigurisht, e para femër shqiptare në një pozitë të tillë, në gjithë Zvicrën. Në dy legjslaturat në vijim ajo ka vazhduar të jetë deputete në kanton dhe nga viti 2015 deri në viutin 2019 ka qenë edhe kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ndërsa në legjislaturën e tretë, pas zgjedhjes nënkryetare e parlamentit, arriti të marrë edhe postin e kryetares së po këtij parlamenti. Me këtë arritje ajo ishte tashmë jo vetëm shqiptarja por “seconda” (brezi i dytë i të huajve) e parë në gjithë Zvicrën që u zgjodh në këtë post. Kjo ka ndodhur në qershor të vitit 2021 dhe vetë akti i zgjedhjes ka bërë bujë të konsiderueshme në mediat zvicerane. Albinfo.ch ka raportuar drejtpërdrejt nga manifestimi, ku, veç tjerash, në referium prejardhjes së saj shqiptare, është kënduar kënga e njohur arbëreshe “Moj e bukura More”.

Lidhur me kandidimin e saj aktualisht janë duke shkruar shumë media të Kantonit të Lucernit, të cilat bëjnë portrete të saj dhe intervista me të.

albinfo.ch ka përzgjedhur pjesë nga dy intervistat e saj të fundit: në gazetën Luzerner Zeitung dhe në portalin  Zentralplus.

“Të bie në sy fakti që ngjyra e kuqe e shoqëron atë gjithmonë. Sot ajo mban një shall të kuq, thonjtë e saj janë të lyer me të kuqe. E pyetur në mënyrë eksplicite nëse bart me vetëdije ngjyrën e partisë së saj (PS), ajo thotë jo. “E kuqja thjesht më shkon, më pëlqen të mbaj këtë ngjyrë”, shkruan zentralplus.

Në vazhdim, ajo vë theksin në faktin se nuk i pëlqen të identifikohet vetëm me prejardhjen si e huaj “Të jesh emigrante dhe grua nuk është program politik”, thekson ajo.

Ajo, në mbledhjen zgjedhore të partisë në nivel kantoni ishte paraqitur si moderne, sociale dhe e orientuar drejt së ardhmes. Ajo e ka shprehur qartë ndjenjën e saj të drejtësisë në favor të të pafavorizuarve. Me një paraqitje luftarake, ajo mbizotëroi në vendimin e brendshëm ndaj dy konkurrenteve të PS-së Melanie Setz dhe Yvonne Zemp.

Në fushatën elektorale, me një komitet zgjedhor prej mbi njëmijë mbështetësish

Ylfete Fanaj është në atmosferë fushate që prej datës 24 shtator. Dhe menjëherë ngriti një komitet mbështetës. Sot ajo mund të mburret me mbi një mijë njerëz që duan të kontribuojnë në zgjedhjen e saj, transmeton albinfo.ch. “Unë jam e mbështetur nga njerëz nga të gjitha pjesët e kantonit të cilët aktualisht nuk ndihen të përfaqësuar në qeveri. Ata vijnë nga një gamë e gjerë prejardhjesh profesionale, duke filluar nga infermierët deri te gastronomët.

Ajo hoqi dorë nga puna e saj si menaxhere e divizionit për Zvicrën gjermanishtfolëse dhe anëtare e bordit drejtues në projektin rinor LIFT në Bernë, në mënyrë që të mund të punojë për kandidaturën e saj me të gjitha forcat.

Ndërsa gazeta Luzerner zeitung, duke shkruar për kandidimin e saj vlerëson se “tani ajo po vendos të gjitha kartat e saj në hapin pasues: nga parlamenti kantonal, në qeveri. Asaj i pëlqen vetëm në masë të kufizuar reduktimi i saj  në rolin i një emigranteje.

Fanaj ka mësuar që në fëmijëri të jetë e vëmendshme dhe të kërkojë ndihmë. Ajo erdhi në Zvicër nga Kosova kur ishte nëntë vjeç – pasi prindërit e saj ishin shpërngulur këtu dy vjet më parë për punë. Ajo u rrit në rrethana modeste me katër vëllezërit e motrat e saj në qytetin Sursee. Kështu, kur ajo kishte nevojë për ndihmë rreth detyrave të shkollës, ajo pyeste  fqinjët e saj pasi prindërit e saj mezi flisnin gjermanisht. Pas shkollës, Fanaj ka bërë praktikë si nëpunëse – dhe rrogën e ka shpenzuar për procesin e natyralizimit, ndër të tjera.

Ka shumë më tepër për të ofruar, përtej çështjes së migrimit

Fanaj e ka rrëfyer shpesh (në media) historinë e saj. Ajo është arsyeja pse shpesh njihet në publik kryesisht si përfaqësuese e emigrantëve. Një rol që asaj i pëlqen vetëm pjesërisht, përcjell albinfo.ch. “Më pëlqen të krijoj shikueshmëri dhe të tregoj se çfarë është e mundur. Por shtëpia ime dhe rrënjët e mia janë në Sursee dhe kantonin e Lucernit”.  Përveç kësaj, ajo ka shumë më tepër për të ofruar sesa çështja e migrimit.

Një vërejtje që ishte ngritur edhe në mbledhjen e emërimit të saj nga PS, ishte se Fanaj nuk njihet shumë në zonën rurale të kantonit. Por ajo nuk ka frikë se mund të marrë pak vota atje. “Udhëtoj shumë, tregoj prezencë. Për më tepër, çështjet për të cilat unë bëj fushatë janë gjithashtu të rëndësishme për fshatin – si për shembull transporti publik i zhvilluar mirë ose primet e pagueshme të sigurimit shëndetësor”.

Fanaj e ka të qartë të ardhmen: “Lucerni duhet të mbetet një kanton i mundësive, transmeton albinfo.ch. Kanton që zhvillon shumë perspektiva për njerëzit dhe në të cilin të gjithë zërat janë të rëndësishëm…”.

Foto: Screenshot nga zentralplus.ch