Kosova

Vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të mërkurën ka vizituar Leposaviqin bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të shqyrtuar mundësinë e kthimit të një objekti në maternitet.

Ai ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se ky maternitet do t’i plotësonte kërkesat e grave nga Leposaviqi dhe të mos kenë nevojë të kalojnë kufirin në Novi Pazar për trajtim shëndetësor.

“Pamë nga afër edhe një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që të mos kenë nevojë ta kalojnë kufirin e të bëjnë dhjetëra kilometra deri te Novi Pazari, e më pas foshnjat po regjistrohen si banorë të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në Leposaviq ishin edhe për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit, derisa në këtë komunë ishte mamografia.

Kryeministri bëri të ditur se mamografia përgjatë këtij muaji do të lëvizë nëpër komuna të ndryshme. 

Kurti premton finalizimin e reformës pensionale mandatin e ardhshëm

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në të ardhmen e afërt gjatë mandatit të ardhshëm pritet të finalizohet reforma pensionale, e që sipas tij, do t’u sigurojë trajtim të dinjitetshëm atyre që kanë kontribuar më së shumti.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti përmendi rritjen e pensioneve për 20 për qind, duke thënë se puna për mbështetjen e pensionistëve nga Qeveria e tij nuk përfundon me kaq.

“Kjo javë nisi me lajm të mirë për pensionistët. Puna jonë për rritjen e mbështetjes për pensionistët nuk përfundon me kaq, vazhdon më tej, konkretisht me finalizimin e reformës pensionale, e cila do të sigurojë që ata/ato që kanë kontribuar më së shumti të kenë trajtim të dinjitetshëm. Të gjitha këto rritje janë bërë pikërisht për të zbatuat programin tonë… që të ndihmohen ata që kanë nevojë më së shumti e më së pari. Reforma pensionale pritet të finalizohet në një të ardhme të afërt në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Kurti në mbledhje.

Tutje, kryeministri ka përmendur edhe aktivitetet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Forumin e Varshavës si dhe takimet me diasporën.

Kurti ka thënë se sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ishin në Leposaviq për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.

Gjatë mbledhjes, Qeveria njoftoi se ka shpronësuar prona për nevojat e Terminaleve Doganore Hani i Elezit dhe Dheu i Bardhë. Aty u bë e ditur se janë ndarë 58 mijë e 80 euro për pagesën e 22 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është emëruar sekretar i përgjithshëm Besim Kamberaj.

Gërvalla kërkon të ndahen 200.000 euro për t’u solidarizuar me Bosnjën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar Qeverisë që t’ia ndajë 200.000 euro për Bosnjë e Hercegovinën që së fundmi u përball me përmbytje vdekjeprurëse. Në mbledhjen ekzekutivit të mërkurën, Kurti u shpreh se për këtë duhet një mbledhje tjetër për t’u përgatitur vendimi.

“Të marrim mendimin tuaj për një kërkesë që do ta kemi për solidarizim me Bosnjën. Do të kërkoja solidaritetin tuaj me një shumë prej 200.000 eurosh. Nëse nuk ka kundërshtim këtu, atëherë kryeministër, do të dërgonim kërkesën zyrtare”, ka thënë Gërvalla.

Të paktën 21 persona humbën jetën nga përmbytjet dhe 16 konsiderohen të zhdukur nga përmbytjet në Bosnjë.

Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) e kishte shpallur “gjendje të fatkeqësisë natyrore” pas reshjeve të shumta që shkaktuan rrëshqitje dhe lëvizje të tokës.

Bislimi: Kosova mund t’i përfitojë 882 milionë euro nga reformat e dakorduara me BE-në

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se për katër vjetët e ardhshme Bashkimi Evropian i ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku 882 milionë euro mund të jenë për Kosovën kur të plotësohen reformat e dakorduara.

Ai njoftoi të mërkurën se 235 milionë euro janë grante e pjesa tjetër e shumës hua, duke shtuar se këto pritet të investohen në dakordim me Komisionin Evropian. Bislimi njoftoi se po punohet në realizimin e planit që Kosovën e afron pranë inkuadrimit në BE.

“Plan ka për qëllim që vendin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian dhe të përshpejtohet procesi i arritjes së reformave, që të shpejtojmë hyrjen në Bashkim Evropian. Për katër vjetët e ardhshme nga Komisioni Evropian janë ndarë edhe 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova do t’i ketë 882 milionë euro kur i plotësojmë reformat që jemi dakorduar me Komisionin Evropian”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Bislimi shtoi se në mesin e reformave të dakorduara bëjnë pjesë përforcimi i administratës, organizimi i ministrive të linjës, plotësimi i kornizës ligjore të prokurimit, siguria kibernetike, forcimi i zbatimit të kornizës legjislative, të drejtat e komuniteteve joshumicë”, ka thënë ai.