Kosova

Vëllai i presidentit Thaçi sulmon fizikisht dy persona në Byronë e Sigurimeve

Vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi,  ka sulmuar fizikisht dy persona të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, gjatë një mbledhjeje në zyrat e saj.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave në rrugën “Lidhja e Pejës” në të cilën ndodhet Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Nëpërmjet një komunikate, Policia ka bërë të ditur se përleshja ka ndodhur rreth orës 12:00, ndërsa nuk ka treguar nëse ka të arrestuar për këtë përleshje.

“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën ‘Lidhja e Pejës’, në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, thuhet në njoftim.

Pas policisë, prokuroria ka filluar t’i marrë në pyetje Gani Thaçin,  shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve si deh drejtorin e kompanisë  private të sigurimeve “Illyria”.