Kosova

Vuçiq: Qëllimi i Perëndimit është njohja e Kosovës nga Serbia

Ardhja e 5 emisarëve evropianë e amerikanë në Kosovë e Serbi pritet t’i japë shtytje rikthimit të palëve në dialog. Madje ata me vete sollën edhe një propozim të ri, i cili ende është i mbyllur për opinionin.

Megjithatë, pas takimit me ta, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bëri të ditur se qëllimi i diplomatëve perëndimorë është njohja e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

“Kuptohet se gjithçka u diskutua rreth Kosovës dhe për ne ishte shumë e vështirë. Njerëzit mendojnë se e tëra kjo po ndodh për shkak të Banjskës, por jo. Në aspektin taktik ka qenë e tmerrshme për ne dhe ka pasoja të caktuara, por në aspektin strategjik, qëllimi i tyre i vetëm është të njohim Kosovën”, tha Vuçiq.