Lajme

Vetëm 10 raste të reja të infektimit me Covid-19 në Zvicër

BAG raporton për një të vdekur pas disa ditëve që kaluan pa asnjë të vdekur, nga covid-19

Në Zvicër dhe Lihtenshtajn, sot janë raportuar gjithsej dhjetë infeksione të reja me virusin korona, që kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit. Njëmbëdhjetë raste qenë raportuar të dielën, 18 të shtunën dhe 13 të premten.

Deri më sot janë gjithsej 30.746 raste të konfirmuara nga laboratori, siç ka njoftuar të hënën Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).

Numri i rasteve të vdekjes të lidhura me sëmundjen e mushkërive Covid-19 në të gjitha kantonet marrë së bashku, të hënën, sipas agjencisë së lajmeve Keystone-SDA, ishte 1906, dy më shumë sesa u raportua një ditë më parë. Keystone-SDA analizon të dhënat zyrtare të disponueshme në faqet e internetit të kantoneve.

Por ndërkaq BAG raporton për një të vdekur pas disa ditëve që kaluan pa asnjë të vdekur, nga covid-19. Po ashtu numri i përgjithshëm i të vdekurrace sipas BAG është 1642.

Shifrat e BAG bazohen në informacionin e raportuar qeverisë federale deri të hënën në mëngjes.