Kosova

Vrasja e mbrëmshme në Prishtinë, çka dihet deri më tani për rastin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, saktësisht në lagjen Kodra e Trimave

Një ngjarje tragjike, që përfundoi me vrasje, ka tronditur Kodrën e Trimave mbrëmë. Për motive akoma të panjohura, një grua ka ekzekutuar vëllain e bashkëshortit – kunatin e saj.

Atje një grua dyshohet se e ka privuar nga jeta kunatin e saj, me të cilin sipas raportimeve ende jozyrtare, jetonin nën një kulm.

E dyshuar për vrasjen është një grua me inicialet N.M., e cila është vetëdorëzuar në polici.

Rastin për Reperteri.net e ka konfirmuar të martën zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Motivet e krimit ende nuk dihen.

“Sot rreth orës 19:20 kemi pranuar informatën për një vrasje, që ka ndodhë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara: -N.M. femër. Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast”, ka thënë Ahmeti.

Trupi i pajetë i burrit që u vra në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë është larguar nga vendi i ngjarjes mbrëmë në orët e natës.

Sipas raportimeve, gruaja e dyshuar dhe kunati, të cilin dyshohet se e vrau, jetonin në të njëjtin objekt, por që kishin hyrjet e ndara.