Lajme

Limaj: Vendimin për vrasje e ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së

“Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje i ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse nuk ka qeneë anëtarë i SHP të UÇK-së”, thotë Limaj në reagimin e tij

Menjëherë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur padi për krime lufte në kohën kur ishte komandant i Brigadës 121 të UÇK-së, deputeti Fatmir Limaj ka dalë me një deklaratë duke ia hedhur fajin Shtabit të Përgjithshëm, për marrjen e vendimit për vrasjen e dy civilëve shqiptarë në komunën e Malishevës.

Limaj thotë se Prokuroria e Kosovës ka dalë me një aktakuzë për të cilën ai është hetuar së paku tri herë.

“Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria. Të vetmin arsyetim në të cilin prokuroria e mbështet aktakuzën është se vrasjet kanë ndodhur në territorin për të cilin prokuroria pretendon se në atë kohë ka qenë territor i brigadës 121 të UÇK-së”, thotë Limaj në reagim.

Sipas ti, as vet prokuroria nuk e din kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo siç thotë ai “më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve”.

Limaj, aktualisht kryetar i partisë Nisma, fraksion i dal nga PDK-ja e cila për 16 vjet uish drejtuar nga presidenti Hashim Thaçi, pyet se si mund të akuzohet për një ngjarje që nuk ka qenë në dijeni.

“Gjithashtu në aktakuzë thuhet se nuk është bërë asgjë për t’u hetuar rasti. Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse unë në atë kohë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, thotë Limaj.

Sipas ish komandanti Limaj, në këtë rast nuk po kërkohet kriminelët që kanë bërër krimin për të marrë dënimin e merituar, por thotë se gjyqësia është vënë në ndjekje kundër tij.

“Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë. Familjarët e viktimave me të drejtë presin ndriçimin e rastit dhe zbulimin e fajtorëve dhe jo tragjedia e tyre familjare të shfrytëzohet për qëllime tjera”, thotë Limaj në reagimin e tij.

Ndryshe, aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UÇK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Aktakuzës, “i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”.