Kosova

Vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve, Ministria e Jashtme i shqipton vërejtje kompanisë

Bëhet e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kohëve të fundit është përballur me vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve nëpër konsullatat e Kosovës nëpër Europë, përcjell albinfo.ch.

Problemi është shfaqur me kompaninë, e cila ka fituar tenderin për të kryer këtë shërbim, në ndërkohë MPJD i ka shqiptuar vërejtje asaj, duke e paralajmëruar edhe për shkëputje të kontratës.

MPJD nuk ka dhënë informata se që sa kohë është përballur me këtë problem, por ka bërë të ditur se menjëherë pas shfaqjes së problemit, është shqiptuar vërejtja për kompaninë e kontraktuar.

“Referuar pyetjeve tuaja, përkitazi me mosarritjen në kohë të postës diplomatike, respektivisht pasaportave të Kosovës në disa misione diplomatike jashtë vendit, nga operatori ekonomik për ofrimin e shërbimeve postare diplomatike, ju njoftojmë se menjëherë konform mundësive të parapara ligjore, MPJD i ka shqiptuar vërejtje operatorit ekonomik si dhe duke e paralajmëruar se mosrespektimi i afateve, pason me masa të parapara me ligj, deri në shkëputje të kontratës”, thuhet në përgjigje.

MPJD ka thënë se do të evitojë çdo vonesë të tillë, sidomos tash në kohën kur mërgimtarët kanë planfiikuar pushimet e tyre.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon shtetasit e Republikës së Kosovës në mërgatë se do të evitojë çdo vonesë të tillë, aq me tepër në një kohë kur ata kanë planifikuar pushimet e tyre verore”.

Kompania që ka fituar tenderin është “A.L.Dushi”. KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me pronaren e kësaj kompanie Xhylizare Selimi – Dushi, për të kuptuar për arsyet e vonesave të transportit të pasaportave, por ajo ka kërkuar që pyetjet t’i adresohen me shkrim.

Dy ditë pas dërgimit të pyetjeve me shkrim, Selimi – Dushi, më 12.07.2024 përmes telefonit ka thënë se nuk mund të ofrojë përgjigje pa marrë miratimin e menaxhmentit.

“Nuk ke marrë përgjigje sepse nuk po mundem me të dhënë kurrfarë përgjigje pa e marrë një konfirmim prej menaxhmentit. Me që unë kam pozitën e përfaqësueses së autorizuar të kompanisë, nuk mundem me të dhënë përgjigje pa ma jap dritën e gjelbërt ata”, ka thënë ajo përmes telefonit.

Kontrata në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe kompanisë “A.L. Dushi” është nënshkruar më 14.06.2024 dhe vlen për 36 muaj. Vlera e parashikuar e kontratës është 250 mijë euro, ndërsa kontratë kornizë – me çmim për njësi.

Sipas kontratës së nënshkruar, kompania për në Evropë ka afat që të dorëzojë dërgesën nga 24 deri në 48 orë, nga marrja e saj.

Ndërsa për në SHBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë afati për dorëzimin e dërgesës nga marrja e saj është 36 deri në 72 orë.