Kosova

Vjosa Osmani tregon përse e ka larguar fotografinë e presidentit

Ajo tha se i njeh ligjet, por se Ibrahim Rugova është ai që e inspiron.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas vizitës në Repartin e Neonatologjisë, ka komentuar para mediave pse e ka hequr nga zyra fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani ka thënë se ka arsye për këtë, e që sipas ligjit shton se fotografia e presidentit është në Kuvend. Kryeparlamentarja ka deklaruar se do të mbajë në zyrë një person që e inspiron.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njoh ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin, fotografia e presidentit është në Kuvend. Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.

Në shoqërimin e drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovcit, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar stafin e kësaj klinike për punën.

“I falënderoj doktorët për punën e jashtëzakonshme që e bëjnë. Si kryetare e Kuvendit, vizitën time të parë e kamë nisur me simbolikë aty ku fillon jeta. Dhe, të tregoj që ne si Kuvend i Republikës së Kosovës do ta bëjmë të pamundurën që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ky shtet do të bëhet kur ne e vendosim si prioritet jetën e foshnjave’, ka deklaruar Osmani.

Ndërkohë, drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka falënderuar Osmanin për vizitën.

‘Ishte kënaqësi sot që ta kemi në vizitë kryetaren e Kuvendit. Ajo ka ardhur aty ku fillon jeta. I falënderohem përzemërsisht’, ka thënë ai.