Futboll

Vogëlushi shqiptar vëzhgohet nga klubi i Real Madridit

Quhet Olghe Balliu, është 13 vjeç me origjinë shqiptare dhe ka bërë për vete një klub legjendar si Reali i Madridit. Orët e fundit në internet ka filluar të qarkullojë e të bëjë xhiron e botës një video e vogëlushit shqiptar teksa bën 198 xhonglime me një top tenisi, madje kanë filluar ta quajnë Lionel Messi i ri.

‘Messi kishte bërë 180 xhonglime”,tregon babai i vogëlushit Lulzim Balliu që filmoi arritjen e të birit që aktualisht është te Cittadella. 

Tashmë mbi të i ka hedhur sytë pikërisht Reali i Madridit që po e vëzhgon me vëmendje atë, duke ditur se nuk mund ta marrë në radhët e tij përpara moshës 16-vjeçare.

Olghe 1.45 m i gjatë, u përzgjodh nga Reali i Madridit për ta pasur në akademinë e tij, gjatë zhvillimit të një turneu në Itali. ‘Olghe e ka trashëguar pasionin për futbollin nga bashkëshorti im, tregon për Ansën nëna e 13-vjeçarit, Mimoza Balliu, që i vogël ishte me topin në këmbë dhe kur ishte 5 vjeç bëri 100 xhonglime, shkruan tch, përcjell albinfo.ch.

Idhulli i tij është Messi, ka të njëjtin fizik, e sheh veten te ai. Cristiano Ronaldo është shumë ndryshe, edhe pse Olghe është tifoz i Juventusit.

Për sa i përket provës me Realin e Madridit, Mimoza tregohet e kujdesshme, teksa deklaron se ka shumë entuziazëm, por shton se duhet parë nëse ka të ardhme apo jo.