Kosova

VV-ja kundër emërimit të Begollit në krye të Telekomit

Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive"

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas emërimit të anëtarit të partisë së kryeministrit, Gent Begollit si kryeshef i Telekomit.

VV-ja thotë se Aleanca po vepron njëjt si PDK-ja me kapjen e shtetit.

“Në kohën kur vetë qeveria pranon se Telekomi i Kosovës është duke u përballuar në një situatë të vështirë financiare që ka ardhur para së gjithash për shkak të menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje, Bordi i kësaj kompanie ka emëruar në krye të kësaj kompanie Gent Begollin, një zyrtar të AAK-së, pa asnjë eksperiencë në fushën e telekomunikacionit dhe të menaxhimit.

Kuvendi i Kosovës, në disa diskutime në lidhje me Telekomin, ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa për nxjerrjen nga kriza të kësaj kompanie. Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet është duke e bërë saktësisht të kundërtën, pra, po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive”, thuhet në reagim.

VV-ja paralajmëron se falimentimi eventual i Telekomit do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e Kosovës.