Lajme

Vetëm një e teta e donacioneve zvicerane kanë arritur në Ukrainë

Pavarësisht shumave rekord të dhuruara, organizatat zvicerane të ndihmës kanë pasur mundësi të dërgonin vetëm një të tetën e parave në zonën e luftës

Përkundër valës së solidaritetit dhe shumave rekord të grumbulluara, shumica e parave që zviceranët kanë dhuruar për Ukrainën nuk kanë arritur atje. Kjo tregohet nga një anketë që ka publikuar gazeta “SonntagsZeitung”, e realizuar nga disa organizata humanitare.

Kështu shoqata “Glückskette”, pastaj Kryqi i Kuq Zviceran, Caritas dhe Helvetas së bashku kishin grumbulluar rreth 185 milionë franga, transmeton albinfo.ch. Por vetëm 23 milionë, që është një e teta e fondeve të grumbulluara, deri më tani janë shpenzuar drejtpërdrejt në Ukrainë. Përveç kësaj, shtatë milionë janë përdorur për ndihmë në vendet fqinje dhe për refugjatët në Zvicër.

Sipas organizatës “Glückskette”, përveç rreziqeve të sigurisë, sfidë paraqesin edhe kapacitetet e organizatave partnere në Ukrainë. Është e vështirë të rekrutosh personel mjaft të kualifikuar “pasi shumë njerëz kanë ikur” nga vendi.

Fillimi i ngadaltë i ndihmës për Ukrainën është gjithashtu një problem ndërkombëtar. Sipas një studimi britanik, nuk kishte plane ndërkombëtare të reagimit pas shpërthimit të luftës, që do të thoshte se aktorët vendas duhej të siguronin “praktikisht të gjithë ndihmën humanitare në Ukrainë” në javët e para.

Në fushën e ndihmës direkte në para, sipas shifrave të OKB-së, më pak se dy për qind e donacioneve ndërkombëtare kanë arritur te organizatat humanitare në vend deri më sot.