Zhvillim

“Vjedh” idetë në Zvicër, investon në Kosovë

Avdullah Krasniqi, pas 25 vjet qëndrimi në Zvicër, është kthyer në Kosovë për të zhvilluar një biznes të vogël në një fshatë të malësisë së Suharekës. Ai thotë se për punëtorin ka punë kudo

Derisa një numër i madh i kosovarëve kanë ikur drejt vendeve të Bashkimit Evropian për të kërkuar një jetë më të mirë në perëndim, është një kosovar që ka vepruar ndryshe. Ai, pas 25 vjet qëndrimi në Zvicër është kthyer në Kosovë, për të zhvilluar një biznes të vogël në një fshatë të malësisë së Suharekës.

Për shumëkënd, ndoshta vendimi që kishte marrë tri vjet më parë Avdullah Krasniqit për t’u kthyer në Maqitevë, në një fshat në lartësinë mbidetare 1000 metra, ka qenë i ngutshëm, por për vet Krasniqin vendimi ka qenë i drejtë. Përveç një shume të konsiderueshme të mjeteve të kursyer, Avdullahu nga Zvicra kishte sjellë në Kosovë diçka tjetër: “kulturën helvetike të punës”.

Maçitava është një fshat i vogël në malësinë e Suharekës. Rruga nga Mushtishti deri atje ishte si një labirint që i ngjante fshatrave të kantonit Turgau të Zvicrës. Shumica e banorëve merren me blegtori dhe bletari, ndërsa Avdullahu që posedonte dikur lejen e përhershme zvicerane (C), ka hapur një ferme të pulave me prodhime-Bio me emrin “Alpa”.

Krasniqi mban 1200 pula në ambient të hapur

Albinfo.Ch ishte atje për të parë nga afër punën që bën kosovari, i cili dikur ishte shpërblyer në Zvicër si punëtor i dalluar, por edhe korrekt, sidomos kur kishte gjetur një sasi të konsiderueshme të parave dhe i kishte kthyer tek autoritetet zvicerane. Ai, posedon rreth 1200 pula që ushqehen në ambient të hapur, ndërsa gjithçka që e rrethon objektin, është natyrale dhe e rregulluar sipas kulturës zvicerane.

Në 12 vjetët e fundit të qëndrimit në Zvicër, Avdullahu kishte punuar në një fermë me prodhime “Bio”, tek profesori Gerhard Kasep në Cyrih. Nga ky i fundit kishte “vjedhur” idetë se si zhvillohet një bio-fermë. Po ashtu, duke parë se qytetarët gjithnjë e më shumë po i kërkojnë prodhime pa stimulues artificial, ai kishte vendosur që biznesin ta zhvilloj në malësi, aty ku gjithçka është natyrale.

“Me pas mundësi, në secilin fshat e kisha kthyer nga një bashkatdhetar nga Zvicra. Sepse nga atje sjell vlerat e kulturës dhe të punës helvetike”, tha Krasniqi, i cili në punëtorinë e tij, përveç që shumicën e veglave i kishte sjellë nga atje, edhe orenditë ishin rregulluar “sipas një mjeshtri zviceran”.

“Për punëtorin është lehtë me jetu kudo që je”, thotë Krasniqi, ferma e të cilit është bërë objekt studimi edhe për disa studentë të Universitetit të Prishtinës. Fermën me prodhime bio, Avdullahu e kishte kthyer në punëtori familjare. Aty punon katër anëtarë të familjes ë tij.

Lunaçek “poshtëroi” kosovarët

“Me një subvencion nga shteti, kam mundësi të krijoj vende të reja pune, të paktën për 20 punëtorë”, thotë Krasniqi, i cili deri më tani kishte marrë një ndihmë nga organizata austriake ADA në vlerë 12 mijë euro. Ndërsa autoritet kosovare nuk iu kanë gjendur pranë këtij afaristi.

Disa ditë para se albinfo.Ch ta vizitojë Maqitevën, në shtëpinë dhe fermën e Krasniqit ka qëndruar nënkryetarja e Parlamentit të Evropës, Ulrike Lunaçek. Europarlamentarja ishte shprehur e kënaqur me punën që kishte bërë kosovari i kthyer nga Zvicra. Ajo e mori si shembull për të mirë, “se edhe në Kosovë ka vlerë për ata që duan punën”.

Po ashtu punëtoria e Krasniqit është vizituar disa herë edhe nga ambasadori norvegjez në Kosovë, nga rektori i Universitetit të Prizrenit dhe personalitete tjera ndërkombëtare.

Por, ajo që është zhgënjyese, në këtë lokalitet nuk e ka vënë këmbën asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Bujqësi, as ata të Ministrisë së Bujqësisë e madje edhe më keq, as përfaqësuesit e Komunës së Suharekës, të cilët vjelin taksat e kësaj afaristi.

Krasniqi garanton për prodhimin “Bio”

“Jam shumë i rregullt në pagesën e taksave. Madje ndihem shumë krenar që kam mundësi të paguaj edhe taksa për shtetin”, tha Krasniqi, i cili po ashtu shprehu zhgënjim me tregun jo lojal të shitjes.

Vezët e fermës “Alpa” shiten gjithandej Kosovës. Një pako me dhjetë kokrra shitet për 2 euro. Ndërsa në tregun kosovarë ka edhe vezë që vijnë nga Turqia që e kanë çmimin tri herë më shtrenjtë, 6 euro. Por, siç tha Krasniqi, ka edhe vezë të tjera që shiten për bio, ndërsa janë prodhime nga “pulat e mbyllura”.

Gjatë periudhës sa ekipi i Albinfo.Ch ishte në punëtorinë e Krasniqit, ai demontoi nëpërmjet një makine madhësinë e vezëve të fermës “Alpa”. Të gjitha dolën dukshëm më të mëdha se sa ato që importoheshin nga jashtë.

“Unë garantoj për cilësinë. Këtu gjithçka është natyrale, madje as pemët asnjëherë nuk i spërkatim me preparate”, tha Krasniqi, duke treguar se jo larg fermës së tij, vëllai tjetër Halili, merret me beltari që ka dhjetëra soj bletësh.

“Edhe ushqimi i pulave është krejt natyral”, tha ai, i cili përveç vezëve merret edhe shitjen e mishit të pulave. “Kemi pula vetëm për mish, por jo në sasinë sa kërkohet. Disa nga zogjtë deri në 3 kilogram i sheshim. Prandaj me një subvencion të vogël do ta rritim edhe këtë prodhimtari”, tha në fund Krasniqi.