Shqipëria

Video: Ishulli i Sazanit ofron mundësi përvoje mbresëlënëse për turistët e huaj e vendorë

Ishulli i Sazanit ka një vijë bregdetare prej 15 kilometrash të gjatë, me plazhe ranore, shkëmbore, me disa gjire dhe me peizazhe që ofron relievi i thepisur

Udhëtimi me anije drejt parkut të vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun në Vlorë, ofron eksperiencë mbresëlënëse për turistët vendas e të huaj.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një tjetër plazh i “sulmuar” nga turistët vendas e të huaj, në ishullin e Sazanit, transmeton albinfo.ch.

Rama vlerësoi se ky është një sezon i jashtëzakonshëm prurjesh në Shqipëri, por edhe për shpërndarjen e turistëve në gjithë hartën e vendit.

Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, i shpallur si i tillë në vitin 2010 dhe i kthyer tashmë në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Udhëtimi me anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Ishulli i Sazanit ka një vijë bregdetare prej 15 kilometrash të gjatë, me plazhe ranore, shkëmbore, me disa gjire dhe me peizazhe që ofron relievi i thepisur.

Ishulli ka katër kodra me lartësi mbi 300 metra dhe është i pabanuar.