Futboll

Xhaka me Leverkusenin, drejt titullit të parë në Gjermani

“Aspirinat” mund të fitojnë titullin e parë në histori të klubit

Leverkusen ka vënë një dorë mbi titullin e parë kampion në histori.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso vijon të vrapojë drejt suksesit, teksa këtë të diel ka triumfuar me rezultatin 0:2 në transfertën ndaj Koln, për të çuar në 10 pikë distancën nga Bayerni ndjekës, kur kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur deri në fund të sezonit.

Ndeshja e sotme për “Aspirinat” u bë më e lehtë shumë shpejt, pasi Thielmann la Kolnin me 10 futbollistë që në minutën e 14 dhe me një futbollist më shumë në fushë, Friempong i dha avantazhin Leverkusenit në minutën e 38-të.

Në pjesën e dytë ishte Grimaldo që shfrytëzoi një asist të Adli për të shënuar edhe golin e dytë, që vulosi një tjetër sukses, transmeton albinfo.ch.

Pas 24 javës, Leverkusen ka grumbulluar 64 pikë, falë 20 fitoresh e 4 barazimesh, teksa nuk e ka provuar ende shijen e humbjes.

Një meritë të madhe ka edhe mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, i cili po shkëlqen, duke bërë super paraqitje.