Integrimi
Vendimi i Gjykatës Federale për Vizën C të kosovarit, tani vlen për gjithë Zvicrën
Procedura para Gjykatës Federale kishte të bënte me një kosovar, i cili kishte ardhur në Zvicër në vitin 1992 si 14-vjeçar, tani është i martuar dhe ka fëmijë me pasaportë zvicerane
Një vendim i Gjykatës Federale me një efekt sinjalizues: vetëm kur janë vërtet keq të integruar, të huajt mund të humbasin lejen e qëndrimit të përhershëm (Viza C). Megjithatë, ata duhet të vazhdojnë të kenë frikë nga dëbimet.
Kështu, Aktgjykimi 2C_667/2020, Gjykata Supreme Federale, thotë: “Apelimi miratohet dhe vendimi i Gjykatës Administrative të Kantonit të Aargaut i datës 7 korrik 2020 është anuluar”, transmeton albinfo.ch. Përmbajtja e shkruar në gjermanishten e thatë ligjore mund të bëhet vërtet e rëndësishme për të gjithë rreth 1.4 milion njerëz që jetojnë në Zvicër me lejen C.
Deri në vitin 2019, të gjithë ata që kanë jetuar në Zvicër për më shumë se 15 vjet dhe kishin një leje qëndrimi të përhershme (Vizë C) praktikisht nuk mund të dëboheshin. Për tu dëbuar, personi me Vizë C duhej “të bënte shkelje të rëndë të sigurisë dhe rendit publik” ose të dënohej me burgim më të gjatë, shkruan beobachter.ch. Parimisht, të huajt me leje C ishin si zviceranët, vetëm pa pasaportë dhe pa të drejta politike.
Që nga rishikimi i ligjit për të huajt dhe integrimin, ka nisur të zbatohet diçka kontradiktore: leja C është në parim e pakufizuar; megjithatë, ata që kanë “deficite në integrim” mund të “bien” nga viza C në atë B. Pra leja C do të tërhiqet dhe do të shndërrohet në një leje qëndrimi të përkohshme (leje B). Dhe, kjo ka disavantazhe të mëdha. Leja B është zakonisht e vlefshme vetëm për një vit dhe më pas duhet të përtëritet. Kushdo që nuk arrin që brenda afatit të caktuar të heqë arsyen e zbritjes nga viza C në atë B, rrezikon lejen e tij B dhe mund të duhet të largohet nga vendi, përcjell albinfo.ch. Kjo mund të ndodhë, për shembull, nëse keni nevojë për ndihmë sociale. Sepse një nga kriteret e reja të integrimit është që të jeni të integruar ekonomikisht dhe gjuhësisht.
Kërcënim me dëbim
Ulja nga C në B mund të prekë të gjithë të huajt, madje edhe nëse kanë lindur në Zvicër dhe kanë jetuar gjithë jetën këtu. Edhe ata që duket se kanë një punë të sigurt dhe janë të shëndetshëm, mund të humbasin punën dhe të ardhurat për shkak të ndonjë goditjeje fati dhe befas të jenë të varur nga ndihma sociale. Pas kësaj pra ekziston rreziku për t’u ulur në statusin B dhe, në rastin më të keq, për t’u dëbuar nga vendi.
Që nga fillimi i vitit 2019, 597 persona kanë “zbritur” nga leja C në atë B, sipas shifrave të Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM). Shumica e këtyre janë në kantonin e Cyrihut (170 raste) dhe të Aargaut (111 raste). Njerëzve nga Serbia, Turqia dhe Maqedonia e Veriut u është hequr leja C më shpesh, transmeton albinfo.ch. Nuk dihet nëse dhe sa nga këta 597 persona kanë humbur më pas lejen B dhe u është dashur të largoheshin nga vendi. SEM shpjegon se databaza e saj nuk mund ta vlerësonte këtë për momentin.
Praktika tregon se kantonet, autoritetet dhe gjykatat interpretojnë ndryshe rreth asaj kur ka deficit integrimi dhe kriteret për lejen C nuk plotësohen më. Gjykata e Lartë Federale tani ka sqaruar disa pika të rëndësishme me një vendim historik. Nga njëra anë, vetëm deficitet që kanë ndodhur që nga hyrja në fuqi e ligjit ose që kanë vazhduar përtej kësaj date mund të merren parasysh në uljen e klasifikimit (nga viza C në B). Nga ana tjetër, duhet të ketë një deficit të konsiderueshëm.
Vendim i rëndësishëm që nuk ka hasur në vëmendje të duhur
Procedura para Gjykatës Federale kishte të bënte me një kosovar, i cili kishte ardhur në Zvicër në vitin 1992 si 14-vjeçar, tani është i martuar dhe ka fëmijë me pasaportë zvicerane. Ai ishte dënuar gjithsej 13 herë midis vitit 2005 dhe 2018. Megjithatë, sipas Gjykatës së Lartë të Zvicrës, këto ishin kryesisht dënime me “peshë të vogël”. Kosovari kishte kryer disa kundërvajtje në trafikun rrugor dhe ishte dënuar për import të hashashit, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2018 ai u gjobit për rrjedhje vaji nga autobusi i tij. Në shtator të vitit 2019, zyra e migracionit e kantonit të Aargaut ia hoqi lejen e përhershme të qëndrimit. Fakti që ai ka kryer vazhdimisht vepra penale tregon se ai ka një deficit integrimi, sipas zyrës në fjalë.
Por Gjykata Federale nuk u pajtua. Veprat penale ishin kryer të gjitha përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe ai ligj nuk mund të zbatohej në mënyrë retrospektive. Ulja e vizës është gjithashtu joproporcionale. Kosovari ka mbi 28 vjet që jeton në Zvicër, është i integruar ekonomikisht dhe nuk ka marrë asnjëherë asistencë sociale. Ai lejohet të mbajë lejen e tij C, por u paralajmërua nga Gjykata e Lartë Federale.
Vendimi, i cili u miratua në vjeshtën e vitit 2021, pothuajse nuk është vënë re deri më tani. Ai prek të gjithë njerëzit me Vizë C. Sipas tij, ulja nga C në B nuk është më aq e lehtë. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo kërkon një “deficit aktual integrimi të një peshe të caktuar”.
Ligjet e bëra pa kujdesin e nevojshëm sjellin probleme në zbatim
“Ky vendim themelor është i rëndësishëm,” thotë Kilian Meyer, kryegjykatës në Schaffhausen. “Në të ardhmen, do të duhet të sigurohemi që ulja e statusit të qëndrimit do të bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në raste serioze.” Gjithashtu do të kishte kuptim që së pari të bëhet një paralajmërim, transmeton albinfo.ch. Por edhe Meyer thotë: rasti i kosovarit nuk do të kishte ndodhur nëse parlamenti do të kishte bërë një marrëveshje tranzitore. “Në praktikë, ligjet e bëra në mënyrë të pakujdesshme krijojnë pyetje ose probleme të vështira që gjykatat mund t’i zgjidhin vetëm vite më vonë. Në këtë mes ka pasiguri juridike.” Kjo është veçanërisht e shpeshtë në ligjin e migracionit. Aty ka një aktivizëm të vërtetë legjislativ.
Vendimi i Gjykatës së Lartë Federale kishte pasoja të rëndësishme për Zyrën e Migracionit në Aargau, konfirmon Shefja e Komunikimit, Sandra Olar. Deri atëherë, duhet të përcaktoje nga brenda kur dikush kishte një deficit integrimi.
Vendimi, vështirë i zbatueshëm
Për avokatin Marc Spescha, i specializuar në të drejtën e migracionit, nuk është e qartë edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë Federale se kur mund të flitet për një deficit serioz integrimi. Ata që bëhen të varur nga ndihma sociale pa fajin e tyre, thjesht nuk mund ta ndryshojnë këtë gjendje. Çfarë është faj dhe çfarë nuk është faj, është thjesht një çështje interpretimi për autoritetet. Një diskutim i diferencuar i konceptit të fajësisë tani është absolutisht i nevojshëm.
Spescha druan se ulje disproporcionale nga C në B do të vazhdojnë të ndodhin pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës së Lartë Federale, përcjell albinfo.ch. “Përvoja ka treguar se shumë zyra të migracionit e kanë të vështirë të përshtatin praktikën e tyre konvencionale me kërkesat e gjykatës federale. Prandaj, ata që preken do të duhet të mbrojnë të drejtat e tyre me ankesa në të ardhmen”.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra