Shkurt.ch

Vritet pasi ia shkelë këpucën

Pas vrasjes që ka ndodhur natën e së premtes, Policia kantonale e Neuchatel-it ka arrestuar tre kosovarë. Ngjarja kishte ndodhur të premten para një diskoteke në Neuchâtel, ndërsa supozohet se zënka është shkaktuar për motive banale.

Policia i ka dëgjuar tre të dyshuarit me prejardhje kosovare dhe sipas të gjitha gjasave, një shqiptarë 31-vjeçar nga Lugina e Preshevës, është vrarë për motive banale.

“Ngjarja nuk ka motive politike”, ka deklaruar të dielën zëdhënësi i Policisë kantonale të Neuchatel-it, Olivier Guéniat, në një deklaratë dhënë Agjencisë telegrafike zvicerane SDA, Sipas të gjitha gjasave, zënka është shkaktuar pasi njëri nga turma para diskos e kishte shkelur tjetrin në këmbë, e ky i fundit kishte kërkuar që ai t’i kërkojë falje.

“A dëshiron të rrihesh”, kishte pasuar paralajmërimi. Zënka kishte eskaluar, fillimisht në diskotekën “Highlander” e më pas jashtë saj, pasi truprojet e lokalit ata i kishin hedhur në rrugë.

Dhe aty ndodhi momenti i kobshëm, viktima u ther me një thikë dhe vdes disa minuta më vonë. Gjatë fundjavës, tre të implikuar në ngjarje janë identifikuar dhe bëhet fjalë për dy vëllezër kosovarë të moshës 22-, dhe 23-vjeçare nga Sainte-Croix (Vaud). Ata kanë pranuar se kanë qenë të përfshirë në zënkë. Më tej, policia ka dëgjuar edhe një kosovar 22-vjeçar nga Yverdon-i, pa status zyrtar në Zvicër.

Personi i katërt i dyshuar është edhe në arrati dhe policia ka ndërmarrë të gjitha masat për të zbuluar ate.