Lajme

Vjenë: Në prill mbahet panairi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri

Në takim u diskutua për projektet e ardhshme sikurse Panairi i Rrjetit, që mbahet gjatë muajit prill, Konferenca Ekonomike në maj

Pas lirimit të masave në Austri, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare ka filluar menjëherë me përgatitjet e aktiviteteve të tij.

Të shtunën, më 5 mars, kryesia e Rrjetit mbajti takimin e radhës në zyrën e Rrjetit në Austrinë e Epërme.

Në takim u diskutua për projektet e ardhshme, sikurse Panairi i Rrjetit, që mbahet gjatë muajit prill, Konferenca Ekonomike në maj etj., njofton faqja rrjeti.at, përcjell albinfo.at.

“Panairi i Rrjetit është aktivitet i përvitshëm, ku punën e tyre e prezantojnë bizneset shqiptare në Austri, mirëpo aty marrin pjesë edhe biznese nga Kosova”, thuhet në njoftim. Për shkak të pandemisë panairi është anuluar vitin e kaluar. “Ndërsa Konferenca Ekonomike në Prishtinë është njëra ndër aktivitetet më të mëdha të organizatave të diasporës. Mbahet që nga themelimi i Rrjetit, dhe në ato aktivitete marrin pjesë qindra afaristë”, transmeton albinfo.at.

Edhe pse ishte kohë pandemie, ky aktivitet është mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë, sigurisht duke u respektuar masat e parapara në atë kohë.