Kosova

Vendimin e Thaçit për mandatarin Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese

Pas vendimit të presidentit Hashim Thaçi që të dekretojë Avdullah Hotin për kryeministër në Qeverinë e re, ka reaguar Vetëvendosje.

LVV i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinion ligjor për mandatarin, të cilin Thaçi ia dha LDK-së, për formimin e Qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit, ku u rrëzua qeveria në krye me Albin Kurtin.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, para medieve.

“Sapo dorëzuam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekretin e presidentit, këtë që e bëri në kohën e pandemisë. Me këtë dekret ne vlerësojmë që presidenti ka vazhduar të shkelë Kushtetutën. Jorastësisht në këtë kohë, ku po përfundon java e punës, kur e dimë që nesër është festë, presidenti është kujdesur që bashkë me bashkëpunëtorët e tij që po ia kërkojnë këtë që qoftë Gjykatën Kushtetuese ose administratën ta gjejë të pushuar si pasojë e festës”, tha Selimi.

Ndërkaq, Thaçi sot në konferencë ka thënë se vendimi për t’i dhënë mandatin për të udhëhequr me qeverinë LDK-së është në përputhje me Kushtetutën.

Ai ka thënë se këtë e ka bërë pasi ka pranuar një letër nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ku ai konfirmon se i mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re, duke përfshirë edhe kriterin e shumicës parlamentare për qeverinë e re.

Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti, Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.

“Kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit”, thuhet në dekret.