Integrimi

Vlora Makolli përfaqëson rininë suedeze në Kombet e Bashkuara

Që nga mosha 17 vjeçare, Vlora ka qenë aktive në çështjet e barazisë gjinore dhe të rinisë

Vlora Makolli është shqiptarja që përfaqëson rininë suedeze në Kombet e Bashkuara.

24 vjeçarja është e njohur në qytetin e Malmos për punën që bën mbi ndërgjegjësimin dhe rritjen e ndikimit të të rinjve në zhvillimin urban, shkruan albinfo.ch.

Që nga mosha 17 vjeçare, Vlora ka qenë aktive në çështjet e barazisë gjinore dhe të rinisë. Ajo ndër të tjera, ka angazhuar dialog me banorët dhe të rinjtë në projekte të ndryshme të zhvillimit urban në Malmö, me qëllim që të krijojë vende, ku gjithkush ndihet i mirëpritur dhe i sigurt, pavarësisht nga mosha dhe gjinia, përcjell tutje albinfo.ch.

Vlora mban një diplomë bachelor në shkencat politike dhe tani po studion programin e ligjeve në Universitetin e Lundit.

Si një anëtare aktive e LSU (Organizatat Rinore të Suedisë), Vlora është zgjedhur për të shkuar me delegacionin e qeverisë suedeze në Forumin Politik të Nivelit të Lartë të OKB-së në Nju Jork.