Shqipëria

Vjen nga Gjermania, i organizohet pritë nga tetë persona

Mësohet se i plagosuri sapo ishte kthyer nga Gjermania ku jetonte prej vitesh

Një 39-vjeçar nga Korça është plagosur me armë zjarri nga disa persona, të cilët i kishin zënë pritë në aksin nacional Korçë-Ersekë.

Sipas të dhënave të para, tetë persona i kanë zënë rrugën dhe kanë qëlluar me armë ndaj 39-vjeçarit Mina Zoja, një person me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, raporton “TCH”.

Mësohet se i plagosuri sapo ishte kthyer nga Gjermania ku jetonte prej vitesh, ndërkohë që ende nuk dihet motivi i ngjarjes, pasi edhe vetë i dëmtuari ka qenë i rezervuar në dhënien e informacioneve dhe bashkëpunimin me policinë, përcjell albinfo.ch.

Mësohet se fillimisht ka patur përleshje midis 39-vjeçarit dhe tetë personave të tjerë, të cilët e kanë goditur me sende të forta dhe janë larguar me shpejtësi.

Më pas, agresorët janë kthyer dhe duke përfituar nga errësira në zonë e kanë qëlluar me armë edhe pse përgjatë rrugës ka banesa. Dyshimet e para janë se ngjarja mund të ketë lidhje me një konflikt të vjetër. 39-vjeçari ka marrë një plumb në këmbë dhe është transportuar në spital, ndërkohë që një orë pas ngjarjes është nisur drejt kryeqytetit për mjekim më të specializuar.