Lajme
Vera erdhi: Ku po shkojmë për pushime?
Shqiptarët e Austrisë ende janë të pavendosur rreth udhëtimit të tyre për në vendlindje, për pushime. Frika nga prekja me Covid-19 ka bërë që ata të mendojnë mirë para nisjes për në atdhe. Por, gjithçka varet nga masat parandaluese, të cilat ndryshojnë sipas zhvillimit të situatës pandemike
Objektivi kryesor i shqiptarëve në Austri për të kaluar pushimet verore pa dyshim mbeten vizitat në vendlindje. Megjithatë, masat parandaluese ndaj pandemisë së koronavirusit kanë prekur direkt udhëtimet e bashkatdhetarëve që jetojnë në Austri. Shteti gjermanishtfolës aktualisht ka ndërmarrë rregulla të veçanta ndaj Ballkanit Perëndimor, sipas të cilave njerëzit që kthehen nga atje obligohen të futen në vetëkarantinim për dy javë, apo të kenë testin negativ ndaj Covid-19 jo më të vjetër se katër ditë.
Janë pikërisht këto arsyet përse shumë kosovarë kanë mëdyshje nëse do të udhëtojnë drejt vendlindjes këtë verë, apo do t`i kalojnë pushimet me ofertën turistike verore që e ofron Austria.
Anulimi i pushimeve në Kosovë
Familja e Adriana Kelmendit do ta kalojë verën në Austri. Ajo ka treguar se kishte planifikuar disa ditë pushimi fillimisht në Itali, e më pas edhe shkuarjen në Kosovë. Por, gjithçka dështoi për shkak të mospërmirësimit të situatës. Madje Kelmendi, e cila është kryetare e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Austrinë e Epërme, ka thënë se paratë e menduara për t’i shpenzuar gjatë pushimit në Kosovë i ka dhuruar si donacion për një shoqatë shqiptare në Wells, e cila kujdeset për skamnorët dhe fëmijët jetimë.
“Si çdo vit tjetër, edhe sivjet unë me fëmijët kisha pushimin e rezervuar në Lido di Jesolo në Itali, por siç dihet ajo zonë është ende e rrezikuar për turistët dhe isha e detyruar të anuloj shkuarjen. Më 1 gusht e kishim gjithashtu të planifikuar një gazmend familjar në Kosovë, por edhe atë e anuluam. Me fëmijët vendosëm që këtë vit të qëndrojmë në Linz. Në Austrinë e Epërme ka mjaft vende të bukura ku mund t`i kalosh pushimet. Unë po ashtu vendosa që, meqë i anulova udhëtimet, të jap një donacion në Shoqatën Humanitare Shqiptare “QSA” (Qendra e Solidaritetit dhe Avansimit) në Wells, e cila kujdeset për skamnorët dhe fëmijët jetimë. Jam ithtare e ligjit dhe deri në fund do ta respektoj apelin që u dha nga Qeveria e Austrisë”, ka thënë Kelmendi.
Objektivi kryesor është Kosova
Marrë parasysh masat e shtetit austriak dhe situatën aspak të mirë në Kosovë, Vehbi Haliti ka dyshime nëse do të niset për në vendlindje këtë verë. Synimi i tij është Kosova, por nuk e di nëse situata do të përmirësohet deri në muajin gusht. “Pushimet verore për këtë vit ishin planifikuar për në Kosovë, mirëpo marrë parasysh situatën jo të qartë me ecurinë e pandemisë, ato janë vënë në pikëpyetje. Nëse në gusht situata përmirësohet, sigurisht do të jem atje. Por, nëse shkuarja në Kosovë bëhet e pamundur për shkaqet e njohura, atëherë edhe Austria ofron vende të mjaftueshme për t`i kaluar pushimet nëpër liqene, bjeshkë dhe qendra të ndryshme turistike. Vendi ku jetoj, Kapfenberg, ofron mundësi për relaksim në pishina, objekte sportive-rekreative, lumenj etj. Vizitat në shtetet përreth Austrisë nuk përjashtohen, por varet nga rregullat e vëna nga shtetet gjegjëse. Sido që të jetë, qëllimi kryesor është Kosova, ky është objektivi kryesor”, ka thënë Vehbi Haliti, një veprimtar dhe aktivist i njohur te shqiptarët në Austri.
Vera në Austri
Pushimet verore të Abedin dhe Edlira Aliut ishin paraparë për në Kosovë, por tani ky plan nuk vlen më. Çifti i cili jeton në qytetin Bruck an der Mur në Steiermark, pushimet e verës do t`i kalojë në Austri apo edhe në shtetet fqinje. “Edhe ne kishim planifikuar që pushimet verore t`i kalojmë në Kosovë nga fundi i korrikut, por tani çdo gjë ka mbetur pezull nga gjendja e pandemisë. Nëse nuk bëhet e mundur shkuarja në Kosovë, planifikojmë një pjesë të pushimit ta kalojmë në Austri ku ka vende të mjaftueshme interesante për t`u vizituar. Meqë nuk do të udhëtojmë në Kosovë, një pjesë të pushimit do ta shfrytëzojmë edhe për vizita tek të afërmit në vendet fqinje, ku situata pandemike është më e stabilizuar dhe nuk kërkohen procedura të veçanta”, shprehen Abedin dhe Edlira Aliu.
Kurse Arianit Avrami, i cili është student në Vjenë, ka thënë se verën do ta kalojë duke punuar. Për të është e rëndësishme të fitojë të ardhura në mënyrë që të financojë studimet e tij. “Pushimet do t`i kaloj duke punuar, pasi që si student nga Kosova është pothuajse e pamundur t`i financosh studimet në Austri, pa punuar. Edhe po të mos kishte masa, nuk do të udhëtoja për në Kosovë, meqë e konsideroj atje gjendjen të rrezikshme. Austria ka opsione të mjaftueshme për t`u argëtuar”, ka thënë Avrami.
Gazmendi Bici – Bici Reisebüro: Kemi kërkesa çdo ditë, po lëvizim rregullisht
Udhëtimet për në Kosovë po zhvillohen në mënyrë të rregullt nga kompanitë tokësore të udhëtimit. Gazmend Bici thotë se kompania e tij “Bici Reisbüro” ka kërkesa të vazhdueshme për të udhëtuar drejt vendlindjes, ndonëse siç thotë ai, vërehen shqetësimet e bashkatdhetarëve. “Ne jemi duke udhëtuar rregullisht. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë problem gjatë udhëtimit. Të gjithë udhëtarët kanë kaluar mirë. Ka kërkesa të shumta të njerëzve që duan të udhëtojnë për në vendlindje, por sigurisht që udhëtarët kanë paksa frikë. Kemi shpresa së gjërat do të rregullohen shpejt dhe bashkatdhetarët tanë të kenë mundësinë për të kaluar lirshëm dhe pa frikë pushimet në vendlindje. Në krahasim me vitet e kaluara është e qartë se ka rënie të dukshme të lëvizjeve të udhëtarëve. Njerëzit po janë të shqetësuar, por ne po lëvizim pa ndërprerë”, ka thënë ai.
P.S: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane