Lajme
Vjenë: Larmia e festës së mësuesit

Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe në Vjenë u takuan me shkrimtarët shqiptarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, z.Anton Marku dhe znj. Violeta Allmuça. Pse çuditërisht këta nxënës e pëlqyen veçmas këtë aktivitet? A thua edhe pse shumë prej tyre kanë lindur në Austri u gjendën të befasuar nga takimi me krijuesit, apo sepse ishin përballë njerëzve të letrave, me të cilët ndodhte për herë të parë të festonin së bashku një festë dedikuar mësuesëve, por edhe nxënësve! Me siguri ata fëmijë ia shtuan më shumë madhështinë festës.
Mësuesja e gjuhës shqipe, Miradije Berisha, zgjodhi në fakt të bënte diçka krejt ndryshe, që nëpërmjet letërsisë, të jepte një mesazh. Edhe pse jetoni në mërgim: Mësoni të flisni dhe të shkruani shqip!
Nëpërmjet këtij projekti nxënësit në diasporë komunikuan drejtpërdrejt me librin shqip, me gjuhën amtare, me vepra letrare shqipe, shkruar në gjuhën më të bukur në botë, ku spikati larmia e vargjeve, forma dhe tematika e larmishme.
Ja pse ata nxënës e ndien veten krenarë. Ja pse ata fëmijë që kanë mësuar alfabetin e gjuhës së të parëve tanë dhe prindërve të tyre, bënë që shkrimtarët e ftuar të përshtatën me atmosferën e krijuar nga ata fëmijë të çiltër. Ja pse edhe autorët u kthyen vite pas të hynin në botën e tyre, ja që e vlerësuan zërin e miqësinë e tyre, pyetjet dhe paqen fëmijërore. Ata ishin vargjet e festës, emri i tyre ishte në çdo varg, ishin lulet e jetës, frymëzimi poetik. Ishin shqiptarët e ardhshëm, shqiponjat, sfidat dhe dashuria. Ata ishin gjithçka. Ata ishin vetë poetët e rinj që mund të shkruajnë nesër, që mund të këndonin për atdheun e për lirinë. Ata duartrokitën më shumë se të rriturit poezitë e shkruara enkas për ta nga shkrimtarët e ftuar, dhe iu bënë shumë përshtypje vargjet për Kosovën e Shqipërinë. Në çdo varg ishte emri i tyre. Ne folëm për Skënderbeun, për Nënën e të gjithë botës, Shën Terezën, për Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, Tiranën e Prishtinën, Korçën, Vlorën, Drenicën e Dukagjinin, për Kadarenë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“, romanin “Kështjella“ dhe autorët e letërsisë për fëmijë Odise Grillon, Shpresa Vreton, Gaqo Bushakën, Rifat Kukajn, etj. Nxënësit i mirëpritën fjalët artistike me kënaqësi. Dhe nuk ka gëzim më të madh kur je mes nxënësve të fillores, ku mëngjesi dhe dita vishen me shkronjat shqipe, ku Arbëri thotë se i ka pëlqyer shumë ai takim me shkrimtarët, ku Anila thotë se ishte një orë shembullore, Enesi thotë se ishte shumë i gëzuar, dhe Vjosa thotë se, sot, ky aktivitet ka qenë më i miri. Fëmijët u ndien shumë të kënaqur, thekson mësuesja Miradije Berisha, e cila i jep dritë mësimit të gjuhës shqipe në Vjenë. Ne gjuhën e bukur shqipe, brez pas brezi e kemi amanet!
Violeta Allmuça, shkrimtare
E-Diaspora
-
Udhëheqësja e Konsullatës së Kosovës viziton ansamblin “Gëzuar” në Gjenevë Udhëheqësja e Konsullatës së Republikës së Kosovës Gjenevë ka realizuar një vizitë të veçantë pranë ansamblit...
-
Numri i lartë i shkollave shqipe dhe nxënësve në Gjermani
-
Vazhdon mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Gjermani
-
Studentët shqiptarë të Universitetit të Muzikës në Vjenë mirëpriten nga Fate Velaj
-
Leonard Ferati reagon ndaj debatit për votimin komunitar: “Është demokraci lokale, jo sistem i organizuar”
Jeta në Zvicër
-
A i japin shtysë tarifat e SHBA traktateve të BE-së? Ndërsa SHBA-ja vazhdon të vendosë tarifa të larta ndaj produkteve të huaja, Zvicra po ndien gjithnjë...
-
Zvicër: Vaksinat anti-Covid në vlerë milionëshe përfunduan pa u përdorur
-
Valais kampion i raclette, rekord botëror me gati 5,000 pjesëmarrës
-
Nivel i ulët i ujit në liqenet zvicerane, ja cilat janë arsyet
-
Mbetjet e ujqërve të vrarë do të ruhen për të studiuar evolucionin e tyre