Lajme

Von Cramon: Shumica e BE-së dhe SHBA, njohjen reciproke Kosovë-Serbi e shohin si zgjidhjen të vetme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Crammon, ka thënë sot se nuk e di se si do të mund të duhej një marrëveshje kompromisi në dialogun Kosovë-Serbi, kur, siç tha ajo, shumica e shteteve në BE, por edhe SHBA-ja, njohjen mes dy vendeve e shohin si zgjidhjen e vetme.

E pyetur nga agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” se me insistimin për njohje reciproke a ka ndonjë mundësi të zgjidhjes së kompromisit, ajo tha se shumica e shteteve të BE-së kërkojnë njohje reciproke, sepse pa të, siç u shpreh ajo, nuk ka të ardhme.

“Nuk besoj se kancelarja gjermane ka folur ndryshe, e as presidenti amerikan Joe Biden. Për këtë çështje thuajse nuk ka dallime mes shteteve. Ka disa shtete të caktuara që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe ato duan sukses në dialog”, theksoi ajo, raporton “Tanjug”-u.

Von Cramon tha se nga bisedat që ka zhvilluar me kolegët e saj (eurodeputetë) spanjollë, e di se Spanja është e gatshme ta pranojë pavarësinë nëse këtë e bën Beogradi.

Ajo thotë se ka shpresë se do të mund të arrihet kjo.

E pyetur ndërkaq nëse e konsideron veten lobuese për Kosovën, ajo tha se “natyrisht që po”.

“Jam lobuese, por jo e paguar. Jam lobuese e interesave të qytetarëve të Kosovës. Punoj për çështjen e Kosovës, por shkoj edhe në Kosovë për të kërkuar që ata të zbatojnë reformat”, shpjegoi ajo.

Raportuesi nën hije, Lukas Mandl, nuk e fshehu faktin se i pëlqen qartësia me të cilën, thotë ai, iu tha presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga presidenti amerikan Joe Biden, se angazhohet për njohje reciproke dhe për integrim evropian të Serbisë dhe Kosovës.

Ai konsideron se njohja reciproke është në të mirë të qytetarëve të Serbisë, duke shtuar se raportuesit për Kosovën nuk mendojnë vetëm për qytetarët në Kosovë, por edhe për ata në Serbi.

Po ashtu, ai tha se njohja e Kosovës nga Izraeli “është edhe një tregues jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për pesë shtetet e BE-së (Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë, Qipron dhe Spanjën) që nuk e kanë bërë këtë ende”.

Raportuesja Von Cramon tha po ashtu se qeveria e re në Kosovë duhet t’i kthehet agjendës së reformave, siç ka premtuar para qytetarëve, por shtoi se njëkohësisht nuk duhet ta neglizhojë dialogun me konstatimin se vetëm me një marrëveshje me Beogradin është e mundshme hapja e perspektivës evropiane për të dy vendet.

Megjithatë, ajo konstatoi se BE-ja ka humbur besimin në Kosovë, e cila pret për tri vjet, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet, liberalizimin e vizave.

Von Cramon tha po ashtu se fillimi i dialogut me Kosovën duhet të bëhet në ndonjë mënyrë që t’i shpaguhet Kosovës, dhe kjo, sipas saj, është e vështirë nëse nuk është realizuar premtimi për liberalizim të vizave. Tha se shtetet anëtare të BE-së duhet ta pranojnë rëndësinë gjeopolitike të Kosovës.

Ajo tha po pret nga administrata e re amerikane që ta emërojë një të dërguar special për Ballkanin.