Bota

Wolfgang Schäuble është kryetar i ri i Bundestagut

Në mbledhjen e sotme të tij, Bundestagu gjerman ka zgjedhur ish ministrin e financave, Wolfgang Schäuble për kryetar. Në këtë legjislaturë ka më pak femra dhe më shumë njerëz me sfond migracioni

Në vend të Norbert Lammert, i cili ka udhëhequr legjislativin gjerman për 12 vjet me radhë, kryetar i ri i Bundestagut gjerman, do të jetë Wolfgang Schäuble. Nga 709 vota, sa ka Bundestagu i ri, Schäuble fitoi 501 vota, shumë prej tyre deputetë të opozitës, shkruan deutschewelle.de. Schäuble mbajti një fjalim të gjatë ku bëri të ditur se në Bundestag duhet të respektohen rregullat demokratike, pa përjashtime. Ndonëse, theksoi ai, ka ndryshuar struktura politike në Bundestag, ku grindjet janë jo vetëm të dëshiruara por edhe të domosdoshme, rregullat duhet të respektohen.

Kundër AFD-së, që në fillim

Seancën e hapi politikani Hermann Otto Solms, si presidenti më vjetër i Bundestagut. Procedura e parë e këtij Bundestagu ishte rrëzimi i kërkesës së AfD-së për hapjen e Bundestagut nga deputeti më i moshuar dhe jo ai me më shumë vite në shërbim të Bundestagut. Deputeti i AfD-së, Albrecht Glaser as nuk shanse për t’u zgjedhur zëvendëspresident i Bundestagut, pasi partitë e tjera në Bundestag nuk e konsiderojnë të votueshme kandidaturën e Glaserit.

Parlamenti gjerman është në këtë legjislaturë 2017-2021 në një konstelacion të ri: Ai është më i madh se kurrë më parë me 709 deputetë, 78 më shumë se në legjislaturën e kaluar. Me futjen e partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD në parlament dhe rifutjen e FDP-së liberale parlamenti ka gjashtë grupe parlamentare. Më shumë influencë kanë humbur të dy ish-partnerët e koalicionit të madh. Unioni kristiandemokrat mbetet forca kryesore, por numri i deputetëve të tij është ulur ndjeshëm. Futja e AfD-së në parlament dhe e FDP-së ka sjellë uljen e pjesës së deputetëve të unionit me 15%.

Më pak femra 

Kuota e femrave në këtë Bundestag do të jetë më e ulta që nga vitet 1994-1998. Nga 709 deputete vetëm 219 janë gra, pra më pak se se një e treta. Vërtet Gjermania qëndron para SHBA-së në këtë drejtim, por dukshëm pas Francës (39% deputete) dhe Spanjës (40%). Ulja e numrit të grave lidhet edhe me futjen e AfD-së dhe FDP-së në Bundestag. Nga 92 deputetë të AfD-së vetëm 10 janë gra. Ndërsa tek FDP-ja gjenden 19 deputete femra nga 80 deputetë gjithsej.

CDU/CSU drejtohet vërtet nga një kancelare, por në Bundestag ajo dominohet dukshëm nga burrat. Kuota e femrave është ulur aty me 5%. Partitë e tjera, E Majta, Të Gjelbrit dhe Socialdemokratët kanë kuota të detyrueshme për femrat në listat partiake, e si rrjedhojë ato kanë edhe numrin më të madh të deputeteve femra.

Më shumë deputetë me sfond migracioni

Të pakten 58 deputetë gjermanë kësaj here kanë sfond migracioni, sipas hulumtimeve të Deutsche Welles, ose të paktën njëri nga prindërit ka lindur pa nënshtetësinë gjermane. Kjo përbën 8% të të gjithë depute

Ndërsa për sa i përket tendencave politike, deputetët me sfond migracioni janë më të përfaqësuar në krahun e majtë të politikës. Gati 10% e deputetëve të SPd-së kanë sfond migracioni, tek Të Gjelbrit dhe E Majta janë 14,9% dhe 18.8%. Unioni ka përqindjen më të ulët të deputetëve me sfond migracioni. Ndërsa tek AfD nga 92 deputetë vetëm 8 kanë sfond migracioni. Ndër ta një deputet nga Tiroli jugor, dy politikanë të lindur në Rumani, dy ish-azilantë nga Çekosllovakia e dikurshme, dy të shpërngulurit nga Kazakistani si edhe një gjerman me baba afroamerikan. Sipas shërbimit mediatik për integrimin, shumë deputetë kanë sfond migrimi brenda BE. Pas tyre vojnë gjermano-turqit.