Lajme
Pengesa me votat e diasporës, e lidhur ngushtë me interesa politike
Numri i asaj që njihet si diaspora e re, pra atyre shqiptarëve që kanë emigruar pas viteve ‘90 përllogaritet në rreth 1 milion e 600 mijë vetë
Përfaqësues të disporës shqiptare shprehen të shqetësuar rreth fatit të votës të shtetasve me banim jashtë vendit. Kërkesave të tyre të vazhdueshme që kjo çështje të marrë zgjidhje përpara procesit të radhës zgjedhor, duket se politika në Shqipëri u ka dhënë pak shpresë. Një marrëveshje mbi reformën zgjedhore e arritur më 5 qershor, është vënë në pikëpyetje pas deklaratës së përfaqësuesve të opozitës parlamentare se nuk do ta votojnë atë, duke vendosur disa kushte që kjo të ndodhë. Marrëveshja nuk thotë asgjë rreth votës së emigrantëve. Por diaspora vazhdon të këmbëngul mbi këtë çështje, jo vetëm si një e drejtë të cilën ua garanton kushtetuta, por edhe për shkak të rëndësisë që diaspora ka për vendin, raporton Zëri i Amerikës.
Në samitin e diasporës në mars 2019, Kryeministri shqiptar Edi Rama, bëri një premtim:
“Çka unë ju siguroj është se për votën tuaj (të disaporës) të drejtën e votës tuaj, ka vetëm dy rrugë për ne: o do ta bëjmë, o do ta bëjmë!”.
Por që nga ai premtim ende nuk ka asnjë projekt të qartë dhe afat se kur dhe si do të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Kjo çështje madje nuk ishte as pjesë e diskutimeve në tryezën e Këshillit Politik mbi ndryshimin e kodit zgjedhor.
Të vetmit që e kanë kërkuar, duke e vendosur edhe si një nga kushtet për të votuar reformen e re zgjedhore, janë deputetët që përfaqësojnë opozitën parlamentare, përcjell albinfo.ch.
Mazhoranca socialiste thotë se nuk është tërhequr nga angazhimi i saj që emigratët të votojnë dhe se këtë çështje ia ka kaluar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gazmend Kapllani, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare (KKD) thotë se në Shqipëri, vazhdon të mungojë një dialog serioz mbi marrëdhëniet e vendit me diasporën.
“Sistemi politik në Shqipëri funksionon gjithnjë me alibi. Kam parë një intervistë të para katër a pesë vitesh të kryeministrit të tanishëm që thoshte se në zgjedhjet e tjera do votoni, do përgatisim regjistrin…ku janë regjistrat?! Mbaj mend kryetarin e opozitës së tanishme i cili në dhjetor kur u takua me KKD-në ishte shumë entuziast dhe përkrahës i votës së diasporës. Përse në bisedimet e tyre diaspora është lënë komplet jashtë? Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por si do bëhet anëtare e BE-se Shqipëria kur nuk njeh diçka që pothuajse të gjitha vendet e njohin? Kosova një shtet kaq i ri e ka kuptuar këtë. Duket që klasa politike në Shqipëri e ka të vështirë ta kuptojë këtë sepse është e lidhur, kam frikë, pas interesash jashtëzakonisht të ngushta”, thotë Gazmend Kapllani, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare.
Të njëjtin mendim ndan dhe kryetari i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” Florian Haçkaj, një lëvizje që ka lindur rishtazi në Zvicër, e që ka si objektiv afatshkurtër të saj krijimin e mundësive që diaspora të votojë. Zoti Haçkaj thotë se procesi duhet të nisë varësisht problematikës që paraqet pasi shumë çështje mund të marrin zgjidhje në vazhdim.
“Mendohet që në tre vitet e fundit ka një numër të frikshëm, rreth 400 mijë shtetasish shqiptarë, të cilët janë larguar nga vendi, disa me status azilanti e disa me status të paligjshëm dhe mund të jetë e vështirë që ata të kenë mundësi të votojnë. Por mendoj se ky është një proçes që duhet të nisë dikur, ka mbi 30 vite që premtohet dhe nuk ka nisur. Le të nisë edhe me këto problematika, e të përmirësohet në vazhdim. Kemi shembullin e Kosovës që është votuar dy herë në katër vite nga diaspora. Herën e parë ka pasur shumë manipulime dhe këtë vit kjo votë ishte ndër më të fortat që solli ndryshimin në Kosovë. Nëse ne presim që të piqen të gjitha kushtet do të jetë gjithmonë vonë dhe asnjëherë koha e duhur. Fakt është që 26 për qind e të ardhurave vijnë nga diaspora dhe nëse ne ndihmojnë ekonominë kemi të drejtë të ndryshojmë fatin apo ndikojmë në jetën politike të vendit, thotë Florian Haçkaj, kryetar i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.
Zoti Kapllani thotë se Shqipëria dhe dispora kanë nevojë ta shohin veten si një, varësisht se gjysma jeton jashtë atdheut.
“Diaspora jonë e tanishme mban një marrëdhënie shumë të ngushtë me atdheun, vendin amë. Ky është pikëtisht një motiv për shumë njerëz që të votojnë e të kenë të drejtën e tyre të votës. Lidhja më e madhe që mund të mbahet me atdheun përvec lidhjes shpirtërore është lidhja politike. Asaj çka ne duhet t’i japim përgjigje është se çfarë është atdheu? Ca i juaji dhe ca i yni?! Apo në mënyrë të ndryshme edhe pse ju jeni atje e ne këtu kemi një fat të përbashkët. Si e perceptojmë ne identitetin kombëtar sot? Llafe kafenesh….ti s’jeton këtu..pse kërkon të votosh? Apo e perceptojmë me vizion?! Ne jemi komb i vogël por ‘diasporak’. Nuk mund ta mohojmë se po të mos ekzistonte diaspora, mund të mos egzistonte as Shqipëria e pavarur dhe as Kosova e pavarur.
Sipas zotit Kapllani, Shqipërisë nuk i ka ardhur e keqja nga dëshira e njerëzve për të marrë pjesë në zgjedhje, por nga interesat e ngushta të politikës, të përjashtimit dhe izolimit, ku interesat e kryetarit të një partie marrin përparësi mbi ato të kombit.
“Unë sigurisht nuk mendoj që ne jemi “Rambot” apo se diaspora ka “Rambo” që do vijnë e çlirojnë Shqipërinë, por nga ana tjetër vota e diaporës mund të sjellë më shumë emancipim të shoqërisë e demokratizim. Të mos fshihemi pas gishtit të vogël, ne e dimë se çfarë ndodh në Shqipëri kur votohet ndaj dhe duan t’i mbajnë të mbyllura listat, sepse duan të kontrollojnë votuesit. Diaspora nuk voton për një vend pune në shtet por ka një lloj idealizmi. Diaspora dhe emigratët janë votues që nuk kontrollohen.
Këshilli Koordinues i Diasporës e ka bërë të qartë qëndrimin e tij mbi domosdoshmërinë që shqiptarët jashtë atdheut të votojnë edhe nëpërmjet një peticioni drejtuar të gjithë përfaqësuesve të politikës në Shqipëri. Nënshkruesit e peticionit kërkojmë që e drejta e votës të mundësohet dhe zbatohet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Neve nuk bëjmë magji. Peticioni nuk është magji që sa e thamë do bëhet, por nga ana tjetër kjo është diçka jashtëzakonisht serioze dhe sistemi politik në Shqipëri duhet të bëhet serioz dhe duhet ta marrë seriozisht diasporën e jo ta trajtojë në mënyrë folklorike. T’i kujtohet diaspora vetëm kur bien tërmete kur mblidhen ndihma apo kur ata udhëtojnë jashtë shtetit e duan dreka e darka apo që t’u mbyllen takime me eksponentë të ndryshëm të politikës. Ne nuk jemi kamarierët e klasës politike. Ne jemi qytetarë të vendeve ku jetojmë, por dhe të vendit nga vijmë pasi duam ta shohim atë të përparojë sepse meriton diçka shumë më të mirë sesa sot nga pikëpamja politike.
Sipas të dhënave të bëra publike në vitin 2019 nga Instituti shqiptar i Statistikave (INSTAT), numri i asaj që njihet si diaspora e re, pra atyre shqiptarëve që kanë emigruar pas viteve ‘90 përllogaritet në rreth 1 milion e 600 mijë vetë. INSTAT thotë se diaspora pësoi një rritje gjatë vitit 2019 me 3.6 për qind.
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane