E-Diaspora

Violette Gashi kandidon në zgjedhjet komunale në Bruksel

Gashi, e cila është me prejardhje nga fshati Kosoriq, Komuna e Pejës ka thënë që parësore për të është ofrimi i përkrahjes për popullatën shqiptare që jeton në Belgjikë

Violette Gashi, e lindur në Belgjikë e me prejardhje nga Kosova, këtë vit kandidon për zgjedhjet komunale në Scherbeek të Brukselit, të cilat do të mbahen më 14 tetor të këtij viti, raporton “Zëri.info”.

Gashi, me numër 20, e cila është pjesë e partisë CDH të Scharbeekit, për “Zërin” ka rrëfyer se si babai i saj, Halil Gashi, kishte ardhur në Belgjikë ndër të parët kosovarë në fillim të viteve të ’60-ta.

“Babai im, Halili, ka qenë njëri nga shqiptarët e parë, i cili ka ardhur në Belgjikë në vitet e ’60-ta. Kjo ishte njëkohësisht periudha kur më së shumti shqiptarë erdhën në Belgjikë. Sigurisht që ne nuk e patëm lehtë të integrohemi, mirëpo pavarësisht vështirësive ne ia dolëm dhe sot kam arritur që të jem pjesë e zgjedhjeve komunale në këtë shtet, ku familja ime erdhi dekada më parë”, rrëfen ajo, përcjell albinfo.ch.

Gashi, e cila është me prejardhje nga fshati Kosoriq, Komuna e Pejës ka thënë që parësore për të është ofrimi i përkrahjes për popullatën shqiptare që jeton në Belgjikë.

“Qëllimi im parësor është që të ndihmoj popullatën shqiptare në integrimin dhe në formimin profesional, me qëllim që të gjejnë një vend pune sa më lehtë në Belgjikë. Po ashtu qëllimi im është që t’i sensibilizoj gjeneratat e reja në ruajtjen e kulturës tradicionale shqiptare, duke krijuar një shoqatë të mësuesve shqiptarë, artistë e studentë, me qëllim që të ruhen traditat tona”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Gashi po ashtu ka thënë që synon të mbroj një politikë të hapur, e cila do t’i ndihmojë të gjithë të rinjtë në Belgjikë, veçanërisht atë shqiptarë, me ç’rast ajo shpreson që do të arrijë t’i mbrojë rrënjët dhe interesat e komunitetit të saj.

Ajo aktualisht udhëheq një biznes familjar për tashmë 15 vjet, si dhe ka qenë edhe mësimdhënëse e fëmijëve në shtetin belg.

Ndërkohë, në Belgjikë aktualisht jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë.