Maqedonia

Vuçiqi, “i goditur” që Maqedonia e Veriut e votoi Rezolutën për Srebrenicën

Në një deklaratë të fundit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është prekur nga votimi i rezolutës për Srebrenicën nga Maqedonia e Veriut në Asamblenë e Përgjithshem të Kombeve të Bashkuara, sepse thotë, “më së shumti ka investuar” në raportet me vendin tonë, përcjell albinfo.ch.

Pas kthimit nga seanca në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua Rezoluta për Ditën Ndërkombëtare të kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe dënimit të mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, Vuçiq për TV Prva deklaroi se, për dallim nga votimi i Malit të Zi, më rëndë është goditur nga qëndrimi i Shkupit, pa dallim të historive për qeverinë paraprake.

“Sjellja e Maqedonisë së Veriut nuk është fer, sepse më duket se më së shumti kam investuar në raportet me vëllezërit maqedonas dhe ata çdoherë do të jenë vëllezërit tanë. U tregua se Greqia (e cila votoi e përmbajtur) ka më shumë kurriz se Maqedonia e Veriut dhe ajo është ashtu, e duam apo nuk e duam ne atë”, deklaroi Vuçiq.

Votimin e Malit të Zi për rezolutën e ka pritur dhe potencoi se Mali i Zi asnjëherë nuk do të sjellë rezolutë për gjenocidin në Jasenova, pasi përfaqësuesit e serbëve në atë vend paralajmëruan se do të propozojnë miratimin e një dokumenti të tillë në Kuvendin e Malit të Zi.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 23 maj miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.  Rezoluta kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68. Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.