Lajme

Vidhte punëtorët në kantiere: 6 muaj burg dhe 5 vjet dëbim për kosovarin

Ai thotë se nuk kishte vedhur por po kërkonte në çantën e një punëtori për gozhdë që i duheshin për të kryer një punë në shtëpinë e tij

Një 37-vjeçar ka “manipuluar” me çantat e shpinës të punëtorëve të ndërtimit në kantiere të ndryshme në Kantonin Aargau. Por kjo nuk është arsyeja e vetme që ai u dënua nga Gjykata e Qarkut në Aarau.

Është një aktakuzë voluminoze që ngarkon Albanin (emër fiktiv), transmeton albinfo.ch. Ai akuzohet se rreth dy vjet më parë, kishte hyrë ilegalisht në disa kantiere në rajonin e Aarau, kishte vjedhur para nga çantat e shpinës të punëtorëve të ndërtimit dhe nga një automjet i hapur.

Prokuroria publike në Lenzburg-Aarau e ka akuzuar atë edhe për falsifikimin e dokumenteve (vozitje pa biletë dhe informacione të rreme për gjobën), vjedhje të një automjeti dhe përdorimin e tij pa patentë shoferi dhe shkelje të ligjit në raste të ndryshme.

Pikërisht në fillim të gjykimit para Gjykatës së Qarkut në Aarau, mbrojtësi publik kërkoi një pushim prej dhjetë minutash pasi ai ende nuk kishte pasur mundësinë të konsultohet me klientin e tij, shkruan aargauerzeitung.ch. Ky i fundit nuk u ishte përgjigjur thirrjeve të tij telefonike për tu konsultuar

I akuzuari dëshiron të përmirësohet dhe të punojë

Pas ndërprerjes, kryetarja e trupit gjykues donte të dinte pse Albani thjesht nuk u ishte përgjigjur dy thirrjeve të para. Ky i fundit u përgjigj përmes një përkthyesi se kishte pasur ngarkesë të madhe psikike, transmeton albinfo.ch. Ai kishte mendime vetëvrasëse për shkak të marrëdhënies së tij të prishur me gruan kështu që atij, thjesht nuk i interesonte procesi. Ai tani jeton në një dhomë hoteli në rajon, të cilën ja paguan një miku i tij. Në fund të fundit, ai nuk ka as para, as punë dhe as shtëpi, por kjo duhet të ndryshojë shpejt. Vetëm një javë më parë ai kishte folur me gruan dhe dy fëmijët e tij dhe duket se familja do të arrinte të pajtohej. Gjithashtu ai ka gjetur një punë si punëtor ndërtimi.

Avokati i Albanit nuk di ende asgjë për kontratën e punës apo për pajtimin e afërt të familjes prandaj kërkon një afat njëjavor për të paraqitur dokumentet përkatëse në gjykatë. Përveç dënimit të pakushtëzuar prej tetë muajsh dhe gjobës prej 200 frangash, prokuroria publike kërkon edhe dëbimin e tij prej gjashtë vitesh nga Zvicra, transmeton albinfo.ch. Por kjo do të ishte shumë e rëndë për Albanin pasi, siç e thotë “ai nuk ka asgjë në Kosovë”. I pyetur nga gjykatësja se ai “nuk ka asgjë as këtu” ai u përgjigj se deri më tani kjo ishte e vërtetë, se donte të përmirësohej veten, se donte të punonte dhe të luftonte për familjen e tij.

“Kërkonte gozhda” për të rinovuar diçka

Albani rreth akuzës për “vizitat” në kantiere thotë se nuk kishte vjedhur asgjë në asnjë nga kantieret. Në njërin rast, ai po kërkonte në çantën e shpinës së një punëtori (paditësi të ardhshëm) për gozhdë që i duheshin për të rinovuar bodrumin e shtëpisë së familjes së tij. As një rast  tjetër nuk i kujtohet, por thotë se mund të ketë qenë aty. Në fund të fundit, ai shpesh viziton kantieret për të kërkuar punë apo edhe të kërkuar ndonjë shkrepse. Fakti që, sipas prokurorit publik, ai u kap nga një kryepunëtor në një kontejner të kantierit dhe u mbyll atje, gjithashtu nuk është i vërtetë, shpjegon ai, përcjell albinfo.ch. Se si kryepunëtori ka mundur ta përshkruajë atë me informacione të detajuara madje edhe për pozicionin e dhëmbit që mund të shihet vetëm nga afër – ai nuk mund ta shpjegojë.

As falsifikimi i dokumentit nuk ka ndodhur, shpjegon Albani, por një keqkuptim i thjeshtë: ai mendoi se inspektori i biletave kishte kërkuar personin me të cilin qëndronte. Megjithatë gjobën e ka nënshkruar vetë.

Avokati i Albanit shprehet në mbrojtjen e tij se nuk ka asnjë provë objektive që klienti i tij ka vjedhur diçka tjetër përveç gozhdëve nga çantat e shpinës. Dhe, edhe sikur të donte të gjente para, vlera e tyre nuk e kalonte pragun e një gjëje të vogël prej gjithsej 300 frangash. Një video tregon vetëm se Albani ka qenë aty dhe jo se ka vjedhur para. Gjithashtu nuk kishte prova për asgjë tjetër, përveç se Albani kishte udhëtuar me tren pa biletë dhe se kishte vozitur një makinë pa leje makine dhe këtë e kishte pranuar, transmeton albinfo.ch. Prandaj, bëhet fjalë për kundërvajtje që dënohen me gjobë (“pak tarifa ditore”).

Dënimi duhet të shtyhet sepse Albanit – pavarësisht aktakuzës me tetë faqe – nuk mund t’i jepej një prognozë e keqe. Ai është thjesht në një fazë të keqe. Kryetarja e Gjykatës ka ndjekur shumicën e kërkesave nga prokuroria publike. Ajo e shpalli Albanin fajtor për vjedhje të shumëfishta, tentativë të pjesshme në lidhje me çantat e shpinës dhe u lirua nga akuza për automjetin. Albani u shpall fajtor edhe për shkelje të shumëfishta, sepse në kantiere ka hyrë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, falsifikimi i shumëfishtë i dokumentevedhe shkelja e ligjit për transportin e udhëtarëve (vozitja pa biletë) si dhe drejtimi i një mjeti motorik pa patentën e kërkuar të drejtimit.

Ai u shpall i pafajshëm për vjedhjen e mjetit motorik, si dhe për shkelje të shumëfishta në ambientet e mbrojtura, përcjell albinfo.ch. Kështu, Albani u dënua me gjashtë muaj burg pa kusht, plus 100 franga gjobë, alternativisht plus një ditë burg. Ai do të dëbohet nga vendi për pesë vjet.