Sport

Xhaka: “Kalimi im në Bajern”, spekulim i pastër

Unë vetëm mund të them se nuk kam pasur kurrë kontakt me Bayernin dhe aq më pak të kem lidhur marrëveshje me të. Kjo informatë është plotësisht e pabazë”, ka thënë Xhaka

Si Granit Xhaka, ashtu dhe klubi i tij, Borussia Mönchengladbach kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike deklarimet, sipas tyre të rrejshme që kanë qarkulluar nëpër medie, sipas të cilave Graniti do të kalonte së shpejti te Bajerni.

Një njoftim të portalit kosovar Telegrafi, sipas të cilit “bazuar në burimet e brendshme”, të afërta me lojtarin, Xhaka tashmë “ishte marrë vesh me Bajernin”, lojtari me rrënjë kosovare e ka quajtur si informatë “nga mbretëria e përrallave”.

“Unë nuk e kam idenë se kush mund të jetë ky person nga rrethi im. Por ky ose kjo duket se di për mua shumë më tepër se që di unë vetë. Unë vetëm mund të them se nuk kam pasur kurrë kontakt me Bayernin dhe aq më pak të kem lidhur marrëveshje me të. Kjo informatë është plotësisht e pabazë”, ka thënë Xhaka për gazetën gjermane “Ran”.

Ngjashëm lidhur me spekulimet e përmendura ka reaguar edhe menaxheri i klubit të Xhakës, Max Eberle në një konferencë shtypi. “Këtë (dezinformatë) mund ta përjashtoj 100 për qind”, ka thënë ai.