Kosova
Vizitë studimore në Kosovë, në prag të 60-vjetorit të FABIA-s nga Lucerni
Në prag të gjashtëdhjetëvjetorit, FABIA ka organizuar një vizite studimore në Kosovë. Në program ka përfshirë vizita në shkolla, në institucione kulturore etj.
Në organizim të Qendrës Kompetente për Migracionin FABIA nga Lucerni i Zvicrës, me udhëheqës Hamit Zeqirin, prej 14 – 21 maj 2022, në Kosovë qëndroi një grup punonjësish arsimorë dhe socialë nga Zvicra për një vizitë njëjavore studimore.
FABIA është një qendër e kompetencës për migracion në rajonin e Lucernit, dhe është e përkushtuar për solidaritet ndërmjet emigrantëve dhe vendësve në Zvicër, shkruan albinfo.ch.
Kjo qendër, e cila më 2 qershor 2022 kremton 60-vjetorin e themelimit, punën e vet e sheh si kontribut për promovimin e një shoqërie të barabartë dhe të hapur me mbështetje reciproke. Ajo ofron këshilla, edukim dhe rrjetëzim të individëve privatë si dhe specialistëve, grupeve dhe institucioneve e organizatave publike dhe private.
Pikërisht në këtë kuadër, në vigjilje të kremtimit të gjashtëdhjetëvjetorit, FABIA ka ndërmarrë organizimin e një vizite studimore në Kosovë, ku në program ka përfshirë vizita në shkolla, në institucione kulturore e fetare, si dhe institucione tjera të Kosovës, përfshirë këtu edhe shijimin e bukurive natyrore si dhe mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës.
Kosova, si një vend i vogël, por me trashëgimi të pasur kulturore, gjithnjë e më tepër po i tërheq vizitorët e vendeve të ndryshme të botës.
Pjesëmarrësit e kësaj vizite studimore, shumica prej të cilëve janë punëtorë arsimorë, gjatë kësaj jave janë shoqëruar nëpër Kosovë nga gazetari, Xhevdet Kallaba.
Vizitorët patën mundësi që nga afër të njihen me të arriturat kulturore, politike ekonomike e sportive si dhe me mikpritjen kosovare. Ata, po ashtu u njohën edhe me rolin dhe rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, dhe jo vetëm, si dhe me solidaritetin e tyre të ndërsjellë.
Programi i ngjeshur njëjavor i përgatitur nga FABIA, në bashkëpunim me udhërrëfyesin Kallaba nuk kishte mundur t’i përfshinte të gjitha pjesët e Kosovës.
“Po përpiqem që FABIA të bëhet një urë lidhëse me të gjitha shtetet e botës, e, me këtë rast, edhe me Kosovën, tha për albinfo.ch drejtori i saj, z. Hamit Zeqiri. Ai, madje, me këtë rast, edhe vetë ishte pjesë e kësaj vizite studimore, duke e dhënë kontributin e tij që mysafirët nga Zvicra të ndihem sa më mirë në gërshetimin e kulturave të këtyre dy shteteve.
Ç’është e vërteta, mikpritja shqiptare kishte filluar që nga udhëtimi në aeroplan, kur biznesmeni shqiptar, z. Fehmi Fetahi e kishte ftuar grupin prej njëmbëdhjetë vetash për drekë në resortin e tij “Vali ranç” në Përlepnicë afër Gjilanit.
Çifti Markus dhe Tiziana Wiederkehr janë shumë të kënaqur me vizitën e tyre në Kosovë. Ata, madje, parapëlqejnë që në një vizitë të radhës ta kalojnë edhe ndonjë natë në ndonjë qytet tjetër jashtë Prishtinës për t’iu shmangur shpenzimit të kohës në rrugëtim.
Ata u kthyen në Zvicër me përshtypjet nga Kosova si një vend i gjelbër me shumë pyje, fshatra të bukura, njerëz miqësorë, një popull që tashmë ka arritur shumë që nga fundi i luftës dhe që ka ende potencial për të arritur më shumë, dhe sidomos një popull me gra të forta.
Grupi nga Zvicra ka vizituar edhe ndërmarrjen nga Krusha e Vogël për përpunimin e perimeve, me ç`rast është pritur nga themeluesja dhe drejtoresha e saj, Fahrije Hoti. Kjo zonjë njihet, veç tjerash edhe nga filmi “Zgjoi”, i cili është reralizuar mbi bazën e rrëfimit të saj jetësor.
“Janë aq shumë përshtypje të llojllojshme, sa që njëherë më duhet t’i përpunoj. Jam tejet e befasuar me mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës, dhe ndjesinë për mirëseardhje që na ofrohet këtu, e që do të na shërbente edhe neve si shembull”, thotë zonja Angi Stadelmann nga rrethi i Lucernit, gjë të cilën e pohon edhe bashkëshorti i saj z. Markus Renggli.
Një javë nuk mjaftoi për të parë të gjitha vendet e Kosovës, prandaj disa komuna mbetën pa u vizituar, me shpresë që këta vizitorë të kenë edhe një arsye më shumë për të ardhur sërish në Kosovë.
“Unë do t’i kisha riparë edhe njëherë të gjitha këto vende, për çka jam e bindur se do të vij sërish për ta vizituar Kosovën, aq më tepër me një udhërrëfyes interesant dhe kompetent, i cili na afroi kaq afër njerëzit dhe natyrën e Kosovës”, shkruan mësuesja Franceska Mëri (Francesca Möri) nga Willisau.
Në pyetjen se çfarë nuk do të donit të shihni në një vizitë të radhës në Kosovë, zonja Ursula Koller gishtin e drejton kah mbeturinat e shpeshta që hasen në natyrë, e që e pohojnë të gjithë mysafirët.
Nga mesi i javës mysafirët vizituan shkollën fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan. Ata u pritën nga zëvendësdrejtori Fatmir Selimi dhe nga pedagogia e shkollës, zonja Drita Kallaba.
Të gjithë mysafirët u bënë pjesë e një ore mësimore në klasën e 5/6 (pesta/gjashtë) të mësueses Ganimete Selmani, që, nga lënda “Shoqëria dhe natyra”, kishte zhvillimin e temës “Komunikimi”. Me këtë rast mësuesja Ganimete këtë temë e zhvilloi në formë bashkëbisedimi, gjë që u la përshtypje të thella vizitorëve zviceranë.
E pyetur se si ka ardhur deri tek ideja për ta vizituar Kosovën, mësuesja Esther Röösli nga Reiden shprehet: “Si mësuese kam pasur shumë nxënës nga Kosova, për çka edhe fillova të interesohem për vendin e tyre të prejardhjes. Me këtë rast, gjatë një vizite në shkollën “Selami Hallaçi” të Gjilanit, nxënësit treguan shkathtësi të larta dhe dhanë përgjigje inteligjente.
Po ashtu, ata nuk shprehën asnjë hezitim për të folur para publikut, pra, dukeshin të sigurt në vetvete. Edhe marrëdhënia mësuese-nxënës dukej shumë e relaksuar dhe pozitive”.
“Mënjano bërllogun në natyrë, gjithçka ishte në nivel; raporti miqësor i njerëzve, një vend pjellor e me shumë gjelbërim, me kodra e me kanione mbresëlënëse”, thotë Rosmarie Fischer.
“Gjatë kësaj vizite pashë një vullnet të plotë të njerëzve për ta çuar këtë shtet të ri përpara. Kosova ka një histori jashtëzakonisht të vlefshme, e cila është përcaktuese për të tashmen e saj”, thotë Pius Bluemli.
Grupit të vizitorëve i ishte bashkëngjitur edhe kryetari i komunës së Nebikon-it, z. Reto Steinmann.
“Kam shumë miq kosovarë në vendin ku jetoj, kështu që sapo u informova nga Hamit Zeqiri për këtë vizitë, vendosa t’i bashkëngjitem grupit. Nuk e kisha besuar të kishte kaq shumë tokë të sheshtë dhe prisja më shumë kodra. Ndonëse vendi ka një zhvillim më të lartë seç e kam pritur, megjithatë situata politike e vendit më dëshpëron paksa, por është pjesë e saj.
Më ka bërë përshtypje pozitive informimi i hapur e transparent si dhe përgjigjja në të gjitha pyetjet nga udhërrëfyesi”, thotë ai për albinfo.ch.
Gjatë vizitës së projektit të HELVETAS-it dhe atij BONEVET z. Steinmann premtoi që në të ardhmen ta ndihmojë financiarisht projektin BONEVET në Prishtinë.
“Në shkollën ku kam punuar kam pasur shumë nxënës me prejardhje nga Kosova, prandaj edhe pa u hamendur kam vendosur për këtë vizitë”, thotë mësuesja Beatrice Odoni nga Hochdorf i Lucernit. “Ishte një vizitë shumë mbresëlënëse në shkollën e edukimit kurativ, pra në Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë; aty pashë mësuese të përkushtuara, ishin tejet miqësore, objekti shkollor ishte shumëngjyrësh dhe i mobiluar mirë, ndërsa nxënësit po punonin me përkushtim të lartë, tha veç tjerash zonja Odoni.
Në shenjë respekti për mysafirët, drejtoresha e Qendrës Burimore “Përparimi” nga Prishtina, zonja Igballe Asllani – Potera, bashkë me personelin arsimor dhe nxënësit e kësaj qendre kishin përgatitur një program kulturor-artistik me të cilin vizitorët u ndanë tejet të kënaqur.
(Autor i tekstit dhe fotografive, Xhevdet Kallaba)
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero” Në Zvicër ka pak trafik që nga pasditja e së enjtes: bora ka shkaktuar aksidente të...
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve