albinfo.ch
Integrimi
Vëllezërit Viqa, një tregim suksesi
Vëllezërit ndërmarrës Nazmi, Gani dhe Ilmi Viqa dallohen me firmën e tyre AWR GmbH qe njëzet vjet në sektorin e ndërtimit, njëherësh janë të involvuar në Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani
Në mesin e shumë të rinjve nga viset e ish-Jugosllavisë, të cilët vërshuan Gjermaninë në fundin e viteve të 60-ta dhe në fillim të viteve 70-ta të shekullit të kaluar, gjendeshin edhe shumë të rinj shqiptarë. Të rekrutuar nga entet e atëhershme komunale të punësimit, punëtorët e rinj merrnin rrugën për në Perëndim për të punuar e për të mbajtur familjet e tyre në vendlindje.
Treni „Akropolis“, i cili vinte nga Athina, rrugës për në München kalonte edhe nëpër Kosovë. Dikund kah mesnata ky tren ndalej edhe në stacionet hekurudhore të Kosovës, ku mblidhte punëtorët e rinj që atë kohë mirëpriteshin në shumë vende evropiane, sidomos në Gjermani. Me të arritur në München fuqia e re punëtore e Gjermanisë, apo “Gastarbeiter” siç ata quheshin atëbotë, shpërndahej në gjithë vendin, i cili atë kohë ishte në një fazë të zhvillimit të hovshëm ekonomik. E duart e reja nga Ballkani nevojiteshin për ta mbështetur këtë zhvillim. Punë nga më të ndryshmet kryenin të posaardhurit në pjesën perëndimore të shtetit gjerman. Ata zakonisht ishin punësuar në kompani të niveleve dhe sektorëve të ndryshëm. Hapja e ndonjë kompanie private në atë kohë edhe ishte e vështirë, edhe nuk stimulohej nga ligjet e asaj kohe. Shumë pak, zakonisht në sektorin e gastronomisë, ishin ata që e morën hapin e themelimit të bizneseve private.
Me valën e emigrimit në fillim të viteve të 90-ta erdhën po ashtu një numër i madh i të rinjve, të cilët filluan të shfrytëzojnë idetë e tyre, por edhe ndryshimet ligjore. Gjermania kishte zbuluar potencialin që fshihej në emigrantët e zellshëm dhe tashmë kishte filluar largimin e barrierave ligjore, duke iu mundësuar kështu atyre hapjen e bizneseve thuaja pa asnjë pengesë. Kjo mundësi u shfrytëzua edhe nga shumë shqiptarë, të cilët me përvojën e tyre të fituar filluan të hapin bizneset e tyre të para. Se sa është numri i këtyre bizneseve sot ende nuk dihet, sepse deri vonë nuk ka ekzistuar ndonjë formë organizimi mes tyre. Me themelimin e Unionit të bizneseve kosovaro-gjermane në Köln në tetor të vitit 2013 filloi edhe organizimi i bizneseve dhe për një kohë shumë të shkurtë janë mbledhur mbi 100 ndërmarrës nën ombrellën e këtij Unioni. Shumë prej tyre me një përvojë të gjatë pune dhe reputacion të krijuar në gjithë territorin gjerman.
Unioni i bizneseve zhvillon takime të rregullta me bizneset shqiptare, duke i vizituar ato në qytetet ku punojnë, por edhe në punishtet e tyre. Këto takime shërbejnë për t’u njoftuar mbi zhvillimet e përgjithshme, por edhe për ndonjë projekt aktual, si ai i kompanisë AWR Abbruch GmbH në Universitetin e Bochumit. Kjo punishte u vizitua dje nga delegecioni i Unionit, i përbërë nga kryetari z. Ejup Krasniqi dhe anëtarët e Kryesisë, z. Gani Nuha dhe z. Vllaznim Kelmendi, ku u prit nga pronarët e saj, vëllezërit Viqa me prejardhje nga Ferizaji.
Kjo kompani është një shembull i mirë i suksesit dhe tregon se puna e palodhshme, por edhe guximi për investim në realizimin e ideve shpaguhen. Kur vëllezërit Nazmi, Gani dhe Ilmi Viqa erdhën në Gjermani në vitin 1992, ata sollën me vete vullnet të madh pune, por edhe plane dhe ëndërra, të cilat filluan t’i realizojnë qysh në vitin 1994 duke themeluar kompaninë AWR, e cila merret kryesisht me rrëzime të objekteve, por edhe rindërtim, sanim dhe reciklim. Me punë dhe disiplinë të madhe, por edhe me kualitet të lartë të shërbimeve, kjo kompani u zgjerua me projekte në krejt Gjermaninë, duke fituar projekte nga kompani dhe institucione të ndryshme gjermane. Prezenca e madhe e tyre në komplekse të ndryshme industriale, aeroporte e punishte të shumta tregon se AWR në ndërkohë është ndër kompanitë kryesore në këtë sektor në krejt Gjermaninë. Një ndër projektet më prestigjioze të kësaj kompanie ishte rrëzimi i ndërtesës 116 metërshe të Universitetit të Frankfurtit, e cila dikur ishte ndërtesa më e lartë në Frankfurt. Rreth 30.000 njerëz ishin mbledhur vitin e kaluar të shikonin këtë spektakël, i cili u realizua me profesionalizëm të lartë nga ekipi i AWR-it. Deri atëherë nuk ishte rrëzuar asnjë ndërtesë kaq e lartë në Gjermani.
Gjatë vizitës së punishtes në Bochum, z. Nazmi Viqa i njofoi mysafirët nga Unioni i bizneseve për këtë projekt, por edhe për planet e së ardhmes. Me moton e industrialistit të suksesshëm Henry Ford (“Kush bën gjithnjë vetëm atë që di, do të mbetet gjithnjë ai që është”), kompania që sot punëson 150 punëtorë drejton shikimin gjithmonë kah e ardhmja, duke u zhvilluar dhe u modernizuar vazhdimisht për t’u ofruar klientëve gjithmonë kualitet të lartë pune.
Si anëtar i Unionit të bizneseve, ku edhe mban postin e nënkryetarit, z. Viqa merr pjesë aktive në punët e Unionit dhe kryen detyra të rëndësishme në realizimin e projekteve të tij.
“Jemi krenarë që një bashkëkombas yni ka arritur suksese kaq të mëdha, por jemi edhe të lumtur që kjo kompani është pjesë e Unionit të bizneseve kosovare-gjermane. Gjithë kompanisë AWR i urojmë suksese edhe në të ardhmen”, flet për albinfo.ch z. Ejup Berisha, kryetar i Unionit, për të cilin kontakti i vazhdueshëm me këto biznese është shumë i rëndësishëm. “Ne do të vazhdojmë vizitat në bizneset shqiptare edhe në të ardhmen dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë storie suksesi si kjo e AWR-së”, përfundon i kënaqur pas vizitës së suksesshme kryetari Berisha.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?