Ukraina

Viti i ri shkollor në Ukrainë nis nën kërcënimet me bomba

Forcat e policisë kanë kontrolluar të premten objektet arsimore në Kiev, pas kërcënimeve të raportuara për bomba në shkollat e kryeqytetit derisa nxënësit u kthyen në shkollë për vitin e ri akademik.

“Ne kemi marrë informacione për eksplozivët në shkollat e Kievit. Të gjitha institucionet arsimore po kontrollohen nga forcat e policisë së Kievit me përfshirjen e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave”, tha zëdhënësja e policisë, Yulia Girdvilis, për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Në një deklaratë në platformën e mesazheve Telegram, Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit (KCMA) tha se administrata arsimore dhe policia do të marrin vendimin për evakuimin e fëmijëve dhe mësuesve, shkruan DW.

“Rrini të qetë dhe ndiqni përditësimet”, ka shkruar KCMA.

Rreth katër milionë studentë po kthehen në shkolla, si fizikisht, ashtu edhe përmes klasave virtuale, tha ministria e Arsimit e Ukrainës, përcjell albinfo.ch.