Kosova

Xhaka në fanellën e Leverkusenit këtë sezon ka tri fitore rresht

Falë golit në minutën e fundit, Bayer Leverkuseni fitoi 4:3 ndaj Wolfsburgut, të dielën në Bundesligë.

Fitorja e tretë rresht për kampionin aktual, përcjell albinfo.ch.

Por, a po shkon çdo gjë si duhet për Leverkusenin? Jo aspak.

Granit Xhaka është shumë i mërzitur. Pas ndeshjes ai foli për DAZN.

“Duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin, të jemi vetëkritikë mjaftueshëm. Kjo nuk mjafton”, ka thënë mesfushori.

Kapiteni i Zvicrës bëhet më konkret më pas.

“Nuk është në rregull t’i pranojmë nga tri gola në secilën ndeshje. Sidomos nuk është në rregull mënyra se si i pranojmë golat”, ka vazhduar kritikën Xhaka.

“E vlerësojmë veten top-ekip. Por, një top-skuadër nuk i pranon tri gola për 45 minuta”.

Me kaq nuk përfundon fjalimi kritik i Xhakës. Leverkuseni i ka pranuar nëntë gola në katër ndeshjet e para në Bundesligë. Vetëm Augsburgu, Hoffenheimi dhe Kieli kanë pranuar më shumë gola.

Te Leverkuseni lënë shumë hapësirë në mbrojtje dhe nuk janë mjaftueshëm agresivë.

“Na mungon dëshira për ta mbrojtur portën tonë”, thotë Xhaka.

Përkundër fitores me gol të minutave shtesë, nuk ka arsye për gëzim te Leverkuseni. Xhaka e vlerëson rrjedhën e ndeshjes si “thirrje të madhe për zgjimin e të gjithëve”.

“Mbrojtja përbëhet nga njëmbëdhjetë lojtarë e jo nga një apo dy”, ka vazhduar kritikën Xhaka. Por mbetet të shihet nëse fjalët e tij do të kenë ndikim.

Trajneri Xabi Alonso mendon se kritika është e arsyeshme.

“Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, nuk do të kemi asnjë shans për të bërë diçka të madhe”, tërheq vërejtjen Alonso. Ai e di se “lojtarët nuk janë të marrë dhe e kanë të qartë se çka duhet të bëjnë”.

Mbetet të shihet nëse Leverkuseni do t’i zgjidhë telashet në mbrojtje deri të shtunën e ardhshme. Kampioni aktual do të përballet me Bayernin, që ka shënuar 20 gola në tri ndeshjet e fundit.

Xhaka nuk është i brengosur që ndeshja e ardhshme e Leverkusenit është ndaj skuadrës që mban rekordin për tituj në Gjermani.

“Kjo nuk na intereson. Është ndeshje e zakonshme. E dimë se si është Bayerni dhe që shënon shumë gola. I dimë anët e forta dhe dobësitë e Bayernit”, ka thënë Xhaka.