Lajme

VMRO dhe BDI fituan zgjedhjet në Maqedoni

Në bazë të rezultateve preliminare VMRO DPMNE dhe BDI fituan në zgjedhjet e djeshme në Maqedoni. President u zgjodh Gjorgje Ivanov nga partia fituese

Procesi i numërimit të votave në Maqedoni ka përfunduar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa sipas rezultateve preliminare, partia e Nikola Gruevskit, VMRO DPMNE është e para me 42 për qind, pasuar nga LSDM me 24 për qind. Ndërsa nga tabori shqiptar ka fituar BDI e Ali Ahmetit me 13.4 për qind.

 

Në bazë të rezultateve që ka nxjerr deritanishme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), VMRO DPMNE ka 42.13 për qind, LDSM 24,88 për qind; BDI 13.46 për qind;  PDSH 5,82 për qind; DM 0,83 për qind; RDK 1,56 për qind; GROM  2,72 për qind dhe partitë tjera që kanë mbetur në 1 për qind.

 

Këto ishin zgjedhjet e pesta parlamentare në Maqedoni prej që ky shtete është pavarësuar nga ish Jugosllavia. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentar ishte 63 për qind, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, procesin e ka vlerësuar të suksesshëm, pa ndonjë incident të theksuar.   

 

Ndërsa president i Maqedonisë u zgjodh kandidati i VMRO-DPMNE, Gjorgje Ivanov. Pjesëmarrja në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale ka qenë 54,4 për qind, ndërsa Ivanov mori shumicën e votave kundrejt kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski.

Qytetarët shqiptarë edhe kësaj here bojkotuan votimin për president.

 

Mirëpo, ende pa përfunduar procesi i numërimit dy liderët e partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së, shpallen fitore dhe u shprehen të gatshëm për pjesëmarrje në qeverisjen e re.

 

Ahmeti tha se BDI ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj që nga formimi si subjekt politik i dal pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.

 

“BDI ka fituar në këto zgjedhje mbi 150 mijë vota dhe se konkurrenti ynë është nën 50 mijë vota. Kjo është fitore historike që i dedikohet kombit shqiptar në Maqedoni, ndërsa merita i takon çdo votuesi të BDI-së. Vendi duhet të ecë para dhe të jetë sa më shpejt pjesë e NATO dhe BE”, tha Ahmeti.

 

Sipas tij, sipas analizave dhe rezultateve të përpunuara nga ekspertët partiak, BDI mund të ketë fituar  19 ose 20 mandate.

 

Ndërkaq, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një konferencë me gazetarët ka theksuar se njeh pjesërisht zgjedhjet parlamentare, dhe se tha se nuk pranon sidomos rezultatin e BDI. “BDI mos festoj kot se nuk kam ndërmend t’ua pranoj rezultatin. Rezultat i cili vazhdon ti ngjajë Koresë Veriore”, theksoi Thaçi.

 

Lideri i PDSH-së, sërish ka theksuar se PDSH do të vazhdojë bisedimet për hyrje në Qeveri dhe se sipas tij PDSH ka fituar 8 – 9 deputetë.

 

Mirëpo, disa nga partitë politike menjëherë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatin dhe procesin e zgjedhjeve. Përveç LSDM-së e cila kërkon zgjedhje të reja, edhe Rilindja Demokratike Kombëtar (RDK) bëri të ditur se nuk njeh zgjedhjet dhe se për të votimet e së dielës janë të papranueshme.

 

“Jam këtu të konfirmoj se në një situatë të jashtëzakonshme sikur kjo e sotme. Për RDK tërë procesi zgjedhor fushata dhe së fundi dita e votimit janë në tërësi të papranueshme|, deklaroi Rufi Osmani kryetari i RDK-së. Sipas tij, bëhet fjalë për një masakër të paparë zgjedhor.

 

“Kjo situatë u shoqërua me një monopol të jashtëzakonshëm të medieve, kërcënime të qytetarëve dhe sonte kemi epilogun final të një fitoreje të Pirros nga VMRO DPMNE dhe BDI”, deklaroi Osmani.