Integrimi

Vlerësohet guximi qytetar i shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve

"Shikuar nga perspektiva izraelite, ka rëndësi të dihet se ka pasur edhe myslimanë që u kanë dalë në mbrojtje në kohën më të vështirë. Dhe këta janë shiptarët myslimanë"

Të shtunën që shkoi, në Ambasadën e Kosovës në Bernë është mbajtur një tubim informativ lidhur me përgatitjen e ekspozitës që i kushtohet mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët. Me këtë rast albinfo.ch ka marrë qëndrimet znj. Esther Hörnlimann e atashe për kulturë dhe shtyp në Ambasadën e Izraelit në Bernë, dhe ambasadorit të Kosovës, z. Naim Malaj, lidhur me pritjet që kanë ata nga komuniteti shqiptar rreth ekspozitës.

Hörnlimann pret që shqiptarët të jenë partnerë në secilin qytet ku organizohet ekspozita. Ajo do të organizohet në dhjetë qytete të Zvicrës. “Shpresojmë që nga shqiptarët të kemi edhe mbështetje financiare dhe jo vetëm nga fondacionet e ndryshme etj. Sepse ne konsiderojmë se projekti shkon në të mirë të imazhit të shqiptarëve këtu, thotë Hornlimann.

Përmirësimi i këtij imazhi është njëri ndër preokupimet tona me rastin e realizimit të këtij projekti. Por, sqaron ajo, sigurisht, përkujtimi i holokaustit është tema qendrore. “Ndërsa në këtë rast është nën fokus sidomos guximi qytetar që kanë treguar shqiptarët gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar hebrenjtë”.

E pyetur për theksimin që në këtë projekt i bëhet përkatësisë islame të shqiptarëve që kanë shpëtuar hebrenjtë, Hörnlimann thotë: “Duhet ditur se Yad Vashem i kujton dhe i nderon si “të drejtët e popujve” (shpëtimtarët) ata që kanë shpëtuar bashkëkombësit tanë atëbotë. Dhe shikuar nga perspektiva izraelite ka shumë rëndësi të dihet se ka pasur edhe myslimanë që u kanë dalë në mbrojtje në kohën më të vështirë. Ne e dimë se ka pasur edhe shqiptarë të krishterë në mesin e tyre por ajo që është karakteristike është se shqiptarët e besimit mysliman janë pothuaj të vetmit myslimanë si komunitet më i gjerë që ka ndihmuar. Nga nacionalitetet tjera ka vetëm individë të veçuar që e kanë bërë këtë”, ka përfunduar Esther Hörnlimann.

Pyetjes së albinfo.ch rreth rolit që ka komuniteti shqiptar në projektin e ekspozitës “Besa shqiptare”, ambasadori Naim Malaj i është përgjigjur se ajo duhet mbështetur pasi që shkon në favor të imazhit të shqiptarëve këtu.

Duke qenë se ne shqiptarët nga Kosova këtu jemi komuniteti më i madh shqiptar, barra më e madhe do të bijë mbi ne. Është mirë që shqiptarët në qytetet ku mbahet ekspozita, të bëhen partnerë të saj. Aspekti tjetër është se të rinjtë fare pak dinë për Luftën e Dytë Botërore dhe për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Shqiptarët në Zvicër njihen si refugjatë, por, në një kohë tjetër ata kanë ndihmuar izraelitët”, ka thënë Malaj.

Edhe gazeta prestigjioze zvicerane “Neuer Zürcher Zeitung” (NZZ)  ka pasqyruar nüe faqet e saj aktivitetin e mbajtur në Ambasadën e Kosovës. Nën titullin “Izraeli nderon guximin e popullit shqiptar”, gazeta përkujton qëndrimin e shqiptarëve kundrejt hebrenjve në atë kohë.

“Ekspozita që do të paraqitet në disa qytete të Zvicrës në vitin 2014, mban titullin “Besa”. Ajo tregon shumë portrete të shqiptarëve myslimanë të cilët kanë fshehur dhe ruajtur hebrenjtë në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne duam të tregojmë faktin që është pak i njohur dhe cili përkujton se si shqiptarët myslimanë kanë shpëtuar hebrenjtë”, ka thënë Esther Hörnlimann e Ambasadës së Izraelit në Bernë. Izraeli e ka shprehur falënderimin e tij gjatë luftës në Bosnjë dhe asaj në Kosovë, duke shpëtuar jetën e 300 refugjatëve shqiptarë.

“Ambasada e Kosovës, ajo e Shqipërise dhe ajo e Izraelit, po punojnë ngushtë së bashku për këtë ekspozitë”, thotë Ambasadori i Kosovës Naim Malaj. “Besa” është një segment brenda Kanunit, një e drejtë zakonore, e cila nuk  ka vetëm aspekt negativ siç është hakmarja, por ajo ka dhe detyron edhe mikpritjen. Në këtë aspekt “Besa” thotë që shtëpia nuk i takon vetëm pronarit, por edhe mikut, përfundon NZZ.

Platforma Albinfo.ch e përkrah fuqimisht këtë projekt. Që nga takimet gjatë muajit korrik, nga ana e drejtorisë së albinfo.ch me përgjegjësit e kësaj ekspozite, iu është shprehur mbështetja e gjithanshme dhe e parezervë,në realizimin e kësaj ideje si partner.”