E-Diaspora

Vetura futet në një xhami në Francë

Një vozitës i panjohur me qëllim është futur me veturë në një xhami në veri të Francës, përpara se të arratisej nga vendngjarja.

Vozitësi i panjohur i një veture, me qëllim i ka goditur dyert e një xhamie në Mons-en-Baroeul të Francës, një qytet në afërsi të Lille, natën e së premtes.

Për fat të mirë nuk ka pasur persona të lënduar, kanë bërë të ditur nga prefektura veriore franceze, gjatë të dielës, duke hedhur poshtë çdo “motivi racist” deri në këtë fazë hetimesh.

Rreth orës 23.45, “një automjet ka qëlluar me dashje hyrjen e xhamisë Al Wifaq”, kanë pohuar gjatë një deklarate nga prefektura, transmeton Albinfo.ch.

“Vetura është futur tërësisht në xhami. Motivet e të dyshuarit, i cili tashmë është identifikuar dhe është në kërkim, do të njihen pasi të arrestohet”, tha një burim policor për AFP.

“Pajisje të rëndësishme” të policisë janë vendosur menjëherë pas ngjarjes, ka cekur prefektura, duke shtuar se drejtori i kabinetit të prefektit, Romain Royet personalisht kishte shkuar atje.

“Hetimi policor, i cili në këtë fazë nuk tregon motivim racist, është nisur nën udhëheqjen e prokurorisë. Për fatë të mirë, nuk është konstatuar asnjë lëndim”, thonë nga prefektura. Televizioni francez “Franca 3” ka thënë se i dyshuari është me prejardhje afrikano-veriore dhe në polici ishte i njohur edhe më herët për delikte të ndryshme.