Shqipëria

Viza Schengen me 400 euro, qytetari shqiptar ndalohet në Zvicër

“Kam kaluar transit në Gjermani dhe më pas në Zvicër. Në datën 9 dhjetor 2018 kam tentuar të iki në Zvicër nga Maqedonia. Në Zvicër më ndaluan. Më thanë s’ke lekë dhe bileta kthyese. Ata më kanë thënë se do më bënin një verifikim të vogël. Rezultoi se kisha dy vula false”, thotë qytetari

“Fiks fare” denoncoi me zë dhe figurë një person, i cili kundrejt 400-500 euro, arrinte të kalonte qytetarë të ndryshëm në zonën Schengen.

Personi punonte si taksist në afërsi të doganës së Kapshticës në Korçë dhe, duke bashkëpunuar me policë grekë, bënte manovra me vulat në pasaportë. Një qytetar u ankua në “Fiks Fare” se në vitin 2015, kur sapo kishte përfunduar afatin 3 mujor të qëndrimit në zonën Schengen, kontaktoi me këtë person.

Pasi i tregoi problematikën i tha se nëse pranonte të paguante 500 euro ai i rregullonte të shkonte sërish në Greqi. “500 eurot i donte që t’ia jepte edhe një polici grek që kishin marrëveshje bashkë. Ky person i kombinonte ditët me vulat në pasaportë. Nëse kisha hyrë në datën 1 janar në Greqi, në datën 3 janar kisha dalë nga Italia”, thotë qytetari, i cili me këtë kombinim fitonte edhe rreth 3 muaj të tjerë qëndrim në zonën Schengen, përcjell albinfo.ch.

Më tej shton se në vitin 2015, e kontaktoi këtë person në Korçë. “Po prisnim poshtë një pallati. Pasaporta hidhet nga një pallat e mbështjellë. Atje u tremba se çfarë po ndodhte”, thotë ai, ndërsa pohon se pasi mori pasaportën, ka udhëtuar po me këtë person drejt qytetit të Kozanës në Greqi.

“500 eurot ia kam dhënë pasi kam shkuar në Kozanë. Më pas kam marrë një vizë punë 1-vjeçare. Mu dha rasti të ikja në Zvicër, pasi kisha të fejuarën time. Kam kaluar transit në Gjermani dhe më pas në Zvicër. Në datën 9 dhjetor 2018 kam tentuar të iki në Zvicër nga Maqedonia. Në Zvicër më ndaluan. Më thanë s’ke lekë dhe bileta kthyese. Ata më kanë thënë se do më bënin një verifikim të vogël. Rezultoi se kisha dy vula false. Pasaportën ma nxorën jashtë përdorimit. Më kanë dhënë disa dokumente dhe më kanë çuar në Maqedoni. Në Maqedoni s’kisha dokumente identifikimi dhe më çuan sërish në Zvicër. Shkova në Zvicër dhe më dhanë pasaportën dhe më thanë se do marrësh dënimin”, thotë qytetari. I pyetur nëse e njeh këtë person, thotë se po, ndërsa kërkon vetëm që emri i tij të jetë i pastër dhe çdo gjë e ka bërë për një jetë më të mirë.

Pas denoncimit, qytetari shkon në Doganën e Kapshticës dhe kërkon taksistin. I tregon dikujt karakteristikat dhe ata e njohin direkt. Niset me një taksist tjetër drejt qytetit të Korçës. Aty takon personin në fjalë, hipin në makinë dhe qytetari e pyet nëse e mban mënd. Taksisti i pohon se po, e mban mënd si fytyrë. Ai pranon veprimet në vitin 2015, ndërsa habitet se çfarë i ka ndodhur këtij qytetari. I thotë se nuk vendos Zvicra nëse është false apo jo, pasi qytetari ka kaluar disa herë të tjera pas vitit 2015 në zonën Shengen. Në një moment i kërkon qytetarit që të nxjerrë një pasaportë tjetër dhe këtë të vjetrën ta deklarojë si të humbur.

Pasi i shpjegoi të gjithë procedurën, taksisti i thotë se qytetari duhet patjetër që të bëjë pasaportë të re. Ia merr pasaportën e vjetër, i shikon të gjitha shenjat e vendosura nga Greqia dhe Zvicra. Madje, i shpjegon kur vendosen shkronjat F ose G. Në një moment, kur po shikonte pasaportën, i thotë këto fletë ku janë vendosur këto shenja nuk kanë çfarë i duhen qytetarit dhe s’ka përse t’ia tregojë policisë shqiptare. I merr pasaportën dhe ia gris fletët një e nga një. Qytetari i kërkon fletët e grisura, por ai i thotë se s’kanë çfarë i duhen dhe ia gris në copa të vogla dhe i hedh nga dritarja e makinës.

Në fund, qytetari i kërkon çfarë veprimi të ndjekë tani, pasi ka hall se mos i digjet sërish pasaporta. Ai i thotë se ia rregullon ai, me një polic që njeh dhe e gjitha kushton 400 EURO!