Kosova

Von der Leyen të mërkurën nis turneun në vendet e rajonit, të shtunën në Kosovë

Me vizitë në Tiranë të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nis një turne në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij turneu ajo të shtunën, më 25 tetor do të qëndrojë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti,

Von der Leyen ishte rizgjedhur në postin e presidentes së Komisionit Evropian për një mandat të ri pesëvjeçar deri në fund të vitit 2029 ndërsa tashmë i ka emëruar edhe kandidatët për anëtarë të ekipit të sajë të ri. Ajo për të dëshmuar se e ka procesin e zgjerimit ndër prioritetet e saj ka caktuar një komisionere e cila do të merret vetëm me zgjerimin. Nëse do të marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian, Komisionere e zgjerimit do të jetë Marta Kos nga Sllovenia.

Burimet nga Komisioni Evropian kanë thënë se Vion der Leyen gjatë vizitës në rajon do të fokusohet më së shumti në procesin e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe ndihmën që BE-ja vazhdon t’u ofrojë vendeve të rajonit për të arritur progres në këto fusha.

Vetëm disa ditë pas vizitës së Von der Leyen, më saktësisht në mbledhjen e Kolegjit më 30 tetor, Komisioni Evropian do të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces. Këto raporte do të tregojnë se sa kanë avancuar vendet e rajonit në përmbushjen e obligimeve nga procesi i integrimit në BE.

Von der Leyen gjatë qëndrimit në rajon do të flasë në veçanti për Planin e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh asistencën financiare prej 6 miliardë eurosh për këto vende. BE-ja tashmë i ka miratuar agjendat e reformave për pesë nga gjashtë vendet e rajonit. Të gjitha përveç Bosnjë-Hercegovinës tashmë i kanë të pranuara këto dokumente dhe sapo t’i kryejnë procedurat e brendshme do të mund të kenë edhe pagesat e para nga ky plan i BE-së. Kosova nga ky plan pritet të përfitojë rreth 820 milionë euro.

Presidentja e Komisionit Evropian do t’i nisë vizitat në rajon me qëndrim në Tiranë më 23 tetor. Atje pos takimeve me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të qendrës studentore të Kolegjit Evropian në Tiranë. Pastaj nga Tirana më 24 tetor Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Të premten me 25 tetor nga Sarajeva, presidentja e Komisionit Evropian do të shkojë në Beograd ku do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e këtij vendi.  

Vizitën në rajon do ta përfundojë me takimin me presidentin dhe me kryeministrin e Malit të Zi po të shtunën, më 26 tetor në Podgoricë.  Me këtë vizitë në të gjashtë shtetet e rajonit, në fund të mandatit të vjetër dhe para nisjes së mandatit të ri, Von der Leyen dëshiron të dërgojë mesazhin se e sheh zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor si prioritet edhe në mandatin e ri.