Futboll

Xhaka ia kthen Evrasë: Një lojtar i shkëlqyer, por flet budallallëqe

Granit Xhaka i është kthyer me tone të ashpra ish-futbollistit të Manchester United dhe Juventusit, Patrice Evra, i cili i etiketoi “bebe” lojtarët e Arsenalit pas humbjes 1-0 në fushën e Sheffieldit, me gol të Lys Mousset në pjesën e parë. Evra deklaroi se nuk ishte aspak i surprizuar nga rezultati dhe se vendësit e meritonin fitoren.

“Para 10 vjetësh i quaja “bebet e mia” dhe ata kanë mbetur edhe sot të tillë. Kur i shoh duke luajtur, mendoj se janë ende “bebe”, kjo është e vërteta. Nuk po tregoj mungesë respekti kur e them këtë”.

Xhaka nuk ka mundur t’i kapërdijë këto fjalë fyese të Evrasë për lojtarët e Arsenalit. Shqiptari i “Topçinjve” iu përgjigj:

“Ca njerëz flasin shumë. Kam shumë respekt për të, sepse ka qenë një lojtar i shkëlqyeshëm, por duhet të jesh i kujdesshëm me ato që thua. Ai i di këto situata, por nuk është vetëm ai. Shumë njerëz flasin budallallëqe, është gjithmonë e njëjtë gjë”.

Kapiteni i Arsenalit gjithashtu refuzoi të përdorte si alibi karakterin e skuadrës së tij për humbjen në “Bramall Lane”.

“Ne duhet të ndalojmë së foluri për anën psikologjike dhe budallallëqe të tjera si kjo. Më vjen keq ta them këtë, por për mua është e njëjta qoftë si të luash në shtëpi dhe jashtë. Duhet të fitosh dhe të tregosh karakter të madh dhe të mos kërkosh të njëjtin justifikim”.