Gruaja

Ylfete Fanaj: Më shumë korrektësi në politikë

Fanaj u angazhua për respekt më të madh në mes të palëve që bëjnë politikën dhe në veçanti në raport me popullin

Në edicionin special të emisionit “Der Club”, ndër më të shikuarit të Televizionit Publik Zviceran (SF1), u bë fjalë për drejtësinë dhe korrektësinë në politikë, për abuzimin që i bën politika e këtushme opinionit përmes ashpërsimit gjithnjë më të madh të parullave dhe të qëndrimeve të saj etj.

Debati në studio u zhvillua në dy panele. Në të parin, qëndrimet i kryqëzuan politikanët aktivë si deputetë, kryetarë e nënkryetarë të partive kryesore të Zvicrës ndërsa në tjetrin, përfaqësues të rinisë, të partive përkatëse.

Si pikënisje për debatin në studio shërbeu fjala përshëndetëse e ish presidentes së Zvicrës Doris Leuthard në fillim të vitit ku ajo nga klasa politike kërkon respektim të vendimeve të shumicës por edhe kujdes dhe drejtësi për pakicat e cilit do lloj në Zvicër.

Në këtë emision si mysafire ishte edhe Ylfete Fanaj, kryetare e organizatës “Secondo@s plus” në nivel të Zvicrës, e cila përfaqëson të rinjtë e gjeneratës së dytë me prejardhje të huaj në këtë vend. Ylfetja është njëherësh edhe delegate e Partisë Socialdemokrate në Parlamentin e Lucernit.

Duke u inkuadruar në debatin në podium, Fanaj u angazhua për respekt më të madh në mes të palëve që bëjnë politikën dhe në veçanti për respekt të tyre në raport me popullin. Ajo e konsderon jo korrekte që e gjithë demokracia në Zvicër, sidomos viteve të fundit, sipas saj, po zhvillohet kryesisht nëpër fushata për referendume.

Kjo po bën që secili krah politik të barrikadohet brenda kampit të vetë dhe kjo është për të të ardhur keq. Shembujt për tu ndjekur ose shembëlltyra e politikanit në shoqërinë e sotme ishte po ashtu një nga temat të cilat u rrahën në këtë emision.

Ylfete Fanaj, duke folur rreth kësaj teme u shpreh se shembujt ose idhujt ajo nuk i kërkon vetëm në krahun politik që e përfaqëson por edhe jashtë tij, sepse vlerat, sipas saj, nuk janë privilegj i njërit apo tjetrit krah.

Ylfete Fanaj i takon një vale të të rinjve dhe të rejave shqiptare të brezit të dytë, të cilët po e kërkojnë dhe (kryesisht) po e gjejnë rrugën e tyre të profilizimit të suksesshëm në shoqërinë ku jetojnë. Pa ndonjë kompleks inferioriteti në raport me rrethin, ato dhe ata po kontribuojnë që komuniteti ynë dalngadalë të fillojë të perceptohet si komunitet fare normal. Jashtë çfarëdo ngjyrimi ekzotik apo edhe demonizimi.

Për të vizionur emisionin në fjalë, klikoni më poshtë: