Shqipëria
Vera turistike në Shqipëri: “Turizëm 100% shqip” dhe disa probleme me shërbimin
Në këtë artikull do të flasim për destinacione e oferta konkrete, gjithashtu dhe disa problematika e sugjerime se si mund të përmirësohemi në të ardhmen
Shqipëria është gjithmonë një ndër destinacionet kryesore turistike për emigrantët shqiptarë. Disa prej tyre zgjedhin të bëjnë dy pushime, një në vende evropiane, e një në Shqipëri pasi nuk u ndahet shpirti nga deti Jon e Adriatik. Megjithatë, duhet thënë se plazhet nuk janë të vetmet vende që mund të vizitohen gjatë verës. Në këtë artikull do të flasim për destinacione e oferta konkrete, gjithashtu dhe disa problematika e sugjerime se si mund të përmirësohemi në të ardhmen.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj për platformën albinfo.at dhe albinfo.ch shprehet se synimi është diversifikimi i destinacioneve. “Kjo gjë nënkupton promovimin e pikave të argotizmit, përveç bregdetit. Një forum për këtë temë pati edhe në panairin e Tiranës që u zhvillua në fillim të muajit qershor. Në këto pika ofrohet ushqim i llojit slow food me produke lokale si: vera, vaji i ullirit, shafrani etj.”- shprehet ajo.
Pikat e reja turistike të cilat Kornelia sugjeron për të vizituar janë: Zona e liqeneve të Dumresë, pika malore e Gjinarit, varret monumentale të Selcës së Poshtme, parku Arkeologjikë në Bylis, rrethinat e Gramshit dhe të Përmetit. Personalisht kam vizituar liqenet e Dumresë të cilat janë mbi 80 liqene të vogla pranë Belshit. Ndodhen rreth 1 orë larg Tiranës me makinë. Mund të bësh shëtitje me varkë dhe të shijosh ushqimin bio në restorantet vendase. Çmimet janë relativisht të lira në krahasim me kalimin e një fundjave në bregdet.
Kosovarët, turistët kryesorë në Shqipëri
Për sa u takon turistëve që frekuentojnë më së shumti Shqipërinë, vendet e rajonit mbajnë peshën kryesore. Sipas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, gjatë vitit 2021 vizitorët kryesorë janë shqiptarët e Kosovës 2.640.447 persona, më pas nga Maqedonia e Veriut me 560.213 persona dhe së treti ata nga Italia me 354.370 persona. Kornelia Ferizaj thotë se gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve nga Spanja, Britania e Madhe dhe Greqia. Destinacionet më të lira mbeten plazhet e Durrësit, Talës në Lezhë, Darëzezës në Fier etj. Gjithashtu në zonën e Golemit, në një prej hoteleve më të mira të zonës ofrohet shërbim all-inclusive për rreth 70-75 euro për person. Bregdeti Jon, sidomos Dhërmiu, Jala apo Saranda konsiderohen si destinacione më elitare dhe relativisht më të shtrenjta.
Këtë vit mund të themi se sezoni veror u hap me dyndjen e turistëve për ndeshjen finale të Europa Conference League në Arenën Kombëtare në Tiranë midis Feyenoord dhe Romës, ku triumfoi kjo e fundit. Eva Kushova e cila drejton portalin e turizmit “Visit Tirana” dhe një organizatë për menaxhimin e turizmit, shprehet se ishte marketing shumë i mirë për qytetin. Por, sigurisht ka vend për kritika dhe përmirësime. Ajo shton: “Në drejtim të shfrytëzimit të këtij eventi për përfitim të komunitetit dhe bizneseve publike lë shumë për të dëshiruar. Mund të bëheshin paketa të destinuara për turistin italian dhe holandez, ose mund të organizoheshin më mirë kapacitetet akomoduese. Por, gjithsesi jo vetëm ndeshja por dhe çmimi që kemi këtë vit si Tirana Youth Capital 2022 janë një reklamë e jashtëzakonshme për vendin tonë, si një vend rinor, plot evente, i sigurt, mikpritës, dhe shumë argëtues, çka po t’i paguanim si reklamë do na kushtonte shumë”.
Punësimi sezonal, problematikë e madhe
Duke qenë se kam punuar dhe vetë si recepsioniste e menaxhere marketingu në resorte në jug të Shqipërisë, jam në dijeni të problematikës më të madhe të verës që është punësimi sezonal. Për shembull, Dhërmiu është fshat i vogël që s’ka fare fuqi punëtore. Çdo person që punon atje duhet të vijë nga Vlora, Fieri apo edhe Tirana. Ka disa familje të cilat zhvendosen nga veriu apo fshatra të thella për të mirëmbajtur hotelet gjatë vitit, por janë të pakët në numër. Këtu shfaqim problem akomodimi e mungesë punëtorësh. Edhe ata punëtorë që vijnë, janë të patrajnuar ose e shikojnë si diçka sezonale pa i bërë “yzmetin” punës. Prandaj dëgjojmë shpesh herë se kamerieri na erdhi me nerva, nuk na tha as mirëmëngjesi, nuk na trajtoi mirë, pasi punojnë me orare të zgjatura dhe akomodohen në kushte minimale.
Në bisedën e bërë me Evën ajo shpjegon se problemi qëndron se duhet të përqendrohen më shumë tek turizmi gjithëvjetor dhe investimi në burime njerëzore. Sipas saj për sa kohë turizmi do të jetë sezonal, pra kryesisht gjatë verës, një punëdhënës nuk mund ta mbajë një punonjës me kontratë afatgjatë dhe ta motivojë që mos ta lërë punën.
“Ka ardhur koha që të mos bëjmë thjesht marketing destinacioni, por menaxhim destinacioni, pra ta marrim situatën në dorë, të ketë stafe që të punojnë në mënyrë të pandërprere në nivel lokal, të gjejnë tregje të reja, të promovojnë non stop destinacionin, të rregullojnë infrastrukturën etj. Nëse flasim për turizëm të qëndrueshëm, si Shqipëri jemi ende larg. Fat i madh është se kemi burime dhe asete të jashtëzakonshme, 4 stinë të mrekullueshme, e 300 ditë me diell. Mungon vetëm menaxhimi dhe koordinimi i përpjekjeve publik – privat. Ky bashkëpunim është thuajse inekzistent,”-shprehet Eva.
“Punë ka, por kërkohen profesionistë”
Pothuajse të njëjtat shqetësime ndan dhe Zak Topuzi, administrator i Hotel Mondial në Tiranë dhe President i Shoqatës së Hotelerisë. Sipas tij arsyet kryesore të mungesës së punonjësve janë:
- Emigrimi tashmë jo vetëm i popullsisë si fenomen masiv por dhe i punonjësve të kualifikuar jo vetëm në mjekësi.
- Rritja e bizneseve te shërbimeve si mundësia më e thjeshtë.
- Sezonaliteti i lartë i bizneseve të shërbimeve.
Por, cilat janë sugjerimet e tij për ta zgjidhur këtë situatë?
- Politika subvencionuese për të zgjatur sezonin në 8 muaj dhe 4 muaj subvencionim pagesë asistencë dhe sigurime shoqërore në zonat bregdetare (shembull: Greqia).
- Politika subvencionuese për pensionistët nga të ardhurat e sindikatave apo pensioneve për pushime për të zgjatur sezonin me çmime të reduktuara.
- Politika subvencionuese për nxënësit e shkollave, për të njohur resurset e Shqipërisë apo Kosovës dhe për të mbajtur gjallë hotelet me 1-3 yje, bujtinat, agrobiznesin në gjithë territorin e vendit.
E mira nuk ka asnjëherë fund dhe gjithmonë do të kemi nevojë të rregullohemi por nuk duhen lënë pa përmendur dhe aspektet pozitive të investimeve në turizëm. Sipas Zak Topuzit, vitet e fundit ka një zhvillim pozitiv duke rritur në mënyrë progresive ndërtimet e hoteleve dhe resorteve me kapacitete të mëdha. Gjithashtu agroturizmi ka marrë një zhvillim të dukshëm falë grandeve të qeverisë. Ky zhvillim po nxit rritjen e standardeve dhe cilësinë e shërbimit. Sipërmarrësit po tentojnë gjithnjë e më shumë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor.
Siç e ka thënë dhe kryeministri Rama me ironi por në fakt është e vërtetë se “Punë ka, por duhen profesionistë!” Shpresoj që profesionistët t’i krijojmë e t`i gjejmë brenda resurseve tona që pse jo ta kthejmë turizmin në pikën kyçe të rritjes ekonomike për Shqipërinë. Pavarësisht të gjithë aspekteve pozitive apo negative, unë gjithmonë do ta konsideroj që një herë në vit të bëj pushime në vendlindje. Kjo, jo vetëm për të ndihmuar ekonomikisht, por sepse nuk ka si vendi yt dhe sidomos kur porosit në gjuhën shqipe: “Ma bëj një kafe gjysmë filxhani, të lutem!”
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës