Kosova
Vizitë e frytshme në Zvicër e përpunuesve kosovarë të pemëve dhe perimeve
5 përpunues të pemëve dhe perimeve kanë qëndruar në Zvicër, ku gjatë 3 ditëve janë takuar me distributorë, blerës potencialë të produkteve kosovare
Organizuar nga platforma mediale Albinfo.ch, me mbështetje të programit “#EREA“, i cili implementohet në partneritet të Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve (PEPEKO) nga Kosova dhe Caritas Switzerland in Kosovo, 5 përpunues të pemëve dhe perimeve kanë qëndruar në Zvicër. Këtu ata kanë pasur mundësi që gjatë 3 ditëve të takohen me distributorë, blerës potencialë të produkteve “Made in Kosova”.
Në ditën e parë të kësaj vizite përfaqësuesit e kompanive kosovare, të udhëhequr nga Hartim Gashi, drejtor i Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve nga Kosova (PEPEKO) fillimisht janë pritur në kompaninë “Maestral”, e cila merret me brendimin dhe distribuimin e produkteve nga Ballkani në tregun zviceran.
Mysafirët nga Kosova kanë shkëmbyer përvojat e tyre me drejtorin e marketingut dhe shitjes të kësaj kompanie, Hans Remund, për eksportin e produkteve ushqimore në Zvicër. Remund ka informuar ndërmarrësit kosovarë mbi rregullat dhe standardet që janë të përshtatshme sa i përket eksportimit të produkteve të tyre në Zvicër.
Pas kompanisë Maestral, prodhuesit janë ndalur në marketin e shqiptarit me prejardhje nga Pasjaku i Gjilanit, Refik Syli. Ky market frekuentohet nga të gjitha nacionalitetet, e më shumë nga shqiptarët, ngase në raftet e tij ka me dhjetëra produkte nga Kosova në mesin e mbi 1 mijë produkteve nga të gjitha vendet e Ballkanit.
“Paragjykimet se këto prodhime nuk janë cilësore dhe nuk mund të jenë konkurruese me produktet zvicerane, kanë filluar të zhduken”, ka thënë Syli. Ai ka bërë të ditur se produktet nga Kosova janë gjithnjë e më të kërkuara nëpër marketet e tyre nëpër Zvicër.
Ndalesa tjetër u bë në Dietikon, në zyrat e ndërmarrësit shumë të suksesshëm shqiptar, Besim Ramadani. Ai së fundi është pavarësuar duke menaxhuar disa kompani pas një eksperience shumëvjeçare si shef i shitjes tek “Coop”, njëra nga dy korporatat më të mëdha të shitjes me pakicë në Zvicër dhe së fundi edhe në Denner.
Ramadani ka theksuar nevojën e bashkëpunimit më të madh të distributorëve në Zvicër për të shtuar gamën e produkteve kosovare në raftet e shitoreve zvicerane.
Ramadani ka ofruar eksperiencën e tij për të ndihmuar në depërtimin e sa më shumë produkteve nga Kosova në tregun zviceran.
Po ashtu birra Peja nga Kosova është në mesin e produkteve më të pëlqyera nga Kosova në Zvicër. Importin e këtij produkti dhe 300 produkteve të tjera nga Kosova e bën për disa vjet kompania R.B. me pronar Rexhep Berishën, i cili ka pritur prodhuesit nga Kosova, në ditën e dytë të vizitës së tyre në Zvicër.
Ndërmarrësi me rrënjë nga Peja, tanimë ka shtuar gamën e produkteve në depon më të madhe ushqimore me produkte nga Kosova në Zvicër.
Produktet të cilat prodhohen në Kosovë, sipas tij, me shumë vështirësi kanë arritur të depërtojnë në tregun zviceran.
Rexhep Berisha, pronar i firmës R.B. Import& Export në këtë takim me prodhuesit kosovarë tha se autoritetet zvicerane aplikojnë kontrolle të rrepta të cilësisë dhe, sipas tij, ka produkte që, edhe pse kanë depërtuar në tregun zviceran, është ndaluar distribuimi i tyre.
“Vazhdimisht kemi kërkesa për të sjellë më shumë produkte nga Kosova. Ne sjellim këtu mostra të produkteve dhe cilësia e tyre testohet nëpër laboratorët e këtushëm. Prandaj, shpresojmë që ato të gjejnë rrugën për në Zvicër”, thotë Rexhep Berisha.
Pas kësaj vizite të ngrohtë në Riehen të Bazelit, prodhuesit nga Kosova janë ndalur në kufi me Gjermaninë në marketin tjetër me emrin “Kosova”, me pronar Arben Cakollin.
Cakolli e kishte mbushur marketin e tij përplot me produkte që vijnë nga Kosova, produkte këto shumë të kërkuara në tryezat e shqiptarëve, sidomos gjatë dimrit.
“Tashmë është gjithçka më lehtë, më herët ishte shumë i vështirë transporti i tyre, dhe çmimet janë shumë më të lira për shkak të lokacionit të shitores, që gjendet në Gjermani”, thekson Cakolli, duke numëruar me krenari produktet që ua sjell bashkëkombësve të tij në Zvicër e Gjermani: kafe, çaj, ajvar, turshi etj.
Një numër i konsiderueshëm i filialeve të ndërmarrjes së madhe për shitje me pakicë “SPAR” drejtohen nga sipërmarrës të pavarur shqiptarë, të cilët operojnë në mënyrë autonome. Ata njihen si “detailistë” të pavarur të SPAR-it që kanë ndikuar në rritjen e interesimit të konsumatorëve dhe vetë kreut të këtij rrjeti për produktet nga Kosova.
Merita të mëdha për futjen e ajvarit kosovar në supermarketet e SPAR-it ka përfaqësuesi i Sindikatës Tregtare të këtij rrjeti, detailisti Anton Gjergjaj, i cili drejton me sukses 7 filiale të SPAR-it dhe është pronar i firmës importuese „Lumi GmbH“ që ofron produktet e ajvarit edhe përmes dyqanit online, kosova-shop.ch. Në raftet e kësaj shitoreje mund të gjeni edhe ajvarin me emrin “Lumi”, të cilin e ka brenduar vetë Gjergjaj.
Në takimin me prodhuesit nga Kosova, Gjergjaj ka treguar për kriteret që kërkojnë autoritetet përkatëse që një produkt të gjejë rrugën e tregut në Zvicër.
Vizitën e tyre prodhuesit nga Kosova e kanë përmbyllur në kompaninë tjetër, atë “Thraki” në Cyrih, e cila po ashtu merret me distribuimin dhe shitjen e disa produkteve nga Kosova. Dhe, krejt në fund, ata kanë vizituar Konsullatën e Kosovës në Cyrih, ku janë pritur nga konsulli Vigan Berisha.
Prodhuesit nga Kosova kanë kërkuar nga diplomatët kosovarë që në kuadër të diplomacisë ekonomike të promovojnë më shumë produktet “Made in Kosova”, jo vetëm për komunitetin e këtushëm shqiptar, por në përgjithësi për tregun zviceran.
Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka njoftuar prodhuesit se me marrëveshjen për tregti të lirë, do të ketë më shumë lehtësira për depërtimin e produkteve nga Kosova në tregun zviceran.
Industria e Përpunimit të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës paraqet njërin nga sektorët më të përhapur të bizneseve dhe zë vend nga më të rëndësishmit në pasqyrën e përgjithshme dhe historinë ekonomike në Kosovë.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë
-
Uber shënon rekorde të udhëtimeve në Zvicër në vitin 2024
-
Rritje e çmimeve për shtëpitë e dyta në Alpet zvicerane