albinfo.ch
Zhvillim
Walker propozon një lëvizje për t’i bashkuar shqiptarët jashtë vendit
Amerikani i njohur si denoncuesi më i madh në opinionin ndërkombëtar i masakrave serbe në Kosovë, William Walker, ka ardhur në Cyrih nga Kosova në të njëjtin aeroplan me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, po me të cilin nuk ndërruar asnjë fjalë, madje në përvjetorin e masakrës së Reçakut ai kishte refuzuar medaljen të cilën kishte vendosur t’ia ndajë Presidenca në Prishtinë.
Ai ka pranuar se nuk ka raporte të mira me presidentin Hashim Thaçi. I zhgënjyer ka thënë të jetë dhe me kryeministrin Isa Mustafa. Kosova sipas ish-shefit të misionit vëzhgues të OSBE-së po shkon në rrugë të gabuar dhe nuk beson në lidershipin e atjeshëm, ndërsa respekton institucionet e vendit, por jo edhe njerëzit që i udhëheqin, raporton albinfo.ch. I dëshpëruar me gjithçka që po zhvillohet në Kosovë gjatë tetë vjetëve të fundit, ish-ambasadori amerikan i OSBE-së tha se sytë i ka kthyer nga diaspora.
Si joshqiptar që respektohet nga shumë njerëz, thotë të ketë shansin e mirë për t’i bashkuar shqiptarët anembanë botës. “Si mik dhe ithtar në aspiratat shumë shpesh të frustruara të personave në komunitetet shqiptare amnembanë botës, kam vendosur të angazhohem në një përpjekje serioze për ta shtuar dhe zgjeruar ndikimin e diasporës në ato shtet nga të cilat shumë shqiptarë kanë migruar: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë, etj.”, ka thënë në një takim me mërgimtarët shqiptarë në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih.
Problemet janë të mëdha dhe nevojitet kohë për zgjidhje.
Për fillim, ai ka propozuar të udhëheqë një lëvizje për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar nga ata që t’ harrojnë dallimet dhe ndarjet ekzistuese që e shqetësojnë diasporën. “Lëvizja do të përbëhet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes ose përkatësisë a angazhimeve të tjera, pra tërësisht jopolitike. Besoj që unë, si joshqiptar që respektohem nga shumë njerëz, kam shansin më të mirë për t’i bashkuar shumë fraksione të diasporës anembanë botës”, ka deklaruar Walker, duke kërkuar mbështetjen e diasporës.
Ai thotë se duke u bashkuar pas përpjekjeve të tilla, do të arrijmë një zë të fuqishëm politik për diasporën përmes legalizimit dhe stimulimit të votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Do t’i marrim vendet e rezervuara në parlamentet përkatëse për përfaqësuesit e diasporës, në pajtim me kontributet vetëmohuese të diasporës për suksesin përfundimtar të atdheut të tyre”, ka deklaruar Walker, duke debatuar me mërgimtarët e mbledhur për mënyrën se si mund të bëhet realitet një lëvizje e tillë. Idenë Walker do ta prezantojë gjithkund ku jetojnë shqiptarë jashtë vendit.
William Walker, ka folur edhe për gjendjen në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi dhe për zgjedhjen e presidentit Trump dhe politikën amerikane ndaj Kosovës. Ai është përgjigjur edhe për ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Francë. Ndalimi, për Walkerin, është i padrejtë, sidomos me një fletarrestim të Serbisë.
Walker është ambasadori amerikan i OSBE-së që hyri i pari në Kosovë në vitin 1998 dhe zbuloi gjenocidin serb kundër popullsisë civile shqiptare si dhe ndërkombëtarizoi kauzën e drejtë të Kosovës në botë.
Në vijim mund të lexoni të plotë projektin e Wiliam Walkerit për t’i bashkuar shqiptarët jashtë vendit:
“Si mik dhe ithtar në aspiratat shumë shpesh të frustruara të personave në komunitetet shqiptare anembanë botës, kam vendosur të angazhohem në një përpjekje serioze për ta shtuar, dhe zgjeruar, ndikimin e diasporës në ato shtete nga të cilat shumë shqiptarë kanë migruar: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, etj.
Në të gjitha këto shtete, remitencat nga të afërmit dhe miqtë që jetojnë jashtë vendit paraqesin komponentë kritike të mirëqenies ekonomike të atyre që i marrin. Në shtetet me shkallë të lartë të papunësisë (si Kosova me 39 për qind) dhe ekonomi jostabile, remitencat janë shpesh dallimi mes varfërisë dhe mirëqenies relative. Për fat të keq, kjo rrjedhje e kapitalit rrallë herë kontribuon në përmirësimin afatgjatë inidividual apo kombëtar, por në vend të kësaj shkon në konsum të përditshëm. Prandaj, gjersa ndikimi ekonomik i diasporës është i madh, efektet e saj aftagjate janë minimale. E meta e dytë është se këta donatorë jashtë shtetit, të cilët shpresojnë që kontributet e tyre do t’i përmirësojnë kushtet e jetës në atdheun e tyre, nuk kanë ndikim në procesin e vendimmarrjes, ku paratë e tyre shpenzohen. Vendimmarrësit politikë në atdhe japin premtime boshe për rëndësinë, këshillat dhe aspiratat e tyre që jetojnë jashtë vendit.
Kam qenë i përfshirë me çështjen shqiptare gjatë tetëmbëdhjetë vjetëve të fundit, duke filluar me konfliktin në Kosovë, masakrën në Reçak, eksodin e refugjatëve të nxitur nga Millosheviqi dhe përpjekjet e pasluftës për ta krijuar një Kosovë demokratike dhe të qëndrueshme. Kam qenë i pranishëm në çlirim, kam qenë në Parlamentin në Prishtinë kur u shpall pavarësia dhe u festua me gëzim në rrugët dhe fshatrat anembanë vendit. Pritjet kanë qenë shumë të larta, asgjë nuk dukej e pamundur. Që nga viti 1999 janë takuar dhe shoqëruar me anëtarë të komunitetit shqiptar, në SHBA dhe Evropë, për t’i kërkuar mendimet, sugjerimet dhe ëndrrat e atyre që i kam takuar, nga cilido mjedis shoqëror, përkatësi politike, ekonomike dhe fetare që mund të përfaqësojë.
Mjerisht, gjej zgjidhje, dekurajim dhe dëshprim në gjithë diasporën, bindje se gjërat nuk janë duke shkuar mirë në asnjërin prej atdheve. Pak veta, nëse ka, shprehin konsideratë pozitive për gjendjen aktuale. Shumica bashkohen me mua në kritikën e ashpër ndaj klasës politike vendimmarrëse, dhe shprehim mendimin se gjërat jo vetëm që nuk janë duke u përmirësuar, por janë duke shkuar në drejtim të gabuar. Eksizton një marrëveshje e përhapur se diçka duhet të bëhet. Kam ndërmend të provoj.
Së pari, besoj që lidhjet ekonomike dhe familjare që i lidhin diasporat dhe vendet e prejardhjes janë mjerisht të nënvlerësuara nga personat që janë ende në pushtet në tërë rajonin. Thënë shkurt, ata që i sakrifikojnë burimet personale të fituara me vështirësi në remitenca për t’i siguruar në Kosovë p.sh. diku mes 30-40 % të të ardhurave kombëtare, duhet të kenë ndikim në përputhje me rëndësinë e kontributit të tyre.
Jam i bindur se problemet, të shikuarat në mënyrë aq të qartë nga ata në diasporë, nuk do të korrigjohen dhe nuk mund të korrigjohen nga ata që janë të përfshirë në luftën e përditshme, d.m.th. nga brenda. Vendimmarrësit e sotëm anembanë rajonit janë politikanë, dhe jo patriotë, janë shumë të fuqishëm, shumë të korruptuar, shumë të përkushtuar në lojën me shumë zero të politikës dhe shumë të varur nga mentorët ndërkombëtarë me motive joshqiptare, për t’i bërë reformat e nevojshme.
Jam edhe më tepër i bindur se vetëm përfshirja aktive dhe e vazhdueshme e atyre në diasporë, e atyre me ekspozim dhe përvojë në botën e jashtme, e atyre me dëshirë të zjarrtë për ndryshim, ka gjasë t’i ndërmarrë korrigjimet e nevojshme të kursit.
Problemet janë të mëdha dhe nevojitet kohë për zgjidhje kuptimplote. Për fillim, propozoj ta udhëheq një lëvizje për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar nga ata që t’i harrojnë dallimet dhe ndarjet ekzistuese që e shqetësojnë diasporën. Lëvizja do të përbëhet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes ose përkatësisë dhe angazhimeve të tjera, pra tërësisht jopolitike. Besoj që unë, si joshqiptar që respektohem nga shumë njerëz, kam shansin më të mirë për t’i bashkuar shumë fraksione të diasporës anembanë botës.
Kërkoj mbështetjen tuaj, duke u bashkuar pas përpjekjeve të tilla si arritje e një zëri të fuqishëm politik për diasporën përmes legalizimit dhe stimulimit të votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe marrjes së vendeve të rezervuara në parlamentet përkatëse për përfaqësuesit e diasporës në pajtim me kontributet vetëmohuese të diasporës për suksesin përfundimtar të atdheut të tyre.
Këto janë thjesht mendimet e para. Më tepër do të pasojnë. Shpresoj ta nxis unitetin, krenarinë dhe veprimin në gjithë diasporën.”
E-Diaspora
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji Në një ceremoni homazhi në Gjenevë, të përgatitur nga familja dhe miqtë e dashamirët e tij,...
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
Jeta në Zvicër
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit Shoqata rajonale e hoteleve po u kërkon anëtarëve të saj që të rrisin çmimet vetëm në...
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju