Tematike

I vërtetohet dënimi me 5 vjet burg shkaktarit të vdekjes së Samir Dulakut

Shkaktari i vdekjes së tij qe dënuar nga Gjykata e shkallës së parë në Gjenevë me pesë vjet burg. Këtë dënim e ka vërtetuar edhe Gjykata Federale e Zvicrës

Në nëntorin e vitit 2013, në një rrugë shumë të frekuentuar të qendrës së Gjenevës, një garë e çmendur e ngasjes së veturave në mes të dy personave pati përfundim fatal për këmbësorin që qëlloi të ishte një shqiptar 34 vjeçar nga Kosova.

Shkaktari i drejtpërdrejtë i vdekjes së Samir Dulakut qe dënuar nga Gjykata e shkallës së parë në Gjenevë me pesë vjet për vrasje, lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor, shkruan albinfo.ch. Gjykata kishte konstatuar se bëhej fjalë për vrasje kushtimisht të qëllimshme ndërsa këtë sanksionim e ka vërtetuar edhe Gjykata Federale e Zvicrës në një vendim që e ka publikuar sot.

Përveç dënimit me burg, shkaktari i aksidentit së bashku me shoferin e makinës tjetër me të cilin kishte garuar, detyrohet t`i paguajë viktimës një dëmshpërblim prej 20 mijë frangash, shkruan sda.ch.

Personi në fjalë në natën e nëntorit të vitit 2013 rreth orës 22.30 kishte ngarë veturën BMW me motor të përforcuar të një të njohuri të tij rrugëve të qytetit. Rrugës ai ishte lëshuar në garë automobilash me një person që nuk e njihte, duke ia shkelur gazin makinës në 150 kilometra në orë. Pak më parë ai kishte konsumuar marihuanë dhe veç kësaj nuk kishte shumë përvojë në ngasje të automobilit.

Në një vendkalim të rrugës, pranë një stacioni të autobusit ai goditi këmbësorin, i cili përplaset për një këmbësor tjetër. Këmbësori, për të cilin më vonë u kuptua se ishte Samir Dulaku nga Kosova, vdiq në vendin e ngjarjes, shkruan albinfo.ch. Ndërsa tjetri edhe sot vuan nga çrregullimet postrtraumatike.

Gjykata Federale në vendimin e saj konstaton se shkalla e parë e gjyqësisë ka pasur të drejtë kur e ka sjellë vendimin e dënimit për vrasje kushtimisht të qëllimshme. Kjo për shkakun se i dënuari e ka ditur se në çfarë situate ndodhet kështu që ai duhet ta kishte pasur të qartë se me sjelljen e tij rrezikon jetë njerëzish, përcjell albinfo.ch. Kështu, Gjykata Federale si shkalla më e lartë e gjyqësisë vjen në përfundimin se masa e dënimit pre 5 vitesh burg është e arsyeshme gjegjësisht proporcionale me veprën.

Siç ka marrë vesh albinfo.ch, i ndjeri Samir Dulaku, kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai shkoi në Zvicër për një jetë më të mirë për familjen, ndërsa u kthye si kufomë. Pas humbjes së kryefamiljarit, familja e tij, gruaja me tre fëmijët kanë mbetur në gjendje të rëndë materiale dhe pa përkujdes adekuat.