Kosova

Vetaksidentohet autobusi në magjistralen Gjakovë-Prizren, tre të lënduar

Një autobus është vetaksidentuar orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjakovë. Policia njofton se janë tre të lënduar.

“Sot rreth orës 03:00, është raportuar aksident trafiku në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ngasësi i një autobusi, në rrethana deri më tani të panjohura, kishte humbur kontrollin mbi autobusin dhe ka goditur gjashtë vetura të parkuara jashtë rrugës. Përveç dëmeve materiale, është raportuar për tre persona të lënduar. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, pronari i një biznesi ka publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë, ku tregohet se si drejtuesi i autobusit humbi kontrollin.

“Sot, në ora 03:00 të mëngjesit, në  hapësirat e autosallonit XENI, është vetë aksidentuar autobusi i firmës “Shpejtimi”, i cili ishte duke qarkulluar në magjistralen Gjakovë-Prizren, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale për kompanin tonë. Faleminderit Zotit, që ky aksident nuk ka shkaktuar dëme në njerëz, por si pasoj e ngasjes së pakontrolluar, ky është aksidenti i 5-të që shkakton dëme në biznesin tonë, edhe pse nga ne janë marrë të gjitha masat mbrojtëse për të parandaluar situata të tilla.

Vetëm nga aksidenti i sotëm, në automjetet e sallonit, janë shkaktuar dëme në vlerën rreth 200.000 euro, duke mos llogaritur këtu dëmet në infrastrukturën rrethuese. Si pronar i autosallonit Xeni, do të inicojmë të gjitha procedurat për kompensimin e dëmeve, ngase asnjëherë deri me tani përkundër dëmeve të shkaktuara, nuk jemi kompensuar. U bëjmë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masat parandaluese dhe ndëshkuese ndaj vozitësve të pakujdesshëm, në mënyrë që të parandalojnë rrezikun për jetën e njerëzve dhe pasojat materiale që e dëmtojnë punën në biznesin tonë”, shkruan Shkëzen Bushati.

? Watch this video on Facebook https://www.facebook.com/share/v/JF82J4sWod22kWzy/?mibextid=9bzTRr&startTimeMs=3000