Portrete të firmave
Vëllezërit Bekteshi zotërojnë restorantet tipike zvicerane në Lozanë
Dino dhe Shaban Bekteshi filluan biznesin e tyre të restorantit në vitin 2007, kurse tani menaxhojnë pesë restorante të mirëfillta në peizazhin e Lozanës, duke përfshirë restorantet legjendare “L'Evêché” dhe “Le Châlet Suisse”. Ndërsa kanë arritur në Zvicër në vitet '90-a, ata sot janë krenarë që janë pronarë të objekteve që ofrojnë ushqim tradicional zviceran
Në “Chalet Suisse” takoj z. Dino Bekteshi. Megjithëse arrita me vonesë, unë prapëseprapë u ndala për të shijuar të pavdekshmen pamje të muzgut. Sapo kalova pragun e derës, stafi ishte në gatishmëri, tavolinat ishin të përgatitura në mënyrë të përsosur, mirëpritja është në kulm në nivel të dekorit. Këtë të shtunë në mbrëmje të dhjetorit ata i kanë të gjitha tryezat e rezervuara. Ky vend tipik i kulturës zvicerane, ku e ashtuquajtura ‘Fondue’ konsumohet me tona çdo muaj, është që nga viti 2015, pronë e vëllezërve me origjinë kosovare, Dino dhe Shaban Bekteshi.
Shërbimi, një “natyrë e dytë” e Dinos
Në vitin 1993 Dino arriti në Zvicër me dëshirë që të gjejë një punë shumë shpejt. Ai fillon si ndihmëskuzhinier, pastaj gjen një punë në restorantin Vieux-Lausanne dhe në sajë të shefit, ai merr kurse për të mësuar frëngjishten, gjë që i mundëson daljen nga kuzhina për t’u shërbyer klientëve. Aty ai kupton se shërbimi është si një natyrë e dytë për Dinon, mikpritjen e ka si trashëgimi nga kultura e tij shqiptare, ku mysafiri pritet si mbret.
Pesë vjet më vonë vëllai i tij, Shabani, i bashkohet. Pas 12 vjet shërbimesh të mira dhe besnike në Vieux-Lausanne, krijohet një mundësi për dy vëllezërit: blerja e restorantit të tyre të parë, “Pont de la Venoge” në Echandens. Dino e materializon blerjen, ndërsa Shabani i bashkohet atij më vonë për të mos dhënë “përshtypjen e braktisjes së shefit”, ku ata kishin punuar për 12 vjet.
Bëhen edhe pronarë të një hoteli
Në moshën 34-vjeçare, Dino rrezikon dhe niset për një aventurë të re. Me një eksperiencë shumëvjeçare dhe një rrjet të zhvilluar, e merr restorantin mitik Café de l’Evêché, i cili ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Lozanës, i njohur për specialitetin e famshëm ‘La Fondue’. Kësaj radhe, Shabani, vëllai i tij më i ri, do të kujdeset për menaxhmentin. Banorët dikur të shqetësuar, lehtësohen kur mësojnë se vëllezërit Bekteshi janë ata që e kanë marrë udhëheqjen e njërit nga emblemat historike të Lozanës. Në fakt, në ceremoni, kur ish-pronari, z. Galicia, 82 vjeç, i dorëzon çelësat Shabanit, i thotë atij se ai mund t’ia kalonte pishtarin vetëm kur do të mbushte 82 vjeç. Ndërsa autenticiteti i vendit është ruajtur plotësisht.
Më të motivuar se kurrë, Bektashët bëhen pronarë të restorantit “Biblos” më 2012, pastaj më 2015 arrijnë të blejnë të njohurin “Chalet Suisse”. Dino thotë se “asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se një ditë do ta zotëronte këtë vend. Pastaj në prill 2017, sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, Dino dhe Shabani bëhen pronarë të “Hotel de Ville de Bussigny”.
Pronarë të 5 restoranteve me mbi 100 punëtorë
Qëllimi i vëllezërve Bekteshi u shpalos gjatë bisedës, në mënyrë shumë të thjeshtë: “Ne duam të ofrojmë një kuzhinë vendase me çmime popullore, sepse mendojmë për të gjithë”. Ne kontribuojmë po ashtu në të mirën e ekonomisë lokale duke u furnizuar ekskluzivisht me produkte vendase zvicerane dhe po ashtu preferojmë ta reinvestojmë paranë aty ku e fitojmë, pohon Shabani.
Dhjetë vjet pas restorantit të tyre të parë, ata janë bërë pronarë të pesë restoranteve dhe punësojnë më shumë se 100 veta. Këtë sukses Dino e shpjegon në një mënyrë shumë të qartë: “Duhet të punoni shumë dhe të keni respekt për njerëzit, suksesi pastaj vjen me kalimin e kohës. Ai thotë se kurrë nuk ka humbur një ditë të vetme të punës, madje edhe sot ai nuk heziton të punojë me duart e tij. “Kur veshi mantelin ashtu si punonjësit e mi, vërej se kjo i motivon shumë”.
Për Shabanin, suksesi rezulton sidomos nga fakti se ne dy vëllezërit ia kemi hatrin shumë njëri tjetrit dhe bashkëpunojmë në harmoni. Fryma familjare është çelësi i krijimit të restoranteve tona, por ky sukses është realizuar falë miqve dhe bashkëpunëtorëve që na rrethojnë.
Kemi pasur shumë fat po ashtu që jemi të mbështetur nga vendas që asnjëherë nuk e kanë bërë dallimin mes neve, me prejardhje shqiptare, dhe zviceranëve, thotë Shabani. Zaten “klientela jonë përbëhet nga shtresa të ndryshme shoqërore, duke filluar nga politikanë, gazetarë e afaristë”.
Vëllezërit Bekteshi nuk kursehen në punë, dhe të dytë e nënvizojnë faktin e sakrificave të bëra duke punuar 7 ditë në javë, dhe duke mos llogaritur fare orët e punës. Mirëpo, me gjithë këtë punë, vëllezërit nuk lënë familjen pas dore. Dino dhe Shabani gjithmonë gjejnë kohën për ta kaluar me familjen. Ata edhe vizitojnë rregullisht prindërit e tyre në Kosovë, të cilët jetojnë me vëllain e vogël.
Dino Bekteshi
Arriti në Zvicër në vitin 1993, pranon ofertën e parë të punës si ndihmëskuzhinier. Sot, me vëllain e tij është në krye të pesë restoranteve në Lozanë.
Shaban Bekteshi
Ai i bashkohet vëllait pesë vjet më vonë, dy vëllezërit do të punojnë rreth dhjetë vjet në të njëjtin restorant. Në lagjen e qytetit, ku menaxhon l’Evêcher, ai njihet dhe vlerësohet nga të gjithë.
“Chalet suisse”
Restoranti ofron një mjedis të jashtëzakonshëm tradicional, ku mund të shijoni të ashtuquajturën ‘Fondue’ dhe ushqime të tjera nga rajoni i Vaud-it. Drejtori Thierry Vacher menaxhon restorantin për më shumë se 20 vjet. Ai mundohet të mirëpresë klientë sa më të ndryshëm, qoftë yjet ndërkombëtarë apo familjet e thjeshta nga Lozana, dhe furnizohet me prodhime lokale.
“L’Evêché”
I vendosur në themel të Katedrales së Lozanës, ky restorant konsiderohet si një monument historik. I hapur 7/7, ata gjithashtu ofrojnë ‘Fondue’ dhe ushqime tradicionale.
“Pont de la Venoge”
Bar dhe hotel, ka dy salla dhe një tarracë, si dhe 10 dhoma. Aty mund të gjeni ushqime të ndryshme si dhe ‘fondue chinoise’ dhe të tjera me bollëk.
“Biblos”
I vendosur në zemër të Lausanne, ky lokal ofron kuzhinë gustatore, duke përfshirë burgers dhe makarona.
“Hôtel de Ville de Bussigny”
Një vend miqësor dhe një vizë lidhëse për popullatës e Bussigny. I përbërë nga 6 dhoma, që nga bari në restorant, pa harruar edhe një sallë me 380 vende, hoteli ofron shumë atmosfera të ndryshme.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane