Kosova

Vera 2024 në Kosovë: Një festë e madhe e muzikës dhe filmit

Kosova në verën 2024: Mes tingujve ndërkombëtarë të festivalit Sunny Hill, që fillon sot dhe që pritet të sjellë 120 mijë vizitorë, Dokufestit, Prifestit etj.

Nga 25 deri më 28 korrik të 2024, Prishtina do të gumëzhijë nga tingujt e muzikës ndërkombëtare falë Sunny Hill Festival, një nga festivalet më të mëdha muzikore në Ballkan. I organizuar nga këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, ky festival është bërë një pikë referimi për skenën muzikore të Kosovës dhe një platformë për promovimin e artistëve të rinj dhe të talentuar.

Festivali ndërkombëtar Sunny Hill, i njohur edhe si Festivali i Dua Lipës, tashmë ka adresën e tij të përhershme, ngase u vendos në Bernicë, afër Prishtinës, për një periudhë 99-vjeçare, në një lokacion prej 17 hektarësh.

Fituese e disa çmimeve Grammy dhe e njohur për performancat e saj magjepsëse nëpër skena të mëdha botërore, Dua Lipa është një simbol i suksesit kosovar/shqiptar dhe përkushtimit në botën e muzikës. Një kampion i diversitetit kulturor, ajo promovon krenarinë e trashëgimisë së saj kosovare përmes muzikës dhe ndërgjegjësimit global.

Me projekte të reja në horizont dhe një përqendrim të vazhdueshëm në inovacionin artistik, Dua Lipa vazhdon të frymëzojë dhe të udhëheqë një brez të ri artistësh. Karriera e saj po vazhdon të rritet me një shpejtësi të mahnitshme, duke e bërë atë një prej artistëve më të shquar dhe më të dashur në muzikën bashkëkohore.

Sunny Hill Festival është i njohur për sjelljen në Kosovë të emrave të mëdhenj të industrisë muzikore, duke përfshirë artistë si Miley Cyrus, Calvin Harris, dhe Martin Garrix. Përveç performancave muzikore, festivali ofron një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë ekspozita arti, punëtori krijuese dhe panele diskutimi mbi çështjet sociale dhe kulturore. Për pjesëmarrësit, ky festival nuk është vetëm një mundësi për të shijuar muzikën, por edhe për të marrë pjesë në një përvojë të pasur kulturore dhe edukative.

Në një intervistë për Albinfo.ch, Alban Kastrati, menaxher i Sunny Hill, ka ndarë disa detaje të rëndësishme për festivalin e këtij viti. Kastrati ka thënë se përveç pritjes së rritjes së madhe të numrit të pjesëmarrësve, organizatorët gjithashtu shpresojnë që numri i njerëzve që grumbullojnë të menaxhohet në mënyrë efikase. “Kështu që fushata bëhet konform numrit të njerëzve që pritet të vijnë. Pritjet tona janë që brenda një dite të kemi rreth 30 mijë njerëz, pra për 4 ditë ne besojmë se do të kemi 120 mijë vizitorë. Megjithatë, presim që ky numër të rritet pasi kemi një lokacion të ri për festivalin dhe kapaciteti i tij është më i madh. Andaj, presim të rritemi nga edicioni në edicion dhe do të investojmë për të realizuar vizionin e një festivali të gjelbër”.

Kastrati gjithashtu thekson rëndësinë e emrave të njohur që do të marrin pjesë këtë vit: “Kemi siguruar emra të mirë deri tash dhe kemi bërë publik disa nga emrat më të mëdhenj nga skena botërore që sivjet performojnë në festival. Disa prej tyre janë: Stormzy, një nga emrat më të mëdhenj, i cili ka performuar në Glastonbury; DJ Snake, i cili është shumë i famshëm dhe në koncertin e tij personal ka grumbulluar rreth 70 mijë njerëz; Burna Boy, artist afrikan që është sensacion i kohëve të fundit dhe ka performuar edhe me Beyoncé dhe Ed Sheeran, pastaj kemi dyfishuar programin, duke përfshirë edhe muzikë elektronike, si Black Coffee, Martinez Brothers dhe shumë emra të tjerë”.

Ndërsa nga skena vendore do të performojnë emra të shquar të muzikës gjithashtu, ndër të cilët mund të përmenden: Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Yll Limani e të tjerë. Kur është pyetur për pjesëmarrjen e Dua Lipës në festival, Kastrati u shpreh: “Le të mbetet befasi performanca e saj ose jo në këtë festival”.

Shitja e biletave ka nisur më herët dhe sipas Kastratit janë disa lloje biletash në dispozicion që fillojnë nga 100 euro, e të cilat janë shitur të gjitha, siç janë ato për grupin Believers. Por ka edhe lloje të ndryshme të biletave. “Festivali është 4-ditor dhe çmimi i biletave për 4 ditë është 200 euro. Kemi bileta grupore, të cilat kanë zbritje nga 10 deri në 20 për qind, megjithatë kemi edhe bileta të tjera. Shitja e biletave bëhet vetëm online”, ka thënë Kastrati për albinfo.ch.

DokuFest 2024: Filma, kulturë dhe transformime në Prizren

Prizreni po përgatitet të mirëpresë edicionin e tij të 23-të të DokuFest, një nga festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmit dokumentar dhe të shkurtër. Ai mbahet nga 2 deri më 10 gusht.

Aktiviteti mbahet në hapësira të ndryshme historike të qytetit, duke krijuar kështu një atmosferë unike dhe inspiruese për të gjithë pjesëmarrësit. Festivali gjithashtu përfshin një program të veçantë për të drejtat e njeriut, që synon të nxisë dialogun dhe ndërgjegjësimin mbi çështjet sociale dhe politike të kohës.

Pak javë  para nisjes, “DokuFesti” ka shpallur programin e  filmave garues, duke përfshirë 103 filma, në tetë kategori të ndryshme. Ky festival ka arritur të tërheqë vëmendjen e mbi 3 mijë e 325 filmave aplikues nga 119 vende të botës, duke e bërë atë një nga festivalet më të rëndësishëm në rajon dhe përtej tij.

Në një komunikimin për media, organizatoret e DokuFestit kanë zbuluar se  pjesa më e madhe e vendeve të botës janë përfaqësuar, shumë prej këtyre filmave do të jepen premierë në eventin më të madh të filmave dokumentarë dhe të shkurtër, jo vetëm në nivel lokal, por edhe global.

Ky edicion përshkruhet nga një gamë e gjerë programesh garuese, duke përfshirë Gara Ballkanike, Gara Ndërkombëtare, Gara e Dokumentarëve të Shkurtër, Gara për të Drejtat e Njeriut, si dhe segmente si “Green Dox” dhe “Truth Dox”, përfshirë edhe Garën Kombëtare.

Këto programe janë vetëm një pjesë e gamës së gjerë që sjell kjo ngjarje kulturore në Prizren. Në total, mbi 200 filma do të shfaqen në shumë programe të tjera, duke përfshirë “View from the World”, një program i posaçëm për një shtet të fokusuar, si dhe programe të veçanta të kuruar me kujdes, diskutime në panel, biseda, master klasa dhe performanca muzikore me “DokuNights”.

Fokuse special këtë vit do të kenë edhe  Ukraina dhe Palestina, si dhe një përqasje të re për muzikën në “DokuNights”, duke përfshirë edhe performancën e një banda palestineze.

Alba Çakalli, producente e festivalit, ka konfirmuar se festivali do të ketë edhe programe speciale si “Focus Ukraina” dhe “Focus Palestine”, që do të prezantojnë filma dhe ekspozita të veçanta që shpjegojnë historinë dhe kulturën e këtyre vendeve nëpërmjet artit të kinematografisë

Qendra Historike e Prizrenit mbetet stacioni kryesor i kësaj ngjarjeje kulturore, duke ofruar hapësira të shumta si kinemaja te Kalaja, kinema te lumi, hapësirat e “Lumbardhit”, këtë vit edhe Shtëpinë e Kulturës, e cila është rindërtuar për të siguruar që të gjithë mysafirët dhe vizitorët të kenë një përvojë të kënaqshme.

Alba Çakalli, producente e festivalit, ka theksuar se përvoja e “DokuFestit” do të përfshijë edhe një element të ri sivjet: muzikën. Kështu, “DokuNights”, i cili do të transformohet në një pjesë integrale të festivalit, do të sjellë performanca të shumëllojshme që do të shtrihen nga dita deri në orët e vona të natës. Një prej momenteve më të pëlqyeshme do të jetë performanca e bendit palestinez ’47 Souls’, i cili do të mbajë një koncert në ambientet e “Lumbardhit”.

Çakalli gjithashtu ka theksuar rëndësinë e Garës Kombëtare në këtë edicion, e cila përfshin një numër të madh dhe cilësor të filmave. “Ka shumë filma interesantë që kanë konkurruar për këtë garë, dhe një pjesë e madhe prej tyre janë nga Kosova”, shton ajo. Ky angazhim i vazhdueshëm për të ofruar një platformë për filmbërsit dhe një përvojë të pasur për publikun dëshmon rritjen dhe suksesin e “DokuFestit” si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë dokumentare në rajon dhe më gjerë.

“DokuFesti” do të shënojë edicionin e 23-të të tij, duke vazhduar të promovojë artin dhe mesazhet e rëndësishme përmes filmit në një skenë globale.

PriFest 2024

Nga 10 deri më 15 shtator 2024, Prishtina do të jetë mikpritëse e PriFest, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë. Ky festival ka për qëllim të rikthejë kulturën e kinemasë në Kosovë dhe të ofrojë një platformë për filmbërësit e rinj për të rrjetëzuar dhe bashkëpunuar me ekspertë të industrisë nga rajoni dhe Evropa.

PriFest përfshin një program të larmishëm filmash, duke shfaqur prodhime nga Evropa, Ballkani dhe mbarë bota. Festivali gjithashtu promovon të drejtat e njeriut dhe tolerancën përmes programeve speciale dhe është i vetmi në Ballkan me një temë të dedikuar LGBTQ. Përveç filmave, PriFest organizon edhe PriFORUM, një platformë për zhvillimin e industrisë së filmit që ofron trajnime, leksione dhe masterklasa nga figura të njohura të kinemasë.

Një verë e pasur me kulturë dhe art

Këto festivale, secili me karakteristikat dhe specifikat e tij unike, kontribuojnë në pasurimin e peizazhit kulturor dhe artistik të Kosovës. Nga muzika dhe birra në Prishtinë, te filmat dokumentarë në Prizren dhe kinemaja ndërkombëtare në Prishtinë, vera e vitit 2024 premton të jetë një sezon i mbushur me energji, kreativitet dhe diversitet kulturor. Këto ngjarje jo vetëm që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota, por edhe promovojnë kulturën dhe artin e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e destinacioneve të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.