Zhvillim
Vera në Ferizaj, në shenjë të mërgimtarëve
Komuna, në dispozicion të mbi 47 mijë bashkatdhetarëve
Qeveria lokale e Ferizajt është mobilizuar për t`i pritur sa më mirë bashkatdhetarët tanë që vijnë për pushime në Kosovë. Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, në një takim që pati nga mesi i majit me Ministrin e Diasporës, Valon Muratin u zotua për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për bashkatdhetarët tanë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. ‘Mbi 47 mijë mërgimtarë të cilët me remitencat e tyre kanë qenë pjesë rrjedhëse dhe buka e përditshme e Kosovës, një diasporë e cila është shumë mirë e organizuar dhe një pjesë e fuqishme e zhvillimit ekonomik”, është shprehur kryetari Sfarqa. Ai ka thënë se komuna e Ferizajt do t’ju ofrojë të gjitha parakushtet që ata dëshirojnë t’i kenë. Komuna do të hapë sportelet për kryerjen e shërbimeve për mërgimtarët, në mënyrë që të mos presin gjatë për shërbimet që duan t`i marrin. Sektori i Gjendjes Civile do të punojë me orar të zgjatur deri në orën 18:00, kurse të shtunave deri në orën 12:00.
Ferizaj-faktor i zhvillimit dhe përparimit
Ferizaj, ndonëse i themeluar para jo më shumë se 140 vitesh, paraqet një udhëkryq të rëndësishëm, pasi nëpër të kalojnë të gjitha rrugët e rëndësishme që e përshkojnë Kosovën nga veriu në jug (Prishtinë-Ferizaj-Shkup) dhe nga lindja në perëndim (Gjilan-Ferizaj-Prizren). Këto rrugë pastaj vazhdojnë edhe në shtetet fqinje, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe në rajon. Komuna e Ferizajt ka afro 190.000 banorë.
Një ndër faktorët më të rëndësishëm nga e kaluara historike për formimin e qytetit të Ferizajt dhe të zhvillimit ekonomik të tij, është padyshim ndërtimi i vijës hekurudhore në vitin 1873 dhe stacionit hekurudhor. Kjo formë e transportit të udhëtarëve dhe të mallrave ndikoi shumë në ndryshimin e fizionomisë së vendbanimit.
Është ndër komunat më të zhvilluara ekonomikisht në vend, falë bizneseve të shumta që ka. Kësaj po i kontribuojnë edhe ferizajasit e punësuar në kompanitë amerikane që punojnë në Kampin Ushtarak Amerikan ‘Bonsteel’, në Sojevë dhe në kampe tjera në Afganistan e Irak. Por një kontribut shumë të çmueshëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm të jetës po vazhdojnë ta japin mërgimtarët.
Bukuritë natyrore, mundësi për argëtim e rekreacion
Ferizaj është një qytet i rëndësishëm në Kosovë edhe në aspekte tjera: kulturore e sportive. Më këtë komunë gjatë vitit organizohen aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si: Festival i këngës ‘Kosovarja Këndon’; Festivali ndërkombëtar i Filmit- FER FILM’; Festivali i Teatrove, Festivali i muzikës për fëmijë ‘Fëmijët e gëzuar’; Manifestimi tradicional ‘Ditët e Kulturës’ etj. Kurse klubet sportive ferizajase garojnë në superligat e Kosovës me rezultate inkurajuese. Është i njohur sidomos KV ‘Kastioti’, në konkurrencën e femrave, KH ‘Kastrioti’, në dy konkurrencat, pastaj është e zhvilluar shumë karateja etj.
Pos kësaj, Ferizaj me rrethinë mbetet një prej destinacioneve shumë interesante të Kosovës për t`u vizituar. ‘Parku i Lirisë’, Jezerci, brigjet e lumenjve Lepenci dhe Neredimja, Prevalla, parku i qytetit, janë vetëm disa vende ku njeriu mund të gjejë qetësinë dhe rehatinë shpirtërore.
Në Ferizaj mund të gjesh edhe Fenomenin e Bifurkacionit, Muzeun e qytetit, Galerinë e Arteve, restorantet e veçanta, kafiteritë, diskotekat, pishinat…, të cilat janë në dispozicion edhe të mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në vendlindje. Ferizaj ka po ashtu 5 biblioteka me gjithsej 26. 352 libra, ka Teatrin Profesional “Adriana”, Orkestrin e qytetit, grupin letrar “Jeronim de Rada”, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve ‘Kastriotët’, e grupe tjera muzikore.
Jeta e natës dhe gastronomia
Edhe jeta e natës është jashtëzakonisht e zhvilluar dhe e organizuar. Coco Club, Diamond Club, kafiteritë Kino Bar&Lounge, Irish Pub Shamrock, N`dritare t`gjonit, French Lounge Bar, My Caffe, Bar Academy, Urban Cafe, Swiss Cafe… ofrojnë po ashtu atmosferë e shërbime cilësore për klientët. E, sidomos gjatë muajve korrik dhe gusht kur organizojnë edhe mbrëmje muzikore me artistë të njohur të estradës shqiptare, por edhe të huaj.
Kurse ata që e kanë merak ushqimin e mirë, verën dhe rakinë e shpisë si dhe ambientet komode, të rehatshme e të rregulluara me shije, do të mund të vizitojnë restorantet e njohura jo vetëm në Ferizaj por edhe në Kosovë e më gjerë. ‘Orchide’, në Rr. ‘Ahmet Kaçiku’, ‘Kalaja e Krujës’, në Dardani, ‘Natyral’, në Sojevë, ‘Ujëvara’, në Bibaj, ‘Freskia’ dhe ‘Villa’ në Neredime, ‘Gjyla’ në Rr. ‘Besim Rexhepi’, ‘Apollonia’, …janë vetëm disa vende të preferuara ku mund të kalosh momente të paharrueshme. Kurse pishinat ‘Ujëvara’, ‘Freskia’, ‘Matoshi’, ‘Olimpik’ janë mundësi e mirë për të mundur vapën.
Ndryshe, qeveria lokale i ka kushtuar rëndësinë e duhur ardhjes së mërgimtarëve. Prej 28 korrik deri më 2 gusht 2015, do të organizojë Manifestimin ‘Ditët e Diasporës’. Gjatë këtyre ditëve do të ketë shfaqje filmash, promovim librash, koloni artistike, shfaqje teatrale, takime, koncerte e aktivitete tjera tjera kulturore e sportive enkas për bashkatdhetarët.
Ferizaj ofron edhe kujdesin primar shëndetësor mbi konceptin e Mjekësisë Familjare dhe funksionimin e vet e mbështet në menaxhimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila disponon me punonjës lëmenjsh të ndryshëm të sistemuar në disa njësi në nivel Qendrash Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe punkte shëndetësore në nivel fshatrash. Ofrohen shërbime shëndetësore për 24 orë rresht qofshin ato trajtuese, diagnostifikuese, rehabilituese apo preventive dhe promovuese.
PREVALLA-vend i qetësisë dhe rehabilitimit
Një ndër vendet më interesante dhe më të preferuara për relaks është Prevalla, e cila është e shtrirë në masivin e maleve të Sharrit. Kjo zonë në lartësi mbidetare prej 1500-1800 metra, preferohet shumë për relaks, sepse aty gërshetohen dy rryma të ajrit-mesdhetar dhe i bjeshkëve të Sharrit. Për këtë arsye, përveç qëllimit rekreativ dhe turistik Prevalla rekomandohet edhe nga mjekësia për rehabilitim shëndetësor, sidomos për shtimin e rruzave të gjakut, për problem me frymëmarrje dhe problem tjera. Kjo pjesë vizitohet shumë sidomos gjatë muajve të verës, kur vijnë në numër të madh njerëz. Përveç nxënësve, që këtë vend e vizitojnë gjatë ekskursioneve, mysafirë më të shpeshtë këtu janë qytetarët e Ferizajt dhe të Prizrenit. Në këtë zonë të dominuar nga gjelbërimi dhe ajri i pastër, mund të merren edhe vila me qira, të cilat komplet kushtojnë nga 30 euro e më lart, varësisht nga komoditeti dhe madhësia.
Prevalla gjendet në kilometrin e 20 në rrugën Prizren-Brezovicë.
FENOMENI I BIFURKACIONIT
Bifurkacioni apo Bigëzimi është fenomen natyror kur një lum ndahet në dy degë dhe derdhet në ujëmbledhës të ndryshëm detar. Njihen vetëm dy raste të tilla. Njëri rast është në Kosovë ku lumi Nerodime ndahet në dy degë. Njëra i bashkohet lumit Lepenc i cili pastaj derdhet në lumin Vardar i cili përfundon në detin Egje dhe dega tjetër derdhet në lumin Sitnica e cila derdhet në lumin Ibër dhe pastaj përfundon në detin e Zi.
Bifurkacioni gjendet në rrugën ‘Afrim Kalanica’, 3 km nga qendra e Ferizajt.
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra